Nallbani: Tirana më e fortë se më parë

Tirana vazhdon përgatitjet e saj në Maqedoni, ku një pjesë të rëndësishme zënë dhe ndeshjet miqësore që ajo po zhvillon me skuadra të ndryshme kryesisht maqedonase. Ditën e mërkurë bardheblutë zhvilluan një përballje pikërisht me një nga skuadrat më të mira të kampionatit maqedonas, Vardarin e Shkupit duke e fituar atë me rezultatin 1-0 me golin e sulmuesit Oriand Abazaj. Një gjendje e tillë duket se i kënaq kampionët në fuqi të vendit që përpara kanë sfidat e rëndësishme në Ligën e Kampioneve me sllovenët e Domzales. Në një intervistë të dhënë për "Gazeta Sporti", portieri i mirënjohur i futbollit shqiptar Blendi Nallbani ndihet shumë i kënaqur me punën e bërë deri tani dhe është optimist për të ardhmen e skuadrës. "Vazhdojmë përgatitjet tona dhe ndihemi mjaft mirë. Po bëhet një punë e madhe në të gjitha drejtimet dhe këtë po e tregojnë qartë edhe ndeshjet tona testuese, ku paraqitja e skuadrës ka qenë pozitive si dhe rezultatet gjithashtu".
Si po shkojnë përgatitjet tuaja deri tani?
Më mirë pyesni trajnerin për këtë, pasi është ai që jep një vlerësim më të saktë për gjendjen tonë. Gjithsesi unë mendoj se me atë që shikoj në skuadër dhe në ndeshjet që ne po zhvillojmë gjërat janë në rrugë të mbarë. Po bëhet një punë e madhe me qëllimin e vetëm paraqitjen sa më të mirë në Ligën e Kampioneve si dhe në sezonin e ardhshëm. Këto përgatitje janë baza e suksesit në të ardhmen.
Cfarë vlerësimesh ju ka dhënë stafi teknik?
Deri tani trajnerët janë të kënaqur me situatën, por sigurisht mbetet ende për t'u bërë, pasi faza nuk ka përfunduar ende. E rëndësishme është që nuk ka asnjë problem dhe futbollistët po marrin ngarkesën e plotë fizike ku padshim një vend të vecantë zënë dhe seancat tekniko-taktike që janë të domosdoshme.
Të rikthehemi pak tek Liga e Kampioneve ku ju do të përballeni me sllovenët e Domzales. Si e shikoni kundërshtarin?
Të them të drejtën askush nga ne nuk e njeh nga afër atë skuadër, përvec të dhënave që na janë servirur teorikisht. Dimë që është një skuadër me ambicje pavarësisht se nuk ka eksperiencë në një kompeticion kaq të rëndësishëm europian sic është Liga e Kampioneve. Presim që ditët e ardhshme të na vijnë disa kaseta me ndeshjet e kundërshtarit për ta parë dhe analizuar qartë mënyrën e lojës së tij.
Ma kaq sa keni mësuar rreth kundërshtarit, mendoni se Tirana është e aftë ta kalojë Domzalen?
Në rradhë të parë besimi në forcat dhe mundësitë tona është i madh dhe kjo është arësyeja që them se do ta kalojmë me sukses kundërshtarin në turin e parë. Së dyti eksperienca jonë në Ligën e kampioneve është e madhe në krahasim me kundërshtarin dhe kjo është një tjetër arësye për ta kaluar atë. Pra mendoj se i kemi të gjitha shanset për të qenë ne në turin e dytë.
Kjo Tirana është më e fortë se më parë apo...?
Koha e tregon një gjë të tillë, pasi është herët për ta thënë. Megjithatë unë personalisht them se skuadra është edhe më e fortë se më parë. Janë larguar disa futbollistë, por janë afruar të tjerë cilësorë. Boshti ka mbetur po ai dhe kjo është shumë e rëndësishme. Besoj shumë se gjërat duke filluar që nga Liga e Kampioneve do shkojnë edhe më mirë.
Intervistoi: Mikel Bizhyti