Nano: Eshtë një aktivitet shumë i madh dhe historik për angazhimin e vendeve dhe organizatave kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, nën kujdesin e OKB për të përballuar me një vullnet dhe nj
Nano: Eshtë një aktivitet shumë i madh dhe historik për angazhimin e vendeve dhe organizatave kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, nën kujdesin e OKB për të përballuar me një vullnet dhe një vizion të përbashkët sfidat e zhvillimit të njerëzimit për sot dhe për të ardhmen, nga i cili edhe Shqipëria nxori përfitimet e saj, shprehu angazhimet e veta dhe do të materializojë në vazhdim të gjithe objektivat e këtij zhvillimi të qendrueshëm në planin kombëtar dhe rajonal.
Unë besoj se Samiti siguroi konsensusin e duhur për të harmonizuar kontributet e vendeve të industrializuara me përpjekjet e vendeve në zhvillim për të integruar resurse njerëzore dhe natyrore në zhvillimin e ardhshëm global.
Kam bindjen se me këtë vizion dhe angazhim të programuar global ne mund të ndërtojmë akoma më saktë programet e çrrënjosjes së varfërisë dhe të rritjes ekonomike, programet e sigurimit të ujit të pijshëm dhe të parametrave ekologjikë, sanitarë dhe të shëndetit publik për të gjithë popullatën në të gjithë pjesët e territorit shqiptar, si dhe të ndërtojmë infrastrukturat dhe institucionet e një zhvillimi të qendrueshëm edhe në Shqipëri.
Ju zhvilluat disa takime të rëndësishme me udhëheqës të shteteve të ndryshme. A mund të na thoni diçka më shumë për takimet me z. Pauell dhe z. Prodi?
Nano: Këto, besoj se edhe në vlerësimin e publikut shqiptar, janë dy takimet kulmore dhe më të rëndësishme bilaterale që realizojmë në këtë Samit. Me Sekretarin Amerikan të Shtetit, z.Pauell, në një klimë shumë miqësore dhe partneriteti të sigurt për të ardhmen, ne arritëm të kuptojmë se ka ardhur faza dhe janë maturuar kushtet e strukturimit të një partneriteti strategjik të ri me SHBA, në nivelin bilateral, rajonal dhe global. Se Shqipëria vazhdon të gëzojë vëmendjen dhe mbështetjen e duhur të qeverisë amerikane për rolin e pazëvendësueshëm të saj dhe të shqiptarëve në Ballkan për hapjen dhe integrimin e rajonit me Evropën e Bashkuar dhe realitetet euroatlantike. Se progresi i bërë në fushën e zhvillimit të institucioneve, në fushën e rritjes ekonomike, në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe të kontributeve të shqiptarëve për të moderuar proceset rajonale, është një bazë e qendrueshme dhe premtuese për të ardhmen, që prania amerikane në rajon dhe në Shqipëri, investimet amerikane dhe programet e veçanta të asistencës së qeverisë së SHBA të gëzojnë aftësi më të mëdha zbatuese, mbështetëse dhe shumëfishuese të qeverisë shqiptare dhe institucioneve të reja të Republikës së Shqipërisë.
Mora përshëndetjet e sinqerta dhe angazhuese të Sekretarit të Shtetit për krijimin e qeverisë së re, për hapat e para progresiste që ajo ka nisur të bëjë dhe veçanërisht për Presidentin e ri të Republikës, që në bashkëpunim me Kuvendin dhe Qeverinë po luan një rol të ri dhe te shquar në hedhjen e hapave të mëtejshëm përpara në fazën e re të zhvillimit të vendit.
Shumë i rëndësishëm ishte dhe takimi me Presidentin e Komisionit Evropian, Romano Prodi, me të cilin në mënyrë të sintetizuar fotografuam progresin e arritur në axhendën e stabilizim-asociimit, të përcaktuar në bashkëpunim me komisionin nga Qeveria e Shqipërisë. Arsyetuam se janë maturuar të gjitha kushtet për të konsoliduar më tej funksionimin e institucioneve dhe të administratës publike në prioritetet e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, të konsolidimit të reformave në fushën e sistemit bankar dhe financiar, që do të garantojnë një rritje të qendrueshme ekonomike dhe për vitet që vijnë, të integrimit të kontributeve dhe të kapitalit privat, vendas dhe të huaj në zhvillimin prioritar të zonave bregdetare, të turizmit, të aktivizimit të resurseve minerare dhe të prodhimit të energjive të përtëritshme nga burimet e mëdha hidrike dhe të ujit të pijshëm, që ka Shqipëria, si dhe të krijimit të një situate kombëtare, ekonomike, politike dhe shoqërore, ku emigrantët e shumtë që janë larguar nga vendi dhe që me djersën e tyre sigurojnë qindra milionë dollarë në vit për familjet e tyre dhe vendin e vet, të jenë më të interesuar për aktivizimin e resurseve dhe për zhvillimin kombëtar, duke bashkuar kontributet dhe kapitalet e tyre me ato të sipërmarrësve vendas dhe të operatorëve të rëndësishëm ndërkombëtar që kryejnë në Shqipëri.
Mora angazhimin e përsëritur nga kryekomisioneri Romano Prodi, një mik i qendrueshëm i Shqipërisë, për shkak edhe të kombësisë së tij italiane, se tashmë procesi është i pandalshëm, është i pakthyeshëm dhe se shumë shpejt institucionet përfaqësuese të BE do të ndihmojnë Shqipërinë për të hyrë në këtë fazë të re kontraktuale të marrëdhënieve, që është ajo e stabilizim-asociimit.