E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: I gatshëm të udhëheqë PS. Rama, aventurier humbarak

Lëvizja “Nano” ka reaguar sot në lidhje me 21-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Në një deklaratë për shtyp Nano është shprehur i gatshëm ta udhëheqë PS-në drejt fitoreve të reja ndërsa ka hedhur edhe akuza ndaj kryesocialistit Rama i cili sipas tij i ka shkaktuar vetëm humbje kësaj force politike.

“I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten Kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e rradhës. Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pamend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e rradhës, duke i lënë fushë të lirë Berishes qe ta zgjedhi vetë Presidentin që donte” thekson Nano.

Ai ka theksuar më tej se prej muajsh i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit kryesocialistit Rama por ai e ka refuzuar me këmbëngulje. Unë prej muajsh e javësh u përpoqa ti tregoja e ta këshilloja Edi Ramën se së bashku mund të nisnim një kohë të re të bashkimit të së majtës, duke fituar betejën e parë që kishim në rradhë, por Edi Rama e refuzoi. Edi Rama më refuzoi mua, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës. Edi Rama humbi. Por me këtë humbje të rradhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët” thekson Nano.

Duke iu referuar deklaratave të kryesocialistit Rama, Nano i cilëson ato si akuza idiote dhe qesharake. “Ky paloKryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga Qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse Kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të” thekson më tej Nano.

Ai ka akuzuar kryesocialistin Rama se ka zhvilluar një pazar të ndyrë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. “Edi Rama ne darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën ka këmbëngulur vetëm tek një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën Qeverisë. Sot President është zgjedhur Ministri i Brendshëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur, për shkak të Edi Ramës. Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej Qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për tu bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak” thekson më tej Nano.

Nano gjithasht u ka bërë thirrje të gjithë socialistëve që të ngrihen përmbi këtë realitet të zymtë, dekurajues, humbës por edhe dëmtues për fatet e Shqipërisë e për integrimin europian, ku e ka katandisur PS-në, Kryetari aktual Edi Rama. “Edi Rama e ka braktisur popullin opozitar. Zyra e tij është shndërruar në një zyrë të prodhimit të politikave të krizave e konfliktualitetit, urrejtjes dhe përplasjes, mohimit dhe zhbërjes së historisë së Partisë Socialiste dhe të zhvillimeve pozitive transformuese në Shqipëri, duke e dëmtuar rëndë Shqipërinë, shqiptarët dhe vetë socialistët” thekson Nano.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›