E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Kandidimi i Nishanit shkelje e Kushtetutës

 “Pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tone, Fatos Nano, i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit i paralajmëruar me kandidat të radhës  për President, Ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese”, thekson reagimi i Lëvizjes Nano President.

Deklarata nënvizon se sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen.  “Dorëheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës, për t'u votuar nga Kuvendi.
Gjithashtu Ministri kandidat për President e ka të pamundur sipas Kushtetutës që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si Deputet. Referenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e heqjes së Mandatit të Deputetit Ilir Beqja, e bën antikushtetues Kandidimin e Ministrit Bujar Nishani për President, pa përmbushur më parë të gjithë procedurën ligjore të dorëheqjes”, thuhet më tej.

 Fatos Nano i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse që të mos e thellojnë krizën duke bërë edhe shkelje kushtetuese përveç shkeljeve të rënda morale e politike që janë bërë deri sot. “E mbi të gjitha Fatos Nano i bën apel shumicës qeverisëse që të respektojë e vlerësojë me qetësi e seriozitet te thellë, thirrjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për të mos e kthyer procesin e zgjedhjes së Presidentit në një proces të zgjedhjes së një Ministri të Kabinetit. Të nderojmë Kushtetutën, të nderojmë qytetarët shqiptarë, të nderojmë edhe Partnerët tanë Euroatlantikë”, përfundon reagimi. /Start/

                                                                                             2012-06-11 16:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›