Presidenti, Nano: Nishani gafë kushtetuese, të dorëhiqet më parë
Lëvizja Nano e konsideron gafë të rëndë kushtetuese, kandidaturën e radhës së mazhorancës, ministrit të Mbrojtjes Bujar Nishani. Në një deklaratë për shtyp Nano thekson se Nishani nuk mund të rezultojë kandidaturë për president, për sa kohë nuk ka dhënë dorëheqjen nga posti i Ministrit.
“Pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tone, Fatos Nano, i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit i paralajmëruar me kandidat te rradhës për President, Ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Dhe doreheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës, per t`u votuar nga Kuvendi.
Gjithashtu Ministri kandidat për President e ka të pamundur sipas Kushtetutës që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si Deputet.
Referenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e heqjes së Mandatit të Deputetit Ilir Beqja, e bën antikushtetues Kandidimin e Ministrit Bujar Nishani për President, pa përmbushur më parë të gjithë proçedurën ligjore të dorëheqjes”thuhet në deklaratë.
Më tej Fatos Nano i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse që të mos e thellojnë krizën duke bërë edhe shkelje kushtetuese përveç shkeljeve të rënda morale e politike që janë bërë deri sot.
“E mbi të gjitha Fatos Nano i bën apel shumicës qeverisëse që të respektojë e vlerësojë me qetësi e seriozitet te thellë, thirrjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për të mos e kthyer proçesin e zgjedhjes së Presidentit në një proçes të zgjedhjes së një Ministri të Kabinetit.
Të nderojmë Kushtetutën, të nderojmë qytetarët shqiptarë, të nderojmë edhe Partnerët tanë Euroatlantikë”përfundon dekarata.
Ndërkaq brenda pak orëvve komisioni parlamentar i ligjeve do të mblidhet për të dytën herë. I mbledhur gjatë paradites ku zyrtarizoi kandidimin e Artan Hoxhës, komisioni mblidhet sërish sot në orën 16:45 për të zyrtarizuar këtë herë kandidaturën e Bujar Nishanit.
Në mbledhjen e sotme Komisioni i Ligjeve pritet të miratojë edhe emrin e kandidatit zyrtar të mazhorancës, Bujar Nishani pas tërheqjes së Artan Hoxhës nga kandidimi.
Ndërkohë vetëm gjysëm ore përpara se të zhvillohet seanca plenare do të mblidhet edhe grupi parlamentar demokrat. Mbledhja e grupit demokrat e kryesuar nga kryeministri Berisha do të nisë në orën 16:30 ku pritet të zyrtarizohet edhe kandidatura e Nishanit për ta përcjellë më pas në komisionin e ligjeve.