Nano: Kontributet e Leka Zogut duhet të nxisin politikën

Presidenti Bamir Topi, ngushellime ne familjen e Leka Zogu 1
Kundërshtari politik që fitoi garën kundër rivendosjes së monarkisë në vitin 1997 me anë të referendumit i është bashkuar dhimbjes së familjes mbretërore për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I.
Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, zhvilloi dje një vizitë në Pallatin Mbretëror, ku ngushëlloi princin Leka Zogu II dhe njëkohësisht foli për aktivitetin politik dhe patriotik të pretendentit për fronin mbretëror të Shqipërisë, që u nda nga jeta mëngjesin e së martës. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, ish-lideri socialist e ka cilësuar mbret Leka Zogun I gjatë bisedës me familjarët që u mbajt larg mediave, ndërsa jashtë dyerve të rezidencës e evidentoi me emër. Kontributet e Leka Zogut I duhet të nxisin politikën të shumëfishojë pikat e bashkimit e të bashkëpunimit. Pra, duhet të shumëfishohen kontributet që Shqipëria të vazhdojë me dinjitet rrugën e përfaqësimit në familjen europiane dhe të integrimit me simotrat e saj, siç vjen ky kontribut dhe mesazh edhe nga familja mbretërore dhe aktiviteti i saj. I pyetur rreth një tjetër referendumi për rikthimin e monarkisë në Shqipëri, Nano u përgjigj shkurt se unë besoj se ky bashkim ndjenjash në këtë rast është pjesë e një referendumi. Ai u largua duke mos pranuar pyetje të tjera, ndërkohë që në dyert e vilës mbretërore erdhën të tjerë vizitorë. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ministrat Ridvan Bode, Bujar Nishani, Genc Pollo, Aldo Bumçi, Fatmir Mediu dhe shumë demokratë të tjerë, ndërsa nga krahu i majtë politik nuk pati asnjë vizitë. Nga Partia Socialiste, në harkun kohor të tri ditëve, kanë ngushëlluar vetëm Andis Harasani, Kastriot Islami e Arben Malaj, përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe. Pjesa tjetër e socialistëve jo vetëm që nuk kanë ngushëlluar, por edhe kanë fyer ata që kanë ndarë dhimbjen me familjen mbretërore. E veçantë për familjarët ka qenë dje edhe prezenca e Presidentit të Republikës, Prof. dr. Bamir Topi dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi. Pas lënies së një shënimi në Librin e Zisë, të vendosur me këtë rast në mjediset e Vilës Mbretërore, Topi shpjegoi arsyen pse vendosi të zhvillojë këtë vizitë: Ndava me princ Lekën dhimbjen, e cila nuk është vetëm e familjes, por e mbarë shoqërisë shqiptare që sot respekton një njeri, i cili ndonëse pati një jetë shumë të vështirë larg Shqipërisë, asnjëherë nuk iu shmang detyrimeve qytetare për të qenë një patriot dhe për të kontribuar për çështjen kombëtare. Familja mbretërore erdhi në Shqipëri e mbushur plot, qysh nga mbretëresha Geraldinë, por edhe të tjerë përfaqësues të familjes. Natyrisht, jeta bën të vetën. Njerëzit largohen nga kjo jetë, por unë i uroj princ Lekës që të ti japë gëzim kësaj shtëpie, ta mbushë me trashëgimtarë dhe të jetë në vazhdim të traditës së paraardhësve të tij për të kontribuar për çështjen kombëtare.
Pritjet
Së bashku me Princin Leka Zogu II dhe të fejuarën e tij, Elia Zaharia, ngushëllimet e rastit dje i priti edhe tezja e Leka
Zogut I, Sylviane Mysieler, e cila njihet në diasporë si bamirëse e madhe ndaj shqiptarëve. Bashkë me të, kushërinjtë e
pretendentit për fronin mbretëror, Skënder Zogu dhe Ergun Zogu, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu,
nënkryetari Sulejman Gjana, si dhe besnikë të vjetër të familjes mbretërore, thuajse nuk kanë lëvizur nga holli i pritjes së vizitorëve, përveç momenteve që i kanë përcjellë ata deri te dera.
Trafiku
Policia e Tiranës ka marrë masa për të shmangur trafikun gjatë ditës së sotme për 5 orë, koha që duhet në total për zhvillimin e homazheve në nder të pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I. Gazeta mëson se nga ana e Policisë Rrugore, ditën e sotme, nga ora 08:00 deri në orën 13:00 është organizuar moslejimi i parkimit të mjeteve në segmentin rrugor përgjatë rrugës Xhorxh W. Bush nga sheshi Sulejman Pasha deri te bulevardi Zhan DArk, ura e Rrugës së Elbasanit. Po ashtu, blutë e Qarkullimit janë angazhuar për të mos lejuar bllokimin e trafikut.
Orgnizimi
Në orën 08:00 do të tërhiqet nga morgu trupi i pajetë i Leka Zogut I nga familjarët. Në orën 09:00 i ndjeri do të vendoset në shtrat topi, që mbulohet prej flamurit kuq e zi, ndërsa do të mbajë veshur një kostum ushtarak të Akademisë Britanike. Në ora 10:00, arkivoli do të nxirret në oborrin e Selisë së Parlamentit, ku 4 përfaqësuesit e feve Islame, Ortodokse, Katolike dhe Bektashiane do të bëjnë lutje për shpirtin e Mbretit Leka I. Më pas, do të ketë një fjalim lamtumire dhe nderimet ushtarake ceremoniale nga Garda e Republikës për ta ccuar rreth orës 13.00 drejt varrezave të Sharrës.
Elisabeta Ilnica