E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS përplasen edhe për Rregulloren e Kuvendit

Pas Komisionit të Reformës Zgjedhore në Parlament, u konstitua dje edhe grupi i punës për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Por, që në kontaktin e parë mes përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës u vunë re qëndrimet e ndryshme sa i takon masës që duhet ndryshuar kjo rregullore. Sipas bashkëkryetarit demokrat të grupit të punës, Jemin Gjana, ligji i Parlamentit, që kërkon një votim të cilësuar, është i mirë në më shumë se 80% të neneve të tij. Puna jonë do të bazohet në principet e Rregullores së Bashkimit Europian për të amenduar mbi Rregulloren aktuale. Kam shprehur pikëpamjen time se më shumë se 80% e neneve të asaj rregulloreje janë të qëndrueshme, janë qëndrime standarde dhe të parlamenteve të tjera. Pastaj, dhe në bazë të këtyre standardeve, hap pas hapi nga Rregullorja e funksionimit të Parlamentit Europian do të shohim dhe do të diskutojmë, tha Gjana. Ndërsa Namik Dokle theksoi se me kalimin e kohës, praktika parlamentare sugjeron gjëra të reja për të ecur me hapin e kohës. Parlamenti Europian ka pasur rregullore të etikës dhe megjithatë vazhdon ta përmirësojë. Nga kjo pikëpamje, domosdoshmëria e përmirësimit të Rregullores së Kuvendit është evidente. Një element i rëndësishëm ku duhet të shikojmë edhe përvojat e parlamenteve të tjera është edhe buxhetimi i veprimtarisë parlamentare, tha Dokle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›