Kod i ri, Ekonomia: Si ti drejtoni bizneset tregtare

Nasip Naco, ministri i Ekonomise
Bizneset në vend, të cilat duan të jenë sa më afër praktikave të operimit të kompanive europiane, mund ta bëjnë këtë përmes adoptimit të parimeve që sjell Kodi për Drejtimin e Brendshëm të Shoqërive Tregtare. Ky kod u diskutua dje në Këshillin Konsultativ të Biznesit, ku mori në fund edhe aprovimin e grupimeve të biznesit apo aktorëve të tjerë pjesëmarrës në këtë këshill. Mbledhjen e hapi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, i cili bëri edhe një përmbledhje të dokumentit të hartuar me ekspertizën e IFCsë. Në thelb, Kodi përfshin 14 parime të drejtimit të brendshëm të shoqërive tregtare që nuk janë të listuara në bursë, por zbatimi i tij nuk është i detyrueshëm. Ky Kod mbetet në gjykimin tuaj për një zbatim vullnetar të tij dhe sipas kushteve që paraqiten për çdo shoqëri tregtare të kësaj natyre, u shpreh Naço. Ndërkaq, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, shpjegoi se METE e konsideron këtë kod si një nevojë të bizneseve vendase për të qenë të përafruar nga pikëpamja e kuadrit rregullator me bizneset europiane. Lidhur me miratimin e këtij kodi janë shprehur pozitivisht edhe përfaqësues të disa grupimeve të biznesit, si BiznesAlbania apo Dhoma Amerikane e Tregtisë. Në fjalën e tyre ata janë shprehur se shoqëritë tregtare në vend mund të përfitojnë nga ky kod dhe se ka ardhur momenti për të pasur një kod që mund të zbatohet nga biznesi vendas i palistuar në bursë. Kodi do të shërbejë si një model për shoqëritë tregtare në vend, të cilat, sipas dëshirës, mund ta zbatojnë ose jo atë në përfitim të tyre.
Nertila MAHO