E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Nëse bëhem President, do të jem garant i Kushtetutës

Nano bën apel që takime të tilla të vazhdojnë dhe të zhvillohen me një klimë mirëbesimi dhe me transparencë.

“Fatos Nano shpreh mirëbesimin se deklaratat e dy krerëve politike Berisha e Rama për një përpjekje të përbashkët, për ‘një vijë të hapur’, për të mbërritur në një zgjidhje të përbashkët, do të materializohen me një produkt të matur, parimor e qëllimlartë që do ti sjellë Shqipërisë shanse e mundësi të reja për më shumë demokratizim, më shumë liri, hapa të sigurta e të shëndetshme drejt integrimit Evropian, më shumë evropianizim e perëndimizim të mendësive, sjelljeve, botëkuptimit të politikës dhe institucioneve shqiptare”, thuhet në reagim e Lëvizjes Nano President.

Më tej thuhet se Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, “ai do të angazhohet me të gjitha kapacitet politike, institucionale e kushtetuese që mbart detyra e Kreut të Shtetit që të instalojë në njërën prej ditëve të javës, një traditë të përjavshme e të përhershme Mëngjesi pune, reflektimi dhe Lutjesh, mes Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Liderit të Opozitës”.

Sipas deklaratës, me dështimin e votimit sot në seancë, Shqipëria humbi një shans të dytë për ta zgjedhur Presidentin e Republikës me një marrëveshje të dakordësuar. Fatos Nano u ben thirrje Kryetarëve Berisha e Rama, që për të mos humbur shansin e tretë në Raundin e tretë të votimit për President, e kësisoj për të mos rrezikuar edhe shansin e tretë të Shqipërisë për të marrë Statusin Kandidat në BE vjeshtën që vjen, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Madje, kjo Lëvizje i parashtron 7 pika klasës politike shqiptare, ku theksohet se në të gjitha rastet zgjidhet nuk duhet të bëhen mbi interesa të ngushta politike.

“Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të bëhet garant i kushtetutës, garant i përmbushjes së të gjitha reformave, si edhe garant e i përkushtuar që, të gjithë së bashku. Presidenti dhe Liderët Politikë të angazhohen plotësisht që në vitin 2013 në Shqipëri të organizohen zgjedhjet e para themeluese të lira, të ndershme e te pakontestuara, si shprehje e vullnetit, kulturës politike dhe standardeve më të mira Evropiane”, thuhet gjithashtu. 

Sipas reagimit, Nano i ndonëse i lënduar dhe mosaprovues nga ngurrimi i Edi Ramës për ta mbështetur politikisht dhe me firma deri tani emrin e tij në mundësinë për të Kandiduar për President, shprehet mirëbesues deri në përfundim të procesit, dhe e inkurajon Ramën që të jetë vijë e hapur komunikimi. Njëkohësisht, Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë “tek Fatos Nano një Instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në Krye të Qeverisë, një protagonist për shkak të rolit dhe modelit politik që ka përfaqësuar, duke iu dedikuar të përbashkëtës. Fatos Nano prej vitesh nuk konkurron e as bën pjesë më në jetën aktive dhe të politikës së ditës nën ndonjë sigël partie. Fatos Nano është i vetëofruar për të shërbyer bazuar në të gjitha dijenitë, përvojën, dijet, kapacitetet e tij si politikan paresor, por mbi të gjitha si shërbëtor publik e shtetar”. /Start/

                                                                                             2012-06-04 14:10
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›