E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Vetëofrohem si President gjithëpërfshirës

Ai thotë se vetëofrohet në postin e kreut të shtetit si një politikanë me karrierë të gjatë politike. 

“Unë kam bërë një ofertë, pra kam ofruar eksperiencën, dijen, aftësitë e mia, për të shërbyer. Për të shërbyer, që të ndryshoja politika, që marrëdhëniet mes politikës dhe institucioneve të jenë më progresive, për të kryer detyrat ndaj qytetarëve. Pra jam ofruar duke kontaktuar të gjitha palët. Të sjell një vlerë të shtuar në konkurrimin e sivjetshëm për rizgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit”, theksoi Nano për emisionin “Top Story”.

Ai shton se në ditët në vijim do të zhvillojë takime me të gjithë drejtuesit e partive politike parlamentare në vend, përfshirë këtu edhe kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Duke e shfaqur veten si një kandidat mbi palët, Fatos Nano, thekson se për Shqipërinë në këtë momente është i nevojshëm zgjedhja e një presidenti gjithëpërfshirës dhe se procesi duhet të jetë i hapur dhe transparent. 

“Presidentët e deri sotëm nuk e kanë pasur në CV-në e tyre te pasur karrierën ekzekutive si pjesë organike. Është e dobishme që kryetari i shtetit të ketë përvojën qeverisëse. Do të ishte e dobishme që PS të mbështesë kandidaturën e liderit të saj historik. Të mbështeste një kandidaturë, që ka arritur të tregojë, me heshtje në më shumë se 20 vjet  se ka ditur gjithmonë të kultivojë, të nxisë dhe ushqejë një klimë, mbipartizane, jo thjesht dhe vetëm militante”, vijoi ai. /Start/

                                                                                             2012-04-20 08:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›