Trojka e ambasadorëve: Administrim më të mirë të gjyqësorit

Trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë ka kërkuar një administrim më të mirë të sistemit të drejtësisë. Ndërsa kanë marrë pjesë në konferencën e lidershipit në gjyqësor, trojka e ambasadorëve ka theksuar se reforma në gjyqësor është e rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka deklaruar se sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e gjyqësorit. “Sallat e gjyqeve janë kritike për funskuion e demokracisë edhe pse janë bërë përparime duke instaluar aparatura regjistrimi për të përmirësuar transparencën” ka theksuar Arvizu.
Sipas tij investuesit e huaj duhet të gjejnë një vend me kornizë ligjore të mirë që garanton transparencën. “Investuesit e huaj duhet të gjejnë në vend një forcë punëtore të arsimuar, duan një kornizë ligjore të mirë dhe që garanton transparencën dhe që garanton përparësi në sistemin gjyqësor” shtoi Arvizu.
Nga ana e tij ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth theksoi se reforma gjyqësore nuk mund të kryhet pa një partneritet mes institucioneve. “Reforma në drejtësi duhet të bëhet me partneritetin mes gjykatave, KLD-së, qeverisë, Parlamentit” theksoi Wollfarth.
Ndërsa amabasadori I BE-së në Tiranë Ettore Sequi theksoi se reforma në gjyqësor është kryereforma për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij institucionet e forta garantojnë shtetin e së drejtës ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të trajtojë seriozisht çështjen e korrupsionit dhe nevojën për të hequr imunitetin.
Të njëjtin qëndrim për heqjen e imunitetit ka mbajtur edhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi. “Përkrahim heqjen e imunitetit për çdo zyrtar dhe gjyqtar” theksoi ai. Gjithashtu Halimi theksoi se është e domosdoshme që sistemi gjyqësor të fitojë besimin e publikut dhe kjo sipas tij arrihet nënpërmjet trasparencës dhe dixhitalizimit të sistemit. “Drejtuesit e zotë personifikojnë misionin dhe fytyrën e një gjykate. Gjyqësori sot nevojë urgjente të fitojë besueshmërinë. Do vendoset audio dhe video në çdo gjykatë.”- deklaroi ministri Halimi.