E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e kambistit, 1 i dyshuar

 

Etleva Delia

Policia e Tiranës ka një të dyshuar konkret për vrasjen e kambistit Astrit Cubaj. Një person, i cili është arrestuar dje për një tjetër vepër penale, dyshohet se është njëri nga autorët e grabitjes me pasojë vdekjen e 40-vjeçarit, ngjarje që ndodhi ditën e diel në kryeqytet. Burime nga policia thanë se janë duke verifikuar të gjitha provat e mundshme, në mënyrë që të vërtetojnë pjesëmarrjen në vrasje të njërit prej autorëve të ngjarjes, por emri i tij nuk mund të bëhet i ditur për shkak të sekretit të hetimeve. I vetmi fakt që policia e kryeqytetit jep për personin që tashmë është në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë, është se ai dyshohet se ka krijuar një alibi për t’iu shmangur përgjegjësive që mund ta lidhin me vrasjen e babait të katër fëmijëve. Ndonëse alibia i ka dështuar dhe ai është vënë në pranga me një akuzë tjetër penale, ende nuk ka prova të mjaftueshme që ta fajësojnë atë drejtpërdrejt për vrasjen në bashkëpunim të kambistist Astrit Cubaj, në hyrje të pallatit të tij, të “Komuna e Parisit”. Nga momenti kur ndodhi vrasja ditën e diel e deri mbrëmë në orët e vona, policia ka shoqëruar dhjetëra persona, me karakteristikat e përafërta me autorët e përshkruar prej dëshmitarëve. Në të njëjtën kohë përgjatë gjithë rrugës që lidh “Komunën e Parisit”, me rrugën “Sulejman Delvina” dhe përreth Stadiumit “Dinamo”, patrulla të policisë vazhdojnë të kontrollojnë dhe të verifikojnë çdo lëvizje të dyshimtë në zonë. Gjithashtu, oficerët e policisë kanë intervistuar edhe dhjetëra persona të tjerë, dëshmitarë të ngjarjes, të cilët pretendojnë se kanë parë autorët në momentin që ata janë larguar.
Identikiti
Në bazë të deklarimeve që kanë dhënë në polici dëshmitarët e vrasjes së kambistit Astrit Cubaj, hetuesit kanë ndërtuar një skemë me karakteristikat e dy personave të dyshuar. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, autorët janë të moshës 16-18 vjeç, 170-175 centimetra të gjatë, me trup të dobët, me flokë të shkurtra ngjyrë gështenjë dhe të zeza. Njëri prej tyre mbante pantallona të zeza, bluzë të zezë, ndërsa tjetri, pantallona treçerekëshe, shapka dhe bluzë me ngjyrë të çelët. Krimi i rëndë i vrasjes së kambistit në derën e shtëpisë është parë nga disa banorë të zonës, për shkak se ngjarja ndodhi në hyrje të pallatit të dielën në orët e pasdrekes. Dëshmitarët kanë arritur të fiksojnë tiparet e përgjithshme të autorëve të ngjarjes. Ata gjithsesi janë zhdukur rrugicave të pallateve menjëherë sapo kanë qëlluar kambistin, të cilit i kanë marrë 8 mijë euro të xhiros së ditës që kishte me vete.   
VRASJA
Kambisti 40-vjeçar u ekzekutua të dielën në derën e pallatit ku kishte shtëpinë. Astrit Cubaj, babai i katër fëmijëve është qëlluar me 3 plumba pistolete në bark rreth orës 14:50, sapo kthehej në shtëpinë e tij tek “Komuna e Parisit” në Tiranë. Ai gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, sapo hyri në sallën e operacionit. Sipas policisë, autorët e ngjarjes, të cilët dyshohet të jenë të moshës 16-18 vjeç, e kanë ndjekur Cubajn kur ai po kthehej nga puna dhe në momentin që ka parkuar makinën përpara pallatit, e kanë pritur tek hyrja në pjesën e pasme të tij. Kur 40-vjeçari është futur në pallat, për t’u ngjitur në katin e dhjetë ku kishte shtëpinë, ai është përballur me dy adoleshentët, të cilët i kishin zënë pritë për ta grabitur. Kur po tentonin t’i merrnin çantën me para, autorët kanë hasur në rezistencën e Cubajt dhe e kanë qëlluar 3 herë në bark me pistoletë, duke e lënë të plagosur rëndë, ku më pas gjeti vdekjen në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›