Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje takime me banorë të njësisë nr. 8, 9 dhe 10 në kryeqytet, si edhe në Krujë e Lushnje
“Ne bëjmë realitet Shqipërinë në BE, punësimi, rrogat, pensionet dhe rrugët, prioritetet tona në 4 vitet e ardhshme”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë një takimi të zhvilluar në kryeqytet me qytetarë të njësive bashkiake nr. 8 dhe 10 se Partia Demokratike është forca politike që bën realitet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se “në katër vitet që vijnë, ne do t’i japim Shqipërisë fytyrën e fëmijëve tanë, imazhin më të bukur të saj”.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve se këto ditë që na ndajnë nga 28 qershori, të trokisni në zemrën e çdo miku, e çdo shoku, çdo të afërmi, të cilitdo që ata njohin. “Me dritën e fitores sonë evropiane, të pushtoni zemrën e tij apo të saj. Të bashkohemi në 28 qershor, të votojmë për të ardhmen tonë më të ndritur, të votojmë për rrogat dhe pensionet tona evropiane, të votojmë për punësimin tonë të standardeve evropiane, të votojmë për shkollat e shërbim shëndetësor të cilësisë evropiane, të votojmë së bashku për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri moderne, për një Shqipëri e cila të bashkohet përfundimisht me fatin e saj që meriton, me Evropën”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “pavarësisht nga bindjet tuaja politike, mos harroni se disa gjëra janë njëlloj të shenjta për të gjithë ne”. “E tillë është ëndrra jonë evropiane. Mendoni për një moment; Kush është ai apo ata që mund ta bëjnë atë me siguri realitet. Ne jemi ata që bëmë ëndrrën atlantiste realitet, ne do të bëjmë ëndrrën tonë evropiane realitet”, tha kryeministri, duke deklaruar se 4 vitet që vijnë, përparësi kryesore e qeverisë do të jetë punësimi i shqiptarëve.
Berisha siguroi se do të do të krijohen 160 mijë vende të reja pune ndërkohë që infrastruktura e vendit do të njohë një realitet të ri. “Ëndrra jonë do të bëhet realitet me punë për shqiptarët dhe për shtëpitë e tyre. Katër vitet që do të vijnë, ne do krijojmë në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë mbi 160 mijë vende pune të reja. Katër vitet që vijnë ne do të bëjmë që çdo fshat i Shqipërisë të ketë infrastrukturë të lagjeve të qyteteve tona”, u shpreh kryeministri Berisha.
Në Krujë
Kryeministri Sali Berisha në vijim të tureve të tij elektorale u ndal në një takim me qytetarë të Fushë-Krujës, ku deklaroi se një nga projektet e rëndësishme për këtë zonë do të jetë rruga e re Tiranë - Krujë - Qafë Shtamë. Kryeministri premtoi se mandatin e ardhshëm qeveria do të investojë me të gjitha kapacitetet e saj për një infrastrukturë moderne në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë. Me këto ritme, tha kryeministri, realizohet edhe projekti madhor për Shqipërinë evropiane.
“Katër vitet që vijnë, unë ju premtoj edhe ju garantoj juve se infrastruktura e Krujës do të jetë ultra moderne. Projekti i Krujës evropiane dhe Shqipërisë evropiane është ëndrra shqiptare që nga Skënderbeu e deri në ditët e sotme, është projekti më madhështor për ne, për fëmijët tanë dhe për brezat që vijnë. Ndaj dhe ne, këtu nga Kruja, le t’u bëjmë një thirrje vëllazërore gjithë qytetarëve të Krujës që të bashkohen me ne, pavarësisht nga bindjet politike, sepse për ne bindja evropiane, ëndrra evropiane, projekti evropian është bindje e të gjitha bindjeve, është projekti i të gjitha projekteve, është ëndrra e të gjitha ëndrrave”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se katër vitet që vijnë rrogat dhe pensionet e krutanëve dhe të gjithë shqiptarëve do të jenë më të larta së ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Për sa i takon zhvillimit të turizmit, Berisha garantoi se në katër vitet që vijnë Kruja do të ketë mbi 1 milionë turistë.
Shefi i ekzekutivit u shpreh më tej se në këto katër vite, në Krujë është investuar 12 miliardë lekë, kundrejt 137 milionë që janë investuar nga qeveritë socialiste.
...