Xhufi: Do mbrojmë Gjykatën Kushtetuese
Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, dënoi dje sulmet e mazhorancës ndaj Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pas destabilizimit të institucionit të prokurorisë, me ligjin dhe me presionet politike mbi këtë institucion, qeveria "Berisha" ka nisur kështu betejën për të kapur ose për të shpartalluar edhe repartin e fundit të sistemit të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. LSI-ja e denoncoi ashpër këtë revansh të qeverisë "Berisha" kundër institucioneve dhe kundër vetë shtetit të së drejtës, që nisi me ndryshimet kushtetuese dhe që po detajohet tani në goditjet një për një kundër organeve kushtetuese. Sakaq, LSI-ja kritikon ashpër të gjithë ata që iu bashkuan qeverisë "Berisha" në këtë vepër shkatërrimtare, që po e çon përsëri vendin drejt dilemës: demokraci, apo diktaturë. "Sot është radha e Gjykatës Kushtetuese të gjendet përballë një prove të rëndë, që për të është prova e zjarrit. Sot është dita kur kjo gjykatë ka përgjegjësinë historike për të mbrojtur, jo veten e saj, por ligjin, Kushtetutën e shtetin e së drejtës, nga sulmet e taborrit antishtet, që përfaqësohet nga qeveria ‘Berisha‘ dhe jo vetëm nga ajo", theksoi Xhufi. LSI-ja, premtoi ai, do të ndërmarrë të gjitha iniciativat politike për të bërë të dështojë edhe kjo tentativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.