E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano e Berisha nuk shiheshin si partner të besueshëm, ndaj nuk u pritën asnjëherë në Shtëpinë e Bardhë

nanoIsh-ambasadori shqiptar në Amerikë, Fatos Tarifa, në kujtimet e tij, të cilat janë sjellë për lexuesit nga gazeta Dita, është ndalur edhe në faktin përse kryeministrat Fatos Nano dhe Sali Berisha, nuk u pritën kurrë në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht përpjekjeve dhe insistimit të tyre.

Ajo vizitë nuk u realizua kurrë sa kohë që Fatos Nano ishte kryeministër. Zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 që po afronin ishin një arsye, por jo kryesorja. Arsyeja kryesore, të cilën në mënyrë konfidenciale ma thanë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar pak ditë pasi unë kisha lënë detyrën e ambasadorit në Uashington, ishte se, në Shtëpinë e Bardhë, ashtu si edhe në Departamentin e Shtetit, nuk besonin se Fatos Nano ishte një kryeministër serioz dhe i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto dy fenomene, si edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj tyre, kanë qenë dhe mbeten shqetësimet kryesore të çdo administrate amerikane në marrëdhëniet e saj me shtetin shqiptar.

Tetë vitet e qeverisjes së Sali Berishës (pas Nanos), gjithashtu, nuk ia hapën asnjëherë derën e Shtëpisë së Bardhë kryeministrit shqiptar. Diplomatët, në përgjithësi, dhe ata që e njohin mirë Uashingtonin, në mënyrë të veçantë, dinë si ta lexojnë këtë mesazh, shprehet Tarifa./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›