Napoli 'shkel' Chelsean

Napoli i Blerim Xhemailit të martën mbrëma e ka mposhtur Chelsean me rezultat bindës 3:1, në ndeshjen e parë të tyre në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.
Ezequiel Lavezzi, me dy gola të shënuar, dhe Edinson Cavani, që e realizoi një tjetër të tillë, ishin më meritorët që skuadra italiane e bëri një hap të madh drejt kualifikimit në çerekfinale të ligës më prestigjioze evropiane.
Edhe pse napolitanët e nisën më mirë takimin, Chelsea kaloi i pari në avantazh prej 0:1, me golin që e shënoi Mata në minutën e 27-të, falë një gabimi të madh që e bëri qendërmbrojtësi i vendasve, Cannavaro.
Mirëpo, njëmbëdhjetë minuta më vonë u kundërpërgjigjën italianët, të cilët i barazuan shifrat në 1:1 me një gol të bukur që e realizoi Lavezzi. Madje, në minutën e 45-të vendasit ia dolën të kalojnë për herë të parë në avantazh prej 2:1, falë golit që e realizoi me kokë Cavani, i cili mirë e shfrytëzoi një harkim të Inlerit.
Goditjen e tretë Chelsea e morri në minutën e 65-të, kur Lavezzi shënoi sërish për rezultat përfundimtar 3:1, pas një asistimi të shkëlqyeshëm që ia bëri Cavani.
Kontribut në këtë fitore të Napolit dha edhe mesfushori shqiptar, Blerim Xhemaili, i cili luajti gjatë pesëmbëdhjetë minutave të fundit të takimit. Reprezentuesi zviceran u inkuadrua në lojë në minutën e 74-të, si zëvendësues i golashënuesit të dyfishtë, Lavezzit.