E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejkersat fituan ndaj Portlendit ne kampionatin amerikan te basketbollit

Kobi Brajant nuk ishte aq fluturues të hënën në mbrëmje, por sërish kjo mjaftoi që skuadra e tij, Lejkërs, të fitonte ndaj Portlendit në Los Anxhelos, me rezultatin 102-93. Brajant shënoi 28 pikë, ndërsa lojtari i qendrës Endju Bajnum shënoi 14 dhe kapi 19 topa në tabela për fitoren e radhës.
Portlendi e nisi shumë dobët takimin duke shënuar vetëm 7 pikë në çerekun e parë 12-minutësh, rekordi më negativ i skuadrës në gjithë historinë e saj dhe rekordi më negativ i sezonit në NBA.
Një ndeshje emrash të mëdhenj u luajt në Dallas, ku skuadra vendase fitoi ndaj Boston Sëlltiks. Madje, rezultati përfundimtar ishte i thellë, 89-73 në favor të vendasve që janë edhe kampionët në fuqi.
Dirk Novicki ishte në një ditë të mirë duke shënuar 26 pikë dhe jo vetëm që ndihmoi skuadrën për të arritur fitoren e 7-të në 8 takimet e fundit, por edhe vendosi një rekord. Ai tejkaloi legjendën e Bostonit, Robert Parish, duke qenë tani shënuesi i 20-të më i mirë në historinë e NBA-it me 23 334 pikë.
Në Nju Jork, derbi mes Niksave dhe Nju Xhersit u fitua nga miqtë. Xheremi Lin u bë një figurë e njohur pikërisht ndaj Netsave duke lënë në hije Deron Uilliamsin, por këtë herë Uilliams e mori revanshin. Lojtari i Nju Xhersit shënoi 38 pikë në takimin që përfundoi 100-92. Lin ishte sërish shënuesi më i mirë i Nju Jorkut me 21 pikë, më i miri me 9 asistë dhe me 4 topa të rrëmbyer ndaj kundërshtarit. Në renditje, kryesojnë Oklahoma në Perëndim dhe Majemi në Lindje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›