Napoli transferon Behramin ?

Valon Behrami ka vendosur t’i japë fund aventurës te Fiorentina, ku ishte transferuar para një viti e gjysmë nga skuadra angleze West Ham. Sipas medieve italiane, transferimi i mesfushorit kosovar te Napoli është punë e kryer.
Madje kosovari me pasaportë zvicerane ka filluar të flasë si ish futbollist i Fiorentinës. Ish anëtari i ekipit romak Lazio së bashku me Alessandro Gamberinin priten të transferohen në Napoli për 8.5 milionë euro.
Në rrjetet sociale ai është kritikuar për pothuajse lamtumirën e sigurt nga Firenca, por Behrami është distancuar nga to duke insistuar se gjithmonë ka dhënë maksimumin për skuadrën toskane.
“Kush më ka thënë se jam mercenar, nuk e kupton se çka ka ndodhur në të vërtetë. Si do që të jetë, përkrahja që kam marrë në Firence është më e madhja që më është dhënë ndonjëherë. Më vjen keq për kritikat sepse gjithmonë kam dhënë maksimumin për Fiorentinën”, ka thënë Behrami për Firenzeviola.it.