Probleme në NBA

Sezoni 2011/2012 në NBA është në rrezik pasi pronarët e klubeve vendosën të “pezullojnë” basketbollistët pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje të re kolektive me Shoqatën e Basketbollistëve.
Pavarësisht takimit që zgjati tri orë, palët mbeten larg njëra-tjetrës në çështje të ndryshme financiare pasi basketbollistët kundërshtojnë sistemin e ri për kufizimin e pagave. Pezullimi ka hyrë në fuqi nga e premtja, kur skadoi marrëveshja e kaluar. Pezullimi i fundit më 1998/99 e reduktoi sezonin në 50 ndeshje nga zakonisht 82.
“Shpresoj të mos vijë deri aty (reduktimi i ndeshjeve)”, tha kreu i unionit Billy Hunter. “Sigurisht, tani ora ecën sa i përket asaj nëse do të ketë ose jo reduktim të ndeshjeve dhe ndoshta ne duhet të zbusim edhe qëndrimin tonë”, shtoi ai.
Kampet stërvitore të ekipeve zakonisht fillojnë në javën e fundit të shtatorit, ndërsa sezoni i rregullt nis rreth një muaj më vonë, andaj Hunter shpreson se palët do të takohen sërish në dy javët e ardhshme për të zhvilluar diskutime të tjera.
Megjithatë, aktualisht ata janë shumë larg në pothuajse secilën çështje. Basketbollistët, që më parë kishin pranuar të reduktojnë pagat e tyre për 500 milionë dollarë brenda pesë sezoneve, e vlerësuan propozimin e pronarëve për kufizimin e pagave ku secili ekip do të mund të shpenzonte deri në 62 milionë dollarë si të vështirë për ta pranuar.
Edhe pse liga ka thënë se kompensimi i përgjithshëm i basketbollistëve asnjëherë nuk do të zbresë nën 2 miliardë dollarë gjatë planit të saj të propozuar 10-vjeçar, ai nënkupton kufizimin e pagës së basketbollistëve që paguheshin më tepër se 2.1 miliardë funte në sezonin e fundit në rroga dhe beneficione.
“Përfundon marrëveshja kolektive, e cila ka krijuar një sistem që ka prodhuar humbje të mëdha financiare për ekipet tona", tha zëvendëskomisionari i NBA-së, Adam Silver.
"Ne kemi nevojë për një model të qëndrueshëm që lejon të gjithë 30 ekipet të jenë në gjendje për të konkurruar në një kampionat, në mënyrë të drejtë të kompensojnë lojtarët tanë dhe të sigurojë ekipet, në qoftë se menaxhohen mirë, të kenë mundësi të jenë fitimprurëse. Ne kemi bërë disa propozime, duke përfshirë një marrëveshje që klubet shpenzojnë në total (të gjithë klubet e NBA-së) rreth 2 miliardë dollarë në vit për pagat e lojtarëve" - një mesatare prej rreth $ 5 milionë për lojtar që mund të rriten së bashku me rritjen e të ardhurave në ligë ", shtoi.
Silver, i cili u zotua se do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje. "Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje të re që është e drejtë dhe në interes më të mirë të ekipeve tona, lojtarëve tanë dhe tifozëve tanë", përfundoi ai.
Gjatë pezullimit, basketbollistët nuk do t’i marrin rrogat e tyre, klubet nuk mund të negociojnë me sponsorë ose basketbollistë për kontratat e reja, ekipet nuk do të kenë të drejtë të organizimit të ndonjë kampi veror, ekspozitë apo seancë stërvitore.