E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimet e radhës të Edi Ramës për bujqësinë

Sa ishte duke shëtitur për ta njohur Shqipërinë dhe sa shërbeu për ta sjellë fjalën fshat e bujqësi në ekrane, të cilat kanë deri alergji për zonat rurale, Edi Rama bëri mirë. Ishte stonaturë e gjallë kur fliste për bujqësinë por prapë e kemi gëlltitur për shërbimin e mirë. Ditët e fundit me daljet e tij për fushatë nëpër fshatra na ka bërë për të vjellë, jo më për të qeshur. Ka filluar të tregohet i rrezikshëm e i frikshëm. Njerzit kanë filluar të thonë se ky është më i keq se Enveri. Pse? Doli këto ditë në Myzeqe dhe tha se do të krijojë një ministri për fshatin. Bukur. Po kjo Ministria që është aktualisht që nga koha e Ismail Beut, a nuk është për fshatin? A mos i duket se është për bashkinë e Tiranës, për brenda unazës së vogël të Tiranës? Pse ka mbjellë ndoca pemë, a mos i duket se ka bërë dhe zhvilluar bujqësi brenda unazës së Tiranës. A nuk është gallatë kjo deklaratë. Pasi ministria aktuale është marrë historikisht dhe do të merret me fshatin, me zonat rurale dhe me politikat e zhvillimit të tyre. Qeveria aktuale e ka rritë mbështetjen për këtë ministri dhe vitin tjetër fondin e ka mbi 30 përqind më të madh. Dhe ministria vetë ka rritur efektivitetin e punës, mirëmenagjimin e fondeve dhe ka treguar fytyrë tejet njerzore në raport me publikun e konsumatorin në tërësi, pasi kreu i kësaj ministrie, zoti  Gjana, siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e bujqësisë shqiptare, i ka shkuar fermerit në arë në të gjitha komunat e Shqipërisë dhe është ulur rrafsh në livadh me to për të bashkëbiseduar me fermerët, ka ngrënë e ka pirë me to, ka folur me mijëra e mijëra prej tyre duke i vlerësuar. Më thuaj kur ka ndodhur herë tjetër kjo gjë në Shqipëri.   Alarmante është deklarata tjetër e liderit të opozitës, i cili kërkon ti japim votën të na qeverisë, kur thotë se ne do të sigurojmë sovranitet ushqimor!! Ej, o njerëz! A kuptoni çdo të thotë kjo? Do të thotë të jetojmë si në rrethim. Të hamë edhe bar dhe parimet marksiste – leniniste të mos i shkelim. Do të thotë të mos importojmë asgjë. Do  të thotë të mbyllen kufinjtë. Do të thotë të jetojmë me forcat tona. Do të thotë të prodhojmë sheqer në vend, të mbjellim oriz, të prodhojmë vajin ushqimor, të mos importojmë banane, të mos pimë kafe se nuk e prodhojmë dot në vend. Edhe diktatori nuk kishte sovranitet ushqimor. Kurrë nuk  është prodhuar buka në vend dhe Rama thotë të mos hamë buke mjaftueshëm, të hamë aq sa kemi dhe jo sa kemi nevojë. Për të përmbushur tezën e tij të marrë të sovranitetit ushqimor, në këtë kohë të globalizimit, të botës së hapur, në këtë kohë kur funksionojnë marrëveshje të tregtisë së lirë ngado. Por Rama këtu na del kundër lirisë së tregjeve. Për vetushqyerje me ato produkte që kemi mundësi t’i prodhojmë më të mira cilësisht, më të shijshme e më të shëndetshme ne kemi punuar në këto katër vite dhe puna ka bërë dritë. Ne synojmë që mos importojmë fruta, perime, mish se mund të prodhojmë në vend mjaftueshëm po e mbështetëm fermerin siç e kemi mbështetur këto tre vitet e fundit. Ne do të importojmë banane e arra kokosi apo jo zoti Rama. Por ne mund të bëhemi për pak vite fuqi agresive eksporti, pasi të plotësojmë nevojat tona, me ullinj e vaj ulliri. Se Zoti na ka falë mundësi që të tjerët nuk i shohin as ëndërr. Dhe shqiptarët po e kuptojnë këtë shans a privilegj. Vetëm këtë pranverë janë mbjellë 2500 ha me ullishte të  reja nga fermerë që kanë aplikuar për suvvencion, pa llogaritur ato që kanë mbjellë nën katër dynim e nuk përfitojnë dot subvencion. Jemi të varfer thotë Edi Rama. Na e mbolli varfërinë në shpirt. Vetëm për këtë mbjellje nuk kanë nevojë shqiptarët. Po fillojnë njerzit të shohin me dyshim veten e tyre a thua vallë jemi vërtetë kaq të varfër sa thotë ky i gjati i socialistëve. Shumica e familjeve shqiptare në fshat vetmbahen me pronën e tyre sepse kanë tokë, bagëti, kanë banesë të mirë, orendi të mira shtëpiake, industri të bardhë të mirë nëpër familje, nga dy – tre – katër telefona celularë nëpër familje, shpesh veturë apo makinë tjetër, traktor a ku ta di tjetër. Mbi 3.5 milionë bagëti që ka vendi a janë prona të familjeve shqiptare apo jo o zoti Rama. E këto bagëtitë a janë pasuri apo jo. E këto i kanë vetëm 55 përqind e popullsisë që jeton në fshat e jo ato të qytetit. Por duket se duke shpifur se jemi të varfer don t’ua ulësh kokën me zor njerzve që kanë filluar ta drejtojnë kurrizin e të ndjehen pak krenarë se janë dikushi e kanë dicka mbi shpirt. Këto shpifje për varferinë, këto zmadhime makabre, këto futje të kamerave që ti urdhëron, në grykë të hales, këto breshëri shpifjesh, më ngjajnë me breshërinë e armëve të vitit 1997. Je perfekt në krijimin e kësaj ngjashmërie. Dhe ti beson se do të të funksionojë. Mbase, por ’97 ishte vepër e të tuve. Kur përmenda kamerat, mu kujtua një pyetje që desha të ta bëja : pse nuk lejon gazetarët të të ndjekin pas se ti je kreu i opozitës? Pse bën vetë gazetarin, vetë tekstin, vetë montimin e kronikës dhe ti na del si kinez në gjithë ekranet. Cfarë ke me gazetarët apo ke frikë se ta heqin kallajin. Kur lëviz nëpër rrethe ti merr me vete vazhdimisht mbi 50 njerëz. Herë me lule, herë i ndërron, herë ua ndërron vendin nëpër salla apo në turmë.   Dole dhe the broçkullën e radhës - do të krijosh Agjenci për biznesin rural apo diçka të tillë. Sa keq më erdhi. T’i kanë hequr trutë lakmuesit e posteve në MBUMK, ato që presin pas dere që t’u japësh funksione nesër pas 5 vitesh kur mund të kthehesh në pushtet. Po të njoftoj se Axhensia e Pagesave në Bujqësi është krijuar o zoti Rama. Ka filluar punë me këtë emer me 1 janar 2009. Emrin ia kemi vënë siç e kanë të gjitha simotrat e saj në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Kemi marrë modelin e vendeve të BE dhe e kemi implementuar në Shqipëri. Jemi i pari vend jashtë BE që e kemi bërë Axhensinë e Pagesave në Bujqësi si vendet e BE-së. Ministri aktual i bujqësisë Gjana është shprehur kur i kanë thënë se po e krijoni herët këtë institucion, se ne po e krijojmë si vendet e BE-së që ta kemi si autoshkollë që të jemi të gatshëm nesër të përdorim shanset që jep të qenit anëtar i BE-së. Kupton zoti Rama se çfarë ka ndodhur? Për merakun tënd që ke për farërat, fidanet e kimikatet, po të informoj se nuk ke  çfarë krijon pasi Enti Shtetëror i Farërave dhe Fidaneve është i krijuar. Nuk të ka pritur ty historia për tu bërë e as për tu shkruar. Nëse do ia ndërrosh emrin, është puna jote, por institucioni analog me ato të BE-së është në punë dhe funksionon jo keq. Apo mos e ke patur fjalën për ta krijuar një Axhensi Pagesash për Bujqësinë e për farërat e fidanet në bashkinë e Tiranës? Nëse është kështu, më ndje. I je sulur Korçës dhe po denigron bujqësinë e atij rajoni. Mbase gjen fansa atje por me sa duken bathët atje njerzit prekin me dorë ndryshime të mëdha në këto katër vite që ka qeverisë Partia Demokratike. Korça po kthehet ne identitet si një ndër pellgjet më të mëdha bujqësore të vendit dhe fermeri korçar ia ka parë hajrin politikës bujqësore të kesaj qeverie. Pyeti njëherë korçarët a janë më mirë apo më keq se sa para vitit 2005. A kanë fituar më shumë këto katër vite apo më pak. A janë përfillur ndonjëherë më shumë se sa këto katër vite nga shteti. Pyeti sa hektarë pemtore kanë shtuar këto katër vite, kur para 2005 njerzit shihnin mundësinë të iknin nga Shqipëria. Pyeti njëherë sa emigrantë janë kthyer e merren me bujqësi se ju ka dalë me fitim në këto katër vite. Qave për qepën që u kalb e u hodh në lumë. Sa qepë u hodh në lumë? Po qeni qepën ta hajë o zoti Rama. Nuk është kalbë prodhim në këto katër vite se nuk kanë shans të importojnë turshi miqtë e tu. Ka shumë prodhim. 80 përqind e ushqimeve që hamë është prodhim vendi. Mbeti qepa pa shitë se fermeri nuk e shiti sa e han tregu por deshi ta shesë si qepë më mish. Siç ka ndodhur edhe me grurin në ato anë që ka mbetur pak grurë pa shitur pasi fermerët deshën ta shesin jo sa e merr tregu por si byrek të gatuar. Por a kupton ti zoti Rama se këto janë tregues se ka prodhim në Shqipëri, ka prodhim të bollshëm, prodhim të madh. Ne kemi problem të lidhet e informohet fermeri me tregun e të mos mbetet peng i sekserëve. Dhe do t’ia dalim. Edhe pse ti paguan rëndshëm kamera që të shkojnë në demonstrimin e hedhjes së qepëve në lumë, apo të një arke domate që nuk shitet si domate me mish.   Xhevahiren e radhës e lëshove kur the se do të japësh naftë pa akcizë. Këtë nuk do ta kisha besuar pasi mendoja se je i një dore tjetër, i një brezi apo gjenerate tjetër dhe mendoja se nuk “të tërheqin për hunde” specialistët e vjedhjes kolosale të naftës pa akcizë të taksur për fermerët dikur para vitit 2006. Kujtoja se nuk je pjesë e asaj bande hajnash. Nëse ka patur maskaradë me fondet e bujqësisë, fondet për këtë naftë kanë qenë më të vjedhurat. Ajo naftë kurrë nuk ka mbërritur tek fermeri i vertetë, por dikush ka firmosur në emer te fermerit. Nuk ngjallej interesi i fermerit për 30 apo 50 litra apo 100 litra naftë që ai të bënte gjithë atë burokraci për të marrë ato tollona nafte. Në të shumtën e rasteve kur i

a ofronin ato tollona ai i këmbente me birrë në klubin e fshatit. Sepse mekanizatori që shkonte për t’ia punuar tokën, i thoshte nuk dua naftë as tollon pasi naftën e gjej vetë por ti më paguaj lekët në dorë me çmimin që vinte mekanizatori dhe shkurt hesapi mbaronte puna. Fermerit i ngelnin në dorë tollonat në rastin më të mirë. Dhe i përdorte për makinën e tij ose të komshiut, ose me furgonat e fshatit i këmbenin me birrë apo raki. Nafta pa akcizë ka qenë shëmtimi i shtetit, i cilitdo shtet të ishte, nga kushdo i drejtuar. Naftë pa akcizë kanë përfituar shumë pak pushtetarë e sekserë. Naftë pa akcizë kanë shpërndarë shumë shokë të tutë zoti Rama të cilët të sillen sot nëpër këmbë që t’i shpërblesh nesër me poste. Nuk do të ishte keq të bëje një referendum me fermeret e vertetë të vendit dhe ta shihje a ia vlen apo jo nafta pa akcizë, a ka apo jo efektivitet kjo ndihmë. Ne na ka dalë shumë më efektive mbështetja direkte që i kemi dhënë fermerit shqiptar për orientimin e specializimin e bujqësisë për rreth 30 milionë dollarë, për 19 skema mbështetje direkte, të cilat fermeri nuk i ka parë as ëndërr kur qeverisnin paraardhësit e tu dhe që do t’i shohë në ëndërr nëse do të qeverisësh ti zoti Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›