Plagosen me kaçavida dy adoleshentët
TIRANE - Dy adoleshentë, nxënës të gjimnazit "Aleks Buda", në Laprakë të Tiranës, janë plagosur me thika duke goditur njëri-tjetrin, pas një konflikti të momentit që ka lindur mes tyre. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:30, në një lokal shumë pranë gjimnazit ku ata vazhdonin vitin e dytë. Të plagosurit janë 17-vjeçarët, Ernest Hasani dhe Valter Bardhi, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak dhe njëri prej tyre, Bardhi, sipas mjekëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas policisë ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje, por dyshohet se mund të ketë qenë një debat mes "të fortëve" të gjimnazit. Sipas dëshmitarëve që janë pyetur nga policia, dy adoleshentët ndodheshin bashkë në të njëjtin lokal kur papritur filluan të shkëmbenin fjalë me njëri tjetrin, sharje dhe fyerje nga më të ndryshmet. Më pas njëri prej tyre, Ernest Hasani i kërkoi tjetrit që të dilnin të sqaroheshin jashtë. Sipas dëshmive në oborr, debati u bë më i ashpër dhe fillimisht janë përdorur grushtet e më pas të dy kanë nxjerrë thikat që mbanin me vete, duke goditur njëri-tjetrin. Sipas policisë, askush nuk ka ndërhyrë për t'i ndarë, deri në momentin që i kanë parë të gjakosur dhe kanë lajmëruar në sallën operative të Komisariatit Nr.3. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia dhe oficerë të Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Dy adoleshentët, Ernest Hasani dhe Valter Bardhi janë dërguar në Spitalin Ushtarak, ndërsa policia ka shoqëruar disa dëshmitarë që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Fillimisht është dyshuar se dy bashkëmoshatarët ishin goditur nga ndonjë person i tretë, por dëshmitë kanë treguar se ata kishin goditur me thika njëri-tjetrin. Ndërkohë tashmë pritet vetëm përmirësimi i gjendjes së tyre shëndetësore, në mënyrë që 17-vjeçarët të merren në pyetje në lidhje me motivet e ngjarjes, pasi dëshmitarët nuk kanë dhënë detaje rreth shkakut të ngjarjes. Sipas mjekëve, dy adoleshentët i janë nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dha tashmë ndodhen në reanimacion. Të dhënat nga spitali flasin se njëri prej tyre, Valter Bardhi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mund t'i nënshtrohet edhe një ndërhyrje të dytë, në rast se gjendja e tij nuk përmirësohet. Burimet spitalore thanë se Ernest Hasani tashmë është jashtë rrezikut për jetën. e.d