E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana Jazz Festival në Teatrin e Metropolit



Nga data 12 deri më 16 maj 2009 jeta artistike e kryeqytetit do të lëvizë në ritmet e muzikës jazz. Këto 10 vitet e fundit jazz-i filloi të lëvrohet në Shqipëri dhe është vënë re që interesimi i publikut për këtë rrymë është rritur gjithmonë e më shumë. Përhapja e jazz-it në vendin tonë është bërë kryesisht nëpërmjet klubeve që performojnë jazz si dhe radiove. Një nga rrugët që e ka përhapur dhe bërë më të njohur këtë rrymë për publikun shqiptar janë edhe festivalet e jazz-it, të cilat kanë hyrë tashmë në kalendarin e përvitshëm artistik. Ky rrugëtim startoi para 9 vitesh, duke u zhvilluar në Odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Festivalet janë organizuar kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër e Durrës. Muzikantët, solistët e instrumentistët pjesëmarrës në kompeticionet e deritanishme kanë qenë vendas e të huaj (Greqi, Zvicër, Serbi, Itali, ShBA etj. Sivjet, Tirana Jazz Festival vjen nën organizimin e Rei Jazz Club, Integrimit Urban dhe Teatrit të Metropolit. Ky edicion zhvillohet me të njëjtën filozofi si më parë; promovimin e jazzit individual, tradicional, kreativ, modern e bashkëkohor. Rrymat që kryesisht luhen në Jazz Festival kanë një gamë shtrirjeje që nga standard jazz, deri tek funky apo etno. Tirana Jazz Festival 2009, siç bëhet e ditur nga organizatorët, do të zhvillohet në ambjentet e Teatrit të Metropolit, në skenën e të cilit do të performojnë grupe të njohura jazz dhe të ftuar specialë. Një nga veçoritë e festivalit, që do të zhvillohet për pesë netë me radhë në kryeqytet është pjesëmarrja e liderit 90-vjeçar në saksofon, udhëheqës i grupeve të jazz-it që vazhdon të emocionojë publikun siç konsiderohet Hal Singer. Po kështu, Tirana Jazz Fest ’09, do të sjellë në Tiranë emra të tjerë të njohur siç janë të ftuarit specialë Massimo Farao, Jerry Weldon, Byron Landham, Crystal Ëhite, Sandro Gibellini, Aldo Zunino e Lara Luppi. Natën e parë, do të ngjiten në skenë vokalistja Crystal White, pianisti Andre Rea, në kitarë-bas Caramelo Lelotta, bateristi Elio Coppola dhe Jerry Weldon, ndërsa natën e dytë, përveç Hal Singerit, do të përformojnë Jerry Weldon, pianisti Massimo Farrao, në kitarë-bas Aldo Zunino dhe bateristi Byron Landham. Ndërkaq, më 14 maj në skenë vjen vokalistja Laura Luppi dhe Gian De Martini, i cili është bërë i njohur për publikun shqiptar si fitues i njërit prej edicioneve të “Amici”. Do të performojnë edhe pianisti Massimo Farao, ndërsa në kitarë-bas Caramel Lelotta dhe në bateri Elio Coppola. Dy netët e fundit do të mbyllen me interpretimet e kitaristit Sandro Gibellini, lider saksofoni Jerry Weldon, piano Andrea Rea dhe Massimo Farao, kitarë-bas Aldo Zunino dhe Caramel Lelota, si dhe bateristët Elio Coppola dge Byron Landham. Përveç koncertit, nuk do të mungojnë masterklaset rreth jazz-it dhe teknikave të veçanta të kësaj rryme.

STINA KONCERTORE “KLASIK”
“Hradistan”, folklori çek në Akademinë e Arteve
Koncerti i radhës i stinës “Klasik” në Akademinë e Arteve në kryeqytet do të sjellë para publikut të Tiranës grupin muzikor etnik çek “Hradistan”, një ndër formacionet më të vjetra të krahinës së Moravias, krijuar qysh më 1950-n. Ajo që e karakterzion këtë grup është mënyra kreative e trajtimit të muzikës folklorike, duke përpunuar një sërë këngësh dhe vallesh popullore në një formë më të zhvilluar artistike. Stina koncertore “Klasik” ka sjellë që nga janari i këtij viti grupe të ndryshme muzikore nga Italia, Franca, Zvicra, Austria Gjermania dhe pjesa tjetër e Europës. Koncertet që kanë nisur që në janar 2009, do të mbyllen në fund të këtij muaji.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›