E Diel, 1 Nëntor 2026

Narkotrafiku, urdhërarresti top-modeles kolumbiane, Angie Sanclemente

Autori i Lajmit: A.D

Nju-Jork — Kishte zgjedhur vendin fqinj, Italinë, si një nga destinacionet e një rrjeti narkotrafikantësh të drejtuar nga një ish-modele kolumbiane, Angie Sanclemente Valencia, që sipas autoriteteve policore, kishte luajtur prej vitesh një rol kyç në transportimin e lëndëve narkotike (kokainë e pastër nga Buenos- Airesi dhe Kankuni në Meksikë) drejt Evropës. “Kemi zbuluar një valixhe plot me drogë që pritej të mbërrinte në aeroportin e Fiumiçinos”, - deklaruan për shtypin argjentinas hetuesit, ndërsa kanë lëshuar fletarrestin në drejtim të Valencias. Ata janë në kërkim dhe të një burri 31-vjeçar që vepron në Amerikën Latine për të cilin Interpoli ka lëshuar një mandat arresti pas zhdukjes së tij misterioze nga Buenos-Airesi disa javë më parë. E bija e një nëne beqare shumë të varfër, e cila përdori të gjitha kursimet e saj për ta çuar Valencian në një nga shkollat më prestigjioze të modelerisë, «La Pasarella» e Barranquillas, përpara se të përfundonte në listën e personave më të kërkuar,
Sanclemente ishte një nga modelet më të kërkuara në agjencitë e ndryshme të modës. Ajo është fituese e një numri të madh konkursesh bukurie dhe ka zënë shpesh kopertinat e revistave dhe gazetave të ndryshme. Hetuesit ranë për herë të parë në gjurmët e bukuroshes pas ndalimit të saj në aeroportin e kryeqytetit argjentinas së bashku me gjashtë shpërndarës të tjerë, katër burra dhe dy gra, të cilët e veçuan Angie Sanclemente Valencian si kapobandën e grupit. Në valixhen e njërës prej tyre, Marias, doganierët gjetën 55 kilogramë kokainë me një vlerë që i kalonte tre milionë e gjysmë dollarë, nëse do të shitej në rrugët e Evropës apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Agjentët nuk u kanë besuar syve se si një 21-vjeçare e quajtur Maria, shumë e bukur, të tërhiqte vëmendjen e tyre. Angie ka qenë prej disa vitesh një nga top-moedelet më të famshme të Kolumbisë. Sipas akuzave të autoriteteve, organizata përdorte vetëm “mulas”, kështu i quajnë kolumbianët korrieret femra të drogës. Ngarkesat për në Evropë dhe Itali priteshin të transportoheshin nga këto vajza të reja, të gjitha shumë të bukura ish-modele apo me përvoja të ndryshme në botën e pasarelës. Pavarësisht urdhrit ndërkombëtar të ndalimit, Sanclemente vazhdonte të përditësonte profilin e saj në Facebook, madje kishte postuar dhe një status ku thoshte se “ajo ndihej shumë e fyer dhe e vrarë për mënyrën se si media mund të të shkatërrojë një person të pafajshëm”. “Nuk dua të shkoj në burg, sepse nuk e meritoj”,- thuhet në mesazhin e saj dërguar rrjetit të lajmeve. “Duke parë bukurinë e saj, kam frikë se do ta përdhunojnë”, - thotë avokati i saj mbrojtës, Guillermo Tiscornia, duke mohuar lajmet e fundit që qarkullojnë në shtyp se klientja e tij është martuar me bosin e trafikantëve meksikanë të drogës, Carlos Cabañas Catzin, i njohur me nofkën «monstra». Një fakt të tillë e kishin zbuluar vetë kumbarët gjatë një konkursi “Miss Kafeja” të fituar nga Angie. “Trafikantët e drogës i frekuentojnë shpesh konkurset e bukurisë për të rekrutuar vajzat që janë të përshtatshme për punën e tyre”, - thotë për rrjetin e lajmeve një person anonim që merret me një punë të tillë. “Bosët e drogës financojnë shpesh kandidatet e tyre të preferuara madje dhe u paguajnë operacionet plastike dhe korruptojnë anëtarët e jurisë për të fituar e dashura e tyre. Nëse Angie Sanclemente Valencia vendos të bashkëpunojë me drejtësinë, ajo mund të përfundojë njëlloj si Julio Correa, një shpërndarës i penduar, ish- i fejuari i ish-top medeles kolumbiane Natalia Paris, i cili u eliminua nga ish-ortaku i tij. Për ta fshehur krimin, ai e preu në copa trupin e Julios dhe e hodhi në një makinë grirëse mishi.

Ky lajm është publikuar: 30/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›