E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naser Shatrolli

Filmi për temë kishte rrugët, emërtimet e rrugëve të kryeqytetit, pra ideja është se, sa janë qytetarët dhe qytetaria e qytetit tonë, të përgjegjshëm apo të ndërgjegjshëm karshi vetes së tyre, komunës së tyre, shtetit të tyre dhe anasjelltas. Në të njëjtën kohë, filmi prek drejtpërdrejt identitetin e një qytetarie të tërë.

Kjo si koncept identifikohet nëpërmes postierit dhe vet autorit, të cilët orientohen njëri me vetëdije (autori) tjetri pa vetëdije (postieri), për ta dërguar një letër nga gjykata, por e keqja është se, ata nuk e dinë adresën e saktë dhe orientohen në bazë të lagjes ose në bazë të ndonjë këngëtari, apo politikani të njohur, i cili banon në atë lagje të caktuar. Pra, ideja është se, si do të orientohet qytetari i Prishtinës drejt botës, kur ai nuk ka një adresë të qëndrueshme dhe të besueshme në vendin e tij.

Pra, Albani dhe Ylli, kanë prekur arterien kryesore të shoqërisë vendore. Gjithçka niset nga adresa, rruga dhe numri i banesës. Por, çka fshihet pas asaj adrese apo atij emërtimi? Në kuptimin ideo-filozofik, është identiteti Kosovar. Këtë e vërteton vet drejtori i qendrës së urbanistikës, i cili thotë se, nuk kam akoma adresë dhe numër të saktë në shtëpinë time. (Ai tregon se vjen nga lagjja e Matiçanit, dhe afër banesës së tij, është një çezme, një qytetar tjetër, tregon se, banon afër një marketi, tjetri tek hoteli i vetmuar tjetri tek Lepa Brena, tjetri tek Hasan Lludi, tjetri tek, caffe Santeja e kështu me radhë!?)

Në këtë kontekst, vet shteti del të mos ketë adresë. Pra, gjërat më elementare, kur nuk ekzistojnë përbrenda një kryeqyteti të një shteti, si mendojmë ne që të kërkojmë liberalizim vizash karshi botës. Pra, nëse nuk nisemi nga dera jonë, nga rrugët e groposura, nga shtatoret e shumta, që kanë kontribuuar për ato rrugë, ku brenda 20-viteve, janë emërtuar e ndërruar në emra të ndryshëm varësisht prej pushteteve, dhe si përfundim; mesazhi i një zjarrfikësi në lidhje me rastet e shtëpive të kallura, ishte mbase alarmant!

Ai shton se ne orientohemi në bazë të ndonjë banori që ka emër, p.sh. nëse qëllon në atë lagje, Thaqi, Adelina apo Sabriu ose Haradinaj, zjarrfikësit kanë mundësi intervenimi më shpejt, përndryshe, ne orientohemi vetëm në bazë të tymit apo flakës! A nuk është absurd kjo! verbëri totale!! Pra, naiviteti institucional, organizimi i çorganizuar komunal&shtetëror, mbijetesa e pensionerit, e postierit, e zjarrfikësit, të gjitha këto, identifikohen në konceptin e këtij dokumentari. Në këtë sens, urojmë që, ky film dokumentar, do të ndikoj në intuitën verbale të qytetarit karshi shtetit dhe verbërisë institucionale! Vlen të theksohet dhe të lavdërohet Albani për idenë, njëherësh, Ylli për qasjen e tij profesionale në të realizuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›