E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë artistë takohen në Vlorë

Ekspozita Alban Muja, Adrian Paci, Anri Sala, Artan Shabani, Driant Zeneli dhe Fani Zguro ekspozojnë në "The Promenade Gallery"

Gjashtë artistë të njohur të artit bashkëkohor bëhen bashkë në një ekspozitë që do të çelet më 11 korrik në "The Promenade Gallery" në Vlorë. Ekspozita video–fotografike “Who Is Afraid Of Red, Yellow and Green" (Kush ka frikë nga e kuqja, e verdha dhe e gjelbra), e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 14 shtator, realizohet me pjesëmarrjen e artistëve Alban Muja, Adrian Paci, Anri Sala, Artan Shabani, Driant Zeneli dhe Fani Zguro. Të gjashtë artistët janë të njohur për pjesëmarrjet e tyre në aktivitete ndërkombëtare. Ekspozita e merr titullin prej njërës nga punët e prezantuara në të, videos së Anri Salës, "Who Is Afraid of Red, Yellow and Green", e realizuar në 2008. Në këtë video, artisti shqiptar trajton nëpërmjet planesh fikse një situatë jo të zakontë, ku merimangat endin folenë e tyre pikërisht mbi dritat e një semafori, pa iu frikësuar aspak tensionit që ato krijojnë. Alban Muja prezantohet me foton “Catch Me”, të cilën e ka realizuar gjatë rezidencës së tij në Santa Fe Institution më 2007, e cila fikson vetë artistin teksa vrapon në shkretëtirë, duke sfiduar gjithçka me entuziazëm. Adrian Paci me videon e tij "Nobody Is Romantic Anymore" vazhdon kërkimin e nisur qysh herët, në lidhje me figurën dhe pozicionimin e artistit. Artan Shabani prezantohet me dy foto të titulluara “The Singing Lions”, ku trajton fenomenin e arkitekturës sot dhe mënyrën se si vendosemi në marrëdhënie me të. Driant Zeneli prezantohet me videon “The dream of icarus was to make a cloud”, duke u transportuar nga një atlet profesionist, artisti kryen një fluturim në ajër dhe prej saj hedh një pluhur të bardhë në ajër. Fani Zguro prezantohet me foton “To Divide It”, e cila tregon histori të kaluara.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›