Nasip Naço: “Koalicioni, pas analizës së qeverisjes 4-vjeçare”
Flet Nasip Naço, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk përjashton mundësinë që të kryesojë polin e tretë në zgjedhjet e 2013-ës. Deputeti i kësaj force, Nasip Naço, shprehet se një praktikë e tillë është ndjekur në 2009, ndaj LSI po analizon se me kë parti do të futet në zgjedhje. “Sigurisht që ne do ti shikojmë të gjitha opsionet. Sigurisht është shumë shpejt për të bërë koalicione, por sigurisht që, ne do të bëjmë një analizë të këtij koalicioni 4-vjeçar dhe do të vendosim nëse do të vazhdojmë të jemi në koalicion me Partinë Demokratike, do vendosim nëse do të dalim të vetëm apo me një forcë tjetër politike”, deklaroi Naço. Deputeti i LSI-së komenton dhe votat pro të partisë së tij për komisionin hetimor ndaj ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Sipas tij, forca ku aderon do të mbështesë një kërkesë të dytë për hetim të ministrisë së Mbrojtjes nga Kuvendi, nëse PS e depoziton atë konform ligjeve. “Unë personalisht do të jem gjithmonë i hapur për të votuar pro edhe kërkesat që vijnë nga opozita për të votuar jo vetëm ndaj ministrisë së Mbrojtjes, por në raste të veçanta edhe ndaj ministrive të tjera, nëse kërkesa e opozitës do të jetë konform me rregulloren dhe me ligjin për komisionet hetimore”, deklaroi Naço. Kërkesa për komisionin hetimor ndaj ministrit të Mbrojtjes u rrëzua me votat e maxhorancës në Kuvend, pasi sipas saj, shkelte Kushtetutën kur kërkonte të hetonte gjithë aktivitetin e ministrisë.
...