Nasip Naço: “Zgjedhjet i fituam ne, të tjerët, vagonë në vendnumëro”
PS-LSI, nisin polemikat e para pas 23 qershorit
Pas debateve gjatë fushatës elektorale për postin e Kryeministrit, PS-LSI janë përfshirë sërish në polemika, lidhur me meritat e fituesit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Eksponentë të LSI shprehen se fituesit e vërtetë janë ata, ndërsa PS ka mbetur në vend numëro, në shifrat e 2009-ës. Ish nënkryetari i Kuvendit dhe deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Nasip Naço, deklaroi dje se “jemi forcë kryesore në Shqipëri”, duke shtuar se Partia Socialiste sipas tij, ka mbetur në vendnumëro në këtë proces zgjedhor. “LSI është lokomotiva, sot që flasim, LSI është forcë kryesore në Shqipëri, kjo është e qartë. Ne jemi rritur, ne jemi lokomotiva dhe vagonët kanë mbetur në vend”, - deklaroi z.Naço pak minuta më parë. Naço theksoi faktin se Partia Socialiste nuk ka rritje krahasuar me vitin 2009 duke evidentuar faktin se ka të paktën një katërfishim të numrit të deputetëve që fiton LSI. Kurse shtoi se, deklarata e tij i referohen vendit ku ndodhet, në Berat. Nuk është hera e parë që këto dy forca politike përfshihen në polemika me njëra-tjetrën lidhur me çështje specifike të cilat i ndajnë thellësisht në parime dhe vlera. “Merita e fituesit” të zgjedhjeve të 23 qershorit është vetëm maja e ngërçit të saponisur brenda koalicionit të majtë, që më pas do të vijojë me përplasjet e ashpra se kush do të ulet në karrigen e Kryeministrit, apo se si do parcelizohen postet ministrore. Ditë të gjata dhe temperatura të larta, për të zbardhur skenarët e mundshëm të funksionimit të aleancës qeverisëse PS-LSI. Në horizont kushtet s’duken shumë optimale dhe ky ‘bashkëpunim’ i panisur mund të mbetet i tillë!
...