Nasri hedh në tapet Junajtid
Arsenali i ka dhënë fund një serie tepër negative në Premier Ligë, falë një dygolëshi të talentit francez Saimir Nasri ndaj rivalëve historikë të Mançester Junajtid. Pas barazimit 4-4 ndaj Totenhemit dhe humbjes 2-1 ndaj Stoke Sitit, por edhe barazimit 0-0 ndaj Fenerbaçes në Ligën e Kampionëve, Arsenali është kthyer fuqishëm në rrugën drejt titullit, duke u dhënë një shuplakë “Djajve të kuq”.
Saimir Nasri ka hapur ndeshjen me një gol të shkëlqyer në minutën e 22’, por që ka pasur nevojë edhe për një devijim të Geri Nevill. Gjatë 45 minutave të para “topçinjtë” kanë pasur edhe disa raste të tjera, por pa arritur të konkretizojnë asgjë. Me fillimin e pjesës së dytë ka qenë sërish Saimir Nasri, ai që ka dyfishuar rezultatin, falë edhe një asisti të spanjollit Sesk Fabregas. Ish-lojtari i Marsejës ka qenë në një formë të mirë shumë të mirë, duke arritur të shënojë edhe golin e tij të dytë personal. Mançesteri i ka provuar të gjitha mundësitë, por edhe ylli portugez, Kristiano Ronaldo, nuk ka qenë në një ditë të mirë. Goli i nderit që dhe ka rihapur takimin për disa minuta, ka ardhur nga Rafael në minutën e 90’, i cili është futur në fushën e lojës si zëvendësues. Pas golit të 2-1, loja është nxehur shumë dhe gjyqtari i takimit ka akorduar 6 minuta shtesë, për shkak të vonesës së lojës gjatë dëmtimit të portierit Manuel Almunia. Por në ato 6 minuta gjithçka ka mbetur e pandryshuar, edhe pse Arsenali ka pasur disa mundësi të mira shënimi për ta thelluar rezultatin në 3-1.