Shembet pallati

Tre persona të humbur ndodhen nën rrënoja Zona e njohur për rrezikshmërinë e ndërtimeve
GJIROKASTËR - “Çastet e tmerrit që përjetova kur u shemb pallati dhe u ngrit një re e madhe tymi, nuk kam për t’i harruar as në varr”. M. Lekaj, një prej banorëve pranë pallatit pesëkatësh që u shemb në lagjen “11 Janari” në qytetin e Gjirokastrës, mezi arrin të shprehet, duke u dridhur dhe me frymëmarrje të rënduar. Ngjarja e rëndë mendohet se është shkaktuar nga punimet që po kryheshin në këmbët e kodrës ku ndodhej pallatit që u shemb, si pasojë rrëshqitjes së dheut, ndërsa nënë e bijë, përkatësisht 36 dhe 8 vjeçe, si dhe një 73-vjeçare ndodheshin deri mbrëmë vonë nën rrënoja.
Ngjarja
Rreth orës 11:30 të paradites, pallati i banimit i ndërtuar para viteve ‘90, në të cilin jetonin 18 familje, u shemb në të dyja anët e tij në lartësinë e pesë kateve. Katër persona u nxorën shpejt nga rrënojat, ndërsa fatkeqësisht ndodhen ende nën godinën e shembur tre persona, nënë e bijë, Valbona Dalani, 36 vjeçe, Anxhela Dalani, 8 vjeçe dhe Parashqevi Zoku, 73 vjeçe. Sokrat Papadhopulli, një prej banorëve të pallatit, thotë se në ato momente ndodhej brenda apartamentit të tij, ndërkohë që ndjeu një shpërthim të furishëm. “Dëgjova që copa tullash dhe llaçi po fluturonin nga të gjitha anët dhe renda të dilja përjashta. Për fat arrita të zbrisja nga shkallët, ndërkohë që në të gjithë krahët u përhap një tymnajë e madhe pluhuri”, shprehet ai, ndërsa sipas të tjerë banorëve që jetojnë aty pranë, “lëkundja ishte e ngjashme me një tronditje të fuqishme tërmeti”. Të terrorizuar ata kanë dalë menjëherë jashtë, ndërsa gjithandej ishte përhapur një re e madhe tymi. “Gjithçka ishte mbuluar nga tymi. Unë banoj ngjitur me pallatin këtu dhe ato çaste nuk kam për t’i harruar kurrë. Ajri i rëndë kundërmonte erë suvaje dhe pluhuri”, vijon M. Lekaj. Në këtë situatë banorët kanë vrapuar për t’u ardhur në ndihmë fqinjëve të tyre, megjithëse të stepur nga frika dhe paniku se pjesa e ngelur e pallatit mund t’i zinte nën vete. Sipas qytetarëve, edhe ditë më parë, gjatë kohës së punimeve për ndërtesën e re poshtë kodrës, ishin vënë re lëkundje. Ndërkaq, edhe në pjesën e pashembur të pallatit vihen re krisje.
Kërkim-shpëtimi
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë, zjarrfikës, mjekë dhe infermierë të spitalit të Gjirokastrës. “Ne tentuam të bënim gjithçka në ato momente për të shpëtuar njerëzit”, thotë prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, njëkohësisht edhe përfaqësues i shtabit të emergjencës. Skuadrat zjarrfikëse dhe efektivët e policisë kanë nisur punën për të nxjerrë nga rrënojat të mbijetuarit. “Gjithçka ishte e vështirë, pasi jeta e efektivëve tanë rrezikohej nga çasti në çast, për shkak të mundësisë së shembjes së pjesës së ngelur të pallatit”, thotë Bekim Abedini, një prej zjarrfikësve pjesëmarrës në operacionin e shpëtimit.
Banorët të indinjuar
Personat që mbetën pa shtëpi për shkak të shembjes së beftë të banesave të tyre, u shprehën të pakënaqur për ndihmën e dhënë nga autoritetet lokale, edhe pse prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe shefi i emergjencave civile, Alfred Olli, janë shprehur se në ndihmë të të dëmtuarve janë bërë gati hotele dhe vende të posaçme për akomodim. “Duhet të ishin marrë masat që kjo që ndodhi të mos ndodhte. Në kohën që punohej për pallatin e ri poshtë themeleve të godinës sonë, ndiheshin dridhje dhe lëkundje të mëdha”, thanë ata. Aktualisht, në këtë territor të njohur për rrezikshmërinë e lartë të ndërtimit, gjenden rreth 10 godina të ndërtuara rishtazi. Ndërkaq, burime informacioni nga Bashkia e Gjirokastrës thanë dje pas tragjedisë, se për miratimin e projektit dhe lejes së ndërtimit të kësaj godine ka pasur polemika të mëdha në KRRT.
Qeni grek nuhat nën rrënoja persona të mbijetuar
Kryefamiljari: “Më ndihmoni të nxjerr gruan dhe vajzën, gjallë a vdekur”
Deri dje vonë nga rrënojat u nxorën 15 banorë, mes tyre një grua, një fëmijë 5-vjeçar dhe babë e bir. Të plagosurit janë dërguar urgjentisht në spitalin e Gjirokastrës, ku po u jepet edhe ndihma e shpejtë. Gjatë operacionit të evakuim-shpëtimit është konstatuar se nën rrënoja ndodhen dy pjesëtarë të familjes Dalani, nënë e bijë: Valbona Dalani, 36 vjeçe dhe Anxhela Dalani, 8 vjeçe. “Më ndihmoni të nxjerr gruan dhe vajzën, gjallë a vdekur”, tha kryefamiljari Dalani. Zjarrfikësit me presa dhe shkallë në duar, të mbështetur edhe nga uniformat e policisë kanë nisur të rrëmojnë mes gërmadhës, për të gjetur një rrugë kalimi, në mënyrë që t’u vinin në ndihmë të mbijetuarve që mund të kërkonin ndihmë nga apartamentet gjysmë të shembur të pallatit. Shumë prej tyre që thanë më pas se pallati nuk kishte asnjë të çarë më parë, kishin dëmtime dhe gjithashtu ishin të traumatizuar. Falë ndërhyrjes së tyre është bërë e mundur nxjerrja nga dhomat gjysmë të shembura e katër personave të mbijetuar. “Menjëherë ne kemi dhënë ndihmën e parë mjekësore për të lënduarit”, thotë mjeku Xhelo Brahimi. Operacioni mjekësor për dhënien e ndihmës së parë mjekësore të të lënduarve është shoqëruar edhe me vazhdimin e operacionit të evakuimit dhe shpëtimit të njerëzve që mund të vazhdonin të ishin nën rrënoja. “Në spitalin tonë morën ndihmën e parë mjekësore gjatë orëve të mesditës katër persona, tre prej të cilëve pas mjekimeve të para u shoqëruan për në shtëpi, ndërkohë që aktualisht në spital vazhdon të qëndrojë një grua, e cila nuk është në rrezik për jetën”, deklaroi Niko Zhulla, drejtor i spitalit të Gjirokastrës. Rreth orës 13:00, shtabi i emergjencave ka bërë të ditur se në pallat jetonin 13 familje. Për të pasur një ndihmë të specializuar në lidhje me operacionin e kërkim-shpëtimit, rreth orës 15:30 në vendngjarje kanë mbërritur edhe shtatë efektivë të zjarrfikëseve të Janinës, të mbështetur edhe nga një qen, i cili deri vonë nuhati frymë njeriu nën rrënoja, që do të thotë se personat ishin ende gjallë. Banorë të pallatit dhe familjarë i kanë kërkuar kryeministrit Sali Berisha që shkojë me shpejtësi në vendngjarje, që të vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e pallatit, për të gjetur personat e tjerë që mund të jenë nën pirgjet e betonit dhe tullave. Kryeministri ka shprehur angazhimin maksimal për operacionin e kërkim-shpëtimit, me qëllim nxjerrjen nga rrënojat të personave të tjerë.
Shoqërohen në polici 12 persona
Ndërkohë, sipas burimeve nga organet e hetimit në Gjirokastër, shkak për shembjen e pallatit në të cilin jetonin 13 familje ka qenë një ndërtim që po kryhej në këmbët e kodrës ku ndodhej pallati, anës rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, përballë nënstacionit elektrik të qytetit. Ndërtimi, projekti i të cilit ishte pesëkatësh, kishte marrë lejen e ndërtimit nga KRRT-ja e Bashkisë së Gjirokastrës. Punimet të cilat kishin nisur prej gati tre muajsh kryheshin nga firma “Arti sh.p.k”. Në kudër të këtyre hetimeve janë shoqëruar për në mjediset e Komisariatit të Gjirokastrës për t’u marrë në pyetje 12 persona, kryesisht përfaqësues të firmës ndërtuese, inxhinierë, teknikë të saj etj., por deri në orën 19:00 policia lokale nuk raportonte persona të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. “Njëri prej drejtuesve të punimeve të kësaj firme është ndaluar në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria”, tha dje zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka nisur një çështje penale në lidhje me këtë ngjarje. Në këtu kuadër po shqyrtohen të gjitha të dhënat, duke përfshirë dokumentacionin përkatës për këtë ndërtim dhe vazhdojnë të merren në pyetje përfaqësues të firmës, dëshmitarë okularë etj.
TIA: Shqipëria, kaos ndërtimesh pa kriter
“Transparency International Albania” ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur në Gjirokastër. Sipas tyre, në Shqipëri ekziston një kaos ndërtimesh pa kriter dhe pasojat kanë filluar të ndihen tani. “Kaosi i ndërtimeve ka ardhur pas korrupsionit që ka mbërthyer pushtetarët”, - thotë në deklaratën e saj TIA.