Autorët e grabitjes të lirë, taksistët sërish në protestë
Pa kaluar as 48 orë nga grabitja me dhunë e taksistit Agron Perlati, Policia e Korçës pohon se ka identifikuar dy të rinj si autorë kryesorë të masakrimit të 60-vjeçarit, por ende nuk janë ndaluar. Ndërkohë, kolegët e taksistit kanë vijuar protestat edhe ditën e djeshme. Burime nga policia lokale pohojnë se janë shoqëruar disa të rinj nisur nga deklaratat e dëshmitarëve që kanë parë klientët e fundit të taksistit 60-vjeçar. Sipas të dhënave që disponon policia, bëhet fjalë për dy të rinj të moshave 18-19 vjeç, të cilët fillimisht kanë qëndruar disa metra larg stacionit të taksive dhe më pas kanë piketuar mjetin që ndryshonte nga taksitë e tjera, duke i kërkuar dhe porositur shërbimin. Uniformat blu pohojnë se kanë në dorë identikitin dhe emrat e agresorëve të 60-vjeçarit dhe pritet identifikimi fizik nga ana e personave të tjerë që kanë qenë në pikën e taksive në momentin kur është pajtuar taksisti, për të bërë më pas edhe ndalimin e tyre. Policia ka pohuar se dy autorët janë të vegjël në trup dhe një prej tyre mbante syze. Agresorët kanë tërhequr 60-vjeçarin deri në një zonë të errët një nga rrugicat e lagjes 4. Agron Perlati, i vetmi që mund të identifikojë direkt autorët, sipas të dhënave të policisë ndodhet ende në gjendje kritike, për shkak të plagëve në pjesën e pasme të kokës të shkaktuara me gurë. Ai ndodhet në koma në kryeqytet nën trajtim mjekësor. Nga hetimet paraprake është mësuar se motivi kryesor i ngjarjes nuk ka qenë thjesht grabitja fizike e taksistit për t‘i marrë paratë e xhiros ditore, por mendohet se të rinjtë synonin të vidhnin mjetin tip "Benz" me ngjyrë blu të errët, që ndryshonte nga taksitë e tjera. Pasi kanë tentuar të vrasin 60-vjeçarin, autorët i kanë grabitur makinën, me të cilën kanë udhëtuar deri në afërsi të daljes nga qyteti në zonën e unazës pranë lagjes 8, vend ku u gjet mjeti nga ana e policisë. Për të devijuar policinë nga kërkimi, autorët e kanë lënë mjetin shumë larg nga vendi ku kanë kryer tentativën e vrasjes, ndërkohë që para largimit kanë mundur të vjedhin vetëm kasetofonin. Policia deklaron se është shumë afër kapjes së dy autorëve dhe arrestimit të tyre.
J.Dhimitri
J.Dhimitri