Nata e gjatë e një diktature
Në një pamje të parë të duket sikur kalimi i regjisorit të mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, nga skenari në dramë (Anagnosti i ka shkruar pothuajse vetë të gjithë skenarët e filmave që ka xhiruar si regjisor), ngjan të ketë qenë një shëtitje e këndshme dhe aspak e sforcuar, siç janë gjasat që t’i ndodhë gjithkujt që kuturis e hyn për herë të parë në botën e madhe të teatrit. Tekefundit, mund të thotë ndokush, teknologjia e punës është e njëjtë: personazhe që dialogojnë ose monologojnë, dekore të ndërtuara në interierë ose eksterierë, si dhe thurja e një intrige me një, dy a më shumë karaktere deri në aktin e zgjidhjes së saj, që mbart me vete edhe fundin e dramës. Dhe ashtu si në një mjedis kinemaje, në sallë ndizen dritat dhe spektatorët e pranishëm ngrihen nga ndenjëset dhe largohen zhurmshëm. Ndërkohë që, lypset thënë se përtej aparencës, midis një skenari dhe një drame të shkruar e të vënë në skenë ka një ndryshim të qenësishëm, ndryshim që i bën të shquhen si dy gjini të ndryshme të artit. Ndërkohë, lidhur me konstatimin e pakmësipërm, rreth kalimit të natyrshëm të kryer nga Anagnosti nga një gjini në tjetrën, pra, nga skenari në dramë, mund të themi që po, ashtu është, dhe i shkon për shtat së vërtetës, por duhet të përsaktësojmë se kjo gjë ndodh jo dhe aq për shkak të binjakërisë artistike midis dy gjinive, por falë zotërimit prej ustai të teknikës së të shkruarit të një drame.
Kur e lëçit dramën, vë re se përgjatë shtjellimit të saj mbizotëron një klimë terrori, terror i të gjithëve kundër të gjithëve, pa përjashtim, miq e armiq, të njohur e të panjohur mes tyre. Kështu Vladimiri, një kapter i thjeshtë, terrorizon verbalisht e fizikisht Kristinën, një grua të sapoliruar nga burgu, që po kthehet në shtëpinë e prindërve të internuar në një qytezë të humbur, pa ndonjë shkak e pa ndonjë faj, kinse është duke kryer detyrën e vet si ruajtës i rendit dhe i qetësisë publike (ç’eufemizëm i mrekullueshëm!), ndërkohë që në realitet ky njeri bën pikërisht të kundërtën, si një inkuizitor i vogël që dëshiron të duket sa më i zellshëm në sytë e diktaturës. Pensionistët A dhe B përgjatë sorollatjeve të tyre të përnatshme për të vigjëluar kundër armikut e klasës, por edhe për të zënë radhën e qumështit (si të thuash, një rrugë e dy punë), i kallin datën Vladimirit, duke e qortuar se nuk është duke e kryer si duhet detyrën e të qenit maja e shpatës së diktaturës së proletariatit; ata, po ashtu si vetë Vladimiri kur keqtrajton Kristinën, e bëjnë këtë gjë dhe nuk e fshehin aspak që përjetojnë një kënaqësi perverse prej sadisti. Dhe kjo frymë gjithëzotëruese, e neveritshme, që kutërbon si një erë e keqe, vjen e të injektohet si pa u ndjerë edhe ty si lexues (a spektator qofsh), duke të thithur e mbajtur peng për një farë kohe në gjeratoren e së keqes, si dhe duke të nxitur të ndjesh nga afër e të përjetosh tragjedinë e njerëzve të thjeshtë, viktima jo dhe aq individësh të përveçëm si puna e Vladimirit apo e dy pensionistëve, sesa të një regjimi policor që orvatet të kontrollojë e sundojë gjithçka, trup-e-shpirt të çdo qenieje njerëzore. Më duket se ndër gjetjet më të goditura të autorit të kësaj drame është loja me kokrrën e mollës që fshesaxhija Bukurie ka futur me marifet në xhepin e Kristinës, ish të burgosurës, gjatë kohës që ajo ishte në gjumë. Metafora biblike e mollës së ndaluar që Eva i ofron Adamit, vjen e përfton një dimension të ri në dramën e Anagnostit, atë të mëkatit oruellian, në qoftë se mund të shprehemi kështu, kundrejt Vëllait të madh, Partisë-shtet, shkurt e shkoqur kundër diktaturës. Dhe është pikërisht ky gag, i cili, në një pikë kur pjesa ngjan sikur ka mbërritur në një pikë të vdekur, u jep dinamizëm dhe dramaticitet ngjarjeve, ashtu siç ndërkall jetë e humor përmes shkathtësisë dhe gjuhës gjithë kolorit të pastrueses së rrugëve, një figurë që duke e shpotitur e vënë në lojë Vladimirin, syrin dhe veshin e diktaturës, e vesh atë me petkat e groteskut. Dimensioni i Vladimirit prej bardi të regjimit, falë bejteve që shkruan e reciton, nuk e bëjnë atë më njerëzor e më të kulturuar, përkundrazi, sikur e theksojnë kontrastin dhe nxjerrin edhe më në pah injorancën dhe xhahillëkun që gjëllon brenda tij.
Edhe pse drama përfundon me një happy end, çlirimin e Kristinës, i cili na vjen në trajtën e një deus ex machina, domethënë të shfaqjes së të atit që vjen ta marrë e të dy bashkë të kthehen në shtëpi, nata metaforike (një tjetër gjetje e Anagnostit, e cila të ndërmend Kristal nacht të nazistëve) nuk ka marrë fund dhe ngjan sikur do të zgjasë përjetësisht, ndjesi kjo që ta përforcojnë edhe më fort fjalët e Kristinës drejtuar banorëve të pallateve përreth në monologun e gjatë që shkon e mbyll dramën: “Nuk thërras më, do duroj, do pres fatin tim e lidhur te ky hekur, se një i lidhur nuk mund të zgjidhet nga një tjetër që është vetë i lidhur…”.
Pa dashur të shndërrohemi në guastafeste, do të doja të thosha dy fjalë qortuese për regjisorin e nderuar në mbyllje të këtyre radhëve. Mendoj që autori duhet të kishte bërë më shumë kujdes me gjuhën e përdorur nga disa prej personazheve. Fjala vjen, kur Bukuria, fshesaxhija, e cila flet me gjuhën e popullit të thjeshtë, zhvendoset nga një regjistër dialektor në një tjetër, nga zhargoni i Tiranës në një gegërishte të lehtë që e afron me të folurën e Elbasanit, gjuha e saj denatyrohet, nis e kërcet dhe tingëllon artificiale vende-vende.
#