Natanjahu i bën bisht takimit ndërkombëtar për armët bërthamore
Kryeministri hebre Natanjahu është tërhequr nga takimi për sigurinë bërthamore që do të mbahet në Uashington javës që vjen, duke iu druajtur faktit të mundshëm se delegatët myslimanë mund t’i kërkojnë Izraelit të heqë dorë nga arsenali i tij bërthamor. Natanjahu, që ka vendosur të dërgojë zëvendësin e tij në konferencën e 12-13 prillit, e cila do të zhvillohet në Uashington, ka hequr dorë nga pjesëmarrja kur ka marrë vesh se disa vende, mes të cilave Egjipti dhe Turqia, po planifikojnë që të këmbëngulin për sa më sipër në lidhje me Izraelin, duke nënshkruar traktatin e armëve joproliferike. Duke qëndruar jashtë kësaj marrëveshjeje të vitit 1970, Izraeli nuk detyrohet që të heqë dorë nga arsenali bërthamor apo nga mundësia e krijimit të inspektorëve ndërkombëtarë për të inspektuar reaktorin e Dimonës. Sipas ekspertëve, ky reaktor ka prodhuar deri më tani 80 deri në 100 mbushje bërthamore.
Pjesëmarrja e Natanjahut në takimin në të cilin do të merrnin pjesë 47 vende, do të kishte qenë e paprecedentë. Në fakt, kryeministrat hebrenj u janë shmangur gjithmonë konferencave të tilla apo forumeve për situatën bërthamore në botë, duke shpresuar që t’i mbajnë jashtë vëmendjes së të huajve sekretet e tyre bërthamore. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë përkeqësuar kohët e fundit pas një sërë incidentesh që kanë ndodhur mes tyre në përpjekjet e amerikanëve për të gjeneruar bisedimet e paqes. Edhe herën e fundit që Natanjahu ishte në Shtetet e Bashkuara ka pasur një takim shumë të tensionuar me Presidentin amerikan Obama në lidhje me planin për të vazhduar ndërtimet në Jerusalemin Lindor. Vetë Obama nuk kishte planifikuar ndonjë takim me Natanjahun gjatë konferencës. Për sa i përket një burimi zyrtar të Egjiptit, delegacioni i këtij vendi deklaroi se nuk kishte ndër mend që të bënte ndonjë kërkesë si ajo që pretendon Natanjahu dhe ky i fundit u akuzua për shmangie të diskutimit të çështjes palestineze.
“Ne besojmë se mospjesëmarrja e Natanjahut në një konferencë të tillë ndërkombëtare e të rëndësishme është se ai nuk do të përballet me Presidentin amerikan, Obama, dhe si sebep gjen Turqinë dhe Egjiptin”, ka vazhduar burimi i mësipërm. Por ndoshta nuk është i këtij mendimi Turqia e Erdoganit, i cili ka pasur shumë debate me Natanjahun dhe liderë të tjerë hebrenj. Sipas disa burimeve, Turqia do të kërkojë që Izraeli të rishohë arsenalin bërthamor në kuadrin e një çarmatimi dhe Lindjeje të Mesme pa armë bërthamore. Dje, gazeta franceze “Le Monde” deklaroi se Izraeli është kërcënimi kryesor i paqes në Lindjen e Mesme”. “Izraeli ka armë bërthamore, por nuk nënshkruan traktatin që kanë nënshkruar edhe vende të tjera. A mos vallë kjo do të thotë se ata që nuk e nënshkruajnë një traktat të tillë kanë një pozicion më të privilegjuar se të tjerët?” - vazhdon më tej gazeta. Sa për Uashingtonin ai ka mirëpritur pjesëmarrjen e zëvendësit të Natanjahut në konferencë.
#