E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërkëmbimi i Nënë Terezës me familjarët

Letra dërguar vëllait Lazër:

12 maj 1963:
E mora letrën tënde. Ju falënderoj për lutjet tuaja, të cilat më ndihmojnë të bëj më të mirën e Zotit (...). Ne tani jemi 180 motra. Tashmë kemi nisur të kemi edhe Vëllezër.

Unë e kam harruar shqipen dhe për këtë nuk arrij t’ju shkruaj më shumë.

Lutuni për mua. Dhe unë do të lutem për ju.

Dashuria e Zotit qoftë me ju.

Kalkutë, 10 qershor 1978

Faleminderit për letrën tënde. Mos u shqetëso për mua, tani jam mirë me shëndet, vetëm se këtu bën shumë nxehtë dhe unë erdha nga Roma ku bënte shumë ftohtë, ndërsa këtu ishte nxehtë, ndaj edhe më zuri gripi. Por mos u shqetëso për mua. Zoti ka një dashuri shumë të madhe për mua dhe kështu Ai është gjithnjë aty, gati, duke menduar për mua. Shpresoj që ju të gjithë të jeni mirë dhe që të gjitha ditët të mund të shkoni në kishë dhe të merrni Krishtin në zemër (të bëni kungimin). Nuk e di nëse unë do të mund të jetoja pa Kungimin e Shenjtë.

Letër e Nënë Lokes dërguar Lazërit, shkruar nga motra Age. Aty manifestohet dëshira e madhe e saj për të parë fëmijët me të cilët kishte humbur lidhjet:

Sa shumë gëzova kur mora letrën tënde. Ti, shpirti im, nuk e di se sa shumë të dua dhe sa shumë dëshiroj të të takoj sa më shpejt. Nëna jonë ka gjithnjë në dorë fotografinë tënde. Unë nuk mund të bëj tjetër veçse të pres ditën në të cilën do të mund të të shikoj më në fund... Tani zemra ime është e fryrë prej mallit. Prej Gonxhes nuk kam marrë asnjë lajm prej kohësh. Por jam e gëzuar që është mirë me shëndet.
Nënë Tereza i shkruan arkipeshkvit Perier

12 shtator 1957

Kam marrë një letër të gjatë prej nënës sime të moshuar. Më në fund kanë lajme prej meje dhe vetëm tani ajo është njohur me Misionaret e Bamirësisë. Në vitin 1948 kishte dëgjuar se isha larguar prej Loretos, e pastaj asgjë. Kujtonte se kisha vdekur.

Letër e 4 janarit të vitit 1970. Age shkruan:

“Mamaja po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Tani thuajse nuk më njeh më. është dobësuar shumë dhe ka humbur mjaft në peshë (peshon 39 kile). Unë jam mirë, edhe pse ndihem shumë e trishtuar”.

Nëna Loke i shkruan edhe një herë të birit në Itali duke i thënë:

“Dëshira ime e vetme është të të shikoj edhe një herë para se të vdes, ty, familjen tënde dhe shumë të dashurën time Gonxhe...”

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›