Natë e trazuar
Teodor KEKO
Ne e thamë të gjithë shishen e uiskit. Tavolina ishte e mbushur plot me gota boshe e filxhanë kafeje dhe tavllat mbanin nga një grusht bishta cigaresh brenda, kurse njerëzit nuk dukeshin më nga mesi e lart. Qenë sharruar në mes nga perdja e dendur e tymit.
- Tani, mbathjani! - urdhëroi gjithë qejf gruaja e Francit. - Në këtë shtëpi nuk gjendet më asnjë pikë alkool!..
Ajo kishte nja një orë që shkëmbente ca shenja intime me të shoqin dhe shfrytëzonte çdo rast që i jepej për t’iu ngjitur në trup. Merrej vesh, i bëhej ajo punë.
- Ikim, - pranoi edhe vëllai i saj.
Atij i qe bërë koka sa një grusht nga pija, por kushedi ç’poshtërsi po mendonte ato çaste, kur e nxirrte tymin e “Kamelit” nga të gjitha vrimat e kokës.
Ai ishte një biçim hibridi, që të jepte përshtypjen se e ëma, një goxha grua e bukur, e kishte zënë jo me spermë mashkulli, por me nitroglicerinë. I qeshnin tinëzisht sytë e vegjël që, edhe kur gjendej në qejf, ia ruanin ftohtësinë e akullt.
Franci na u lut si Krishti që të qëndronim edhe pak. Kishim lënë një bisedë interesante në mes, si mund të rregullohej Shqipëria përmes makroekonomisë, por ne nuk u dorëzuam.
I pari u ngrit ministri i asaj ministrie me emër tmerrësisht të gjatë, pas tij unë dhe, pas meje, kokëdardha.
Kur dolëm në korridor, unë dëgjova Francin që psherëtiu: “Falna mëkatet, o Zot!” dhe pashë kunatin që qeshi mbytur. Edhe ai ishte ministër, ministër i pashpirt.
- Bëni nani-nani! - tha ai në ndarje, me sytë që sa nuk po ia braktisnin zgavrat nga e qeshura.
- Na marrtë gjumi i madh! - ia ktheu Franci dhe kështu u ndamë.
Jashtë frynte juga. Në rrugët e shkreta qarkullonin vetëm policë dhe qenër pisanjozë, çka na e mbushi mendjen se sikur nuk kishte kuptim të mbylleshim nëpër shtëpitë, duke braktisur këtë natë të ngrohtë.
E ndamë mendjen ta pinim edhe ndonjë gotë dhe, në atë çast, ministri i ministrisë me emër të gjatë e pyeti kolegun e tij se ç’kishte që zgërdhihej.
- E di pse psherëtiu Franci “Falna mëkatet, o Zot”?.. Do flejë me motrën time, por ata kanë njëzet vjet martesë, ti e di, janë martuar që kalamaj, dhe ajo i duket tani si motra e tij...
Tjetri, pak dhëmbëdalë, i prerë për blofe dhe që i respektonte blofet, filloi të qeshte me të madhe, siç e kishte zakon.
- Inçest, me dy fjalë...
- T’ia çojmë policinë në shtëpi, - sugjerova unë...
- Lëre, - tha shpërthyesi ynë. - Do t’i pushojë zemra në vend Francit. Ai ndihet realisht fajtor në këtë pikë...
Ne po qeshnim me të madhe, sepse na u kujtua për dreq diskutimi tejet serioz i Francit se si mund të rregullohej sa më shpejt Shqipëria...
- Vetëm këtu nuk bën fajde ekonomia, - qeshte dhëmbëdali. - Francin, për shembull, e gatit dhe e sjell në derexhe të Zotit vetëm divorci! Ekonomia veç sa i vjen nga pak vërdallë...
Na hipi një e qeshur prej idioti dhe ne ia filluam përsëri së pirës, pikërisht atë çast kur motra e nitroglicerinës doli nga banja me një penjuar të lehtë, që ia nxirrte në pah linjat ende të padeformuara të trupit.
Ajo u nis gjithë qejf t’i hynte në shtrat Francit, duke u zhveshur ngadalë që në hyrje të dhomës, dhe asnjë nga ne nuk e dëgjoi kur ai i ulëriu së shoqes që ta fikte dritën. Të paktën, të bënte sikur nuk e dinte me cilën kishte rënë në shtrat.
Në atë kohë, ne po porosisnim dopiot e dyta. Na pati lodhur diskutimi për atdheun.
15 Qershor 2009