E Diel, 1 Nëntor 2026

Si vijnë librat dhe shkrimtarët



Ka një justifikim, përgjithësisht të shpjegueshëm, për nevojën e shtetarëve për të pasur në krahë shkrimtarin, dhe një nxitim jo gjithnjë të kuptueshëm, edhe më pak të justifikueshëm, të shkrimtarëve për t’u shfaqur përbri tyre. Nuk ia vlen të merremi me hapin ose gjysmë hapin e shkrimtarëve pas shtetarëve, por s’mund të mos merremi me simbiozën midis, që jo gjithnjë vjen në të mirë të letërsisë dhe më pak akoma në objektivitet ndaj autorëve. Dhe, për të qenë sa më të vërtetë, nuk është se ka ndodhur vetëm nën diktaturat, vazhdon të ndodh edhe sot. Politika shërben si mecenate... Ajo ditë e bukur prishtinase, me thuajse tërë librin e botuar shqiptar, është kategorikisht e paqortueshme, por e solla thjesht për lehtësi perceptimi dhe shpresë të sigurt në qetësinë e derifundshme të lexuesit të këtyre rreshtave.

Le të bëhemi më konkret.:Kurrkush s’ka të drejtë të sugjerojë shije e kritere në leximin dhe vlerësimin e krijimtarisë, por është brishtësia e moralit dhe e të qenit publik që këshillon heshtjen, kur nuk duhet folur, ose nuk këshillon heshtjen, kur duhet folur. Tingëllojnë të keqardhura disa “prononcime” kafeneve, për të mos zënë në goje disa superlativa, që edhe dje ndjeheshin të pështira. Thuhet prej tyre, bie fjala, se ish i burgosuri Jusuf Vrioni e propozoi veten si përkthyes për Kadarenë (mos o Zot sikur të shtohet se vetë Jusufi i gjorë i propozoi edhe Enver Hoxhës të ishte përkthyesi i tij!); thuhet se Lasgushi u mbyll vetë në kullën e fildishtë, kurse Mitrush Kuteli nuk u përshtat dot kurrë me frymën e re, ashtu siç vihet re “pafajësisht” tashmë se, ja, Camaj u botua, por lexuesit nuk e përtypin dot...

Faruk MYRTAJ

Më ka mbetur në kujtesë një skenë masive politiko-letrare në Prishtinë.
Prej pak vitesh më parë në rrugët atje shëtiste liria, endè si ëndërr, por në mjediset e Pallatit të Sporteve, ku mbahej panairi i librit, sikur u ndal frymëmarrja. “Po vijnë ata...!”, tha dikush prej organizatorëve. Hyri trumba e emrave të mëdhenj. Ibrahim Rugova dhe Kadarea, Njëshi i Shtetit dhe Njëshi i Letrave, natyrisht këta dy do ishin në krye. Dhe më pas dy nga dy tërë të tjerët, nëse nuk gaboj ishin Kryeministri dhe Dritëro Agolli e më pas, sipas peshës, sipas ditës, sipas tregut të ideve dhe pushteteve, politikanë-shtetarë dhe shkrimtarë-politikanë, një gjysmë a një hap të plotë pas çiftit të mëparshëm... Ishte lezet t'i shihje seriozitetet politike-artistike, por po aq kureshtje të shihje fytyrat e përndezura të fansave të librit dhe politikës, ardhur në panair. Autorë dhe qytetarë, me vështrimet andej, kundronin shefat relativë, mëkonin admirimet dhe rezervat përkatëse.
Në të vërtetë, kjo simbiozë që sapo shfaqej edhe në Prishtinë, kështu ka lulëzuar gjithnjë në trojet shqiptare...
Rastisa pak larg prej brohoritësve. U ndodha te stenda e shtëpisë botuese "Dritëro". Gruaja që shërbente përbri stendës së botimeve aty, nuk di pse pikërisht në këtë moment, e shtroi krejt sinqerisht problemin apo merakun e saj, që s’është vetëm i saji:
"A thua do vijë një ditë që Dritëro Agolli të çmohet..."
"Po ai i çmuar është..."
"Nuk them për tani, e kam fjalën për më vonë..."
"Ah! Për më vonë flisni ju...”

* * *
ǒdomethënë ‘tani’ apo ‘më vonë’ në letërsi?
Sikur letërsia të jetë politikë, dhe sikur shkrimtarët të jenë politikanë. Se këta të gjorët, pavarësisht parave që bëjnë dhe akuzave e lëvdatave të paharrueshme që dhurojnë, harrohen vetiu. Se vijnë aradhat e tjera të politikanëve, jo për gjë tjetër! Shkrimtari nuk rron dot vetëm për sot, as nuk bën dot jetën e tjetrit, shkrimtari “ikën” për të provuar se ka qenë realisht i tillë. Shkrimtari nuk pret ikjen e kolegut, por bashkëkohësinë me të, vdekur a gjallë qoftë. Shkrimtari nuk merr, nuk fiton e as humbet pushtet, ai ndan “pushtet” letrash që arrijnë të mbeten.
Ka të ngjarë të mos jetë aksidentale kjo mendësi e shfaqur: se ndër shqiptarët, politikanët janë mikluar si “Njësha”, edhe prej shkrimtarëve që kanë nënshkruar marrëveshjen e heshtur (me apo pa dëshirë, por përfituese) të bëjnë “njëshin-shtesë”, atë që ka hedhur këmbën vetëm një gjysëm apo një hap pas Njëshit të Shtetit; sepse ndër shqiptarët janë orvatur, jo pa sukses, që shtetari të bëjë edhe historinë e letërsisë dhe shkrimtari t’i gëzohet kësaj historibërjeje; sepse ndër shqiptarët ka ndodhur të ‘harrohen më gjallje e vdekje’ fizike emra dhe vepra shkrimtarësh; sepse ndër shqiptarët ka ndodhur që kolegët të jenë rivalë të padurueshëm të shkrimtarit dhe armiq të shtetarit...

Nuk di pse prirem t’i shoh nën të njëjtin titull të dy kqyrjet e mësipërme. Ka një justifikim, përgjithësisht të shpjegueshëm, për nevojën e shtetarëve për të pasur në krahë shkrimtarin, dhe një nxitim jo gjithnjë të kuptueshëm, edhe më pak të justifikueshëm, të shkrimtarëve për t’u shfaqur përbri tyre. Nuk ia vlen të merremi me hapin ose gjysmë hapin e shkrimtarëve pas shtetarëve, por s’mund të mos merremi me simbiozën midis, që jo gjithnjë vjen në të mirë të letërsisë dhe më pak akoma në objektivitet ndaj autorëve. Dhe, për të qenë sa më të vërtetë, nuk është se ka ndodhur vetëm nën diktaturat, vazhdon të ndodh edhe sot. Politika shërben si mecenate... Ajo ditë e bukur prishtinase, me thuajse tërë librin e botuar shqiptar, është kategorikisht e paqortueshme, por e solla thjesht për lehtësi perceptimi dhe shpresë të sigurt në qetësinë e derifundshme të lexuesit të këtyre rreshtave.

* * *
Por kam idenë se ia vlen të sjellim ndonjë kujtesë më shumë, në po këtë linjë. Një poet i njohur, i madhuar edhe më në kohën me liri, nuk e mohon se edhe ai ftohej në pritjet e shefave të shtetit komunist, por edhe ngulmon të bëjë diferencimin: “Ata Dy gjithnjë merrnin ftesë për në sallën kryesore, atje ku vinte I Madhi Fare, kurse Ne, Të Tjerët, rrinim me Sulejman Maton e të tjerë, në sallën poshtë...!”
Në shoqëri me artikulime të drejtëpërdrejta biografike dhe me prani të dhunshme të mecenatit politik, ndihma ose pengesat për një rrugë normale prej shkrimtari përcaktohen po kështu.
Mund të pyesim, veten e sotme së paku, pse e prisje ndihmën ose pengesën nga politikanët pushtetarë apo nga shkrimtarët politikë? A ndodhte ndonjë takim thjesht shkrimtarësh, pa praninë e njeriut të politikës?! A mund të ndihmoheshe prej një shkrimtari, duke pasur probleme të theksuara me politikën? Si mund të vije në letërsi, ku duhet të mos shkelje, çfarë duhet të kishe parasysh, kush firmoste për të mirë dhe kush për të keq për fatin e shkrimtarit? Tek kush besonte pushteti, nëse kërkohej një mendim për shkrimtarin e ri? (Në një bisedë të fundvitit që shkoi, Xhevahir Spahiu ishte mjaft i shkoqitur në kompleksitetin e asaj kohe, por sinqerisht nuk kemi edhe aq shumë prononcime si dëshmi të matura të asaj kohe.)
Nëse brezi i parë i shkrimtarëve në pa-liri erdhi prej radhëve të çlirimtarëve, që vanë e morën edhe Lidhjen, cila ishte steka politike që duhej të kapërcenin shkrimtarët e mëvonshëm? Tani është e lehtë të thuhet se universitetet letrare të Lindjes nuk të mësonin asgjë, por atë kohë ishte fat i madh të rrëmbeje Leningradin, teksa shumica e kolegëve dolën nga Shqipëria vetëm në vitet ’90, e ndokush ende s’ka pasur fatin të shohë botën tjetër pa Shqipëri. Për të mos shtuar se jo pak bashkatdhetarë robtoheshin të siguronin të drejtën për shkollën e mesme. Nëse për deri dje edhe mund të justifikohej të qenit i privilegjuar prej mecenatit politik, si i bëhet që edhe sot shkrimtarë, që “bën kompromisin për të shpëtuar jetët dhe letërsinë”, vazhdojnë të miklojnë pushtetarin si nevojë për shkrimtarin?!
Druhem mos ngjall keqkuptime, kur shprehem se brezi tashmë "i vjetër" (ai që në fundvitet '50 ishte “brez i ri” me flamur kundër tradicionalizmit folklorik të të "vjetërve") nuk mbeti korrekt dhe i drejtë as me shkrimtarët që erdhën ndërkohë. Kjo bën që problemi të shtrohet edhe pak më ndryshe: nëse vërtetë objekt i rebelimit të tyre ishte thjesht “tradicionalizmi folklorik”, kush u kujtua të ruante traditën thjesht cilësore letrare të para-çlirimtarëve, traditë që padyshim mbetet moderne edhe sot?
Nuk janë probleme të patrajtuara, e megjithatë autorë të vlershëm ose jo, shkrimtarë të zëshëm të kohës pa-liri, por edhe ndokush që mrekullisht u rrit edhe më pas dekretimit zyrtar të pluralizmit dhe lirisë së fjalës, thuajse të gjithë ishin dhe mbeten gati ushtarakisht të disiplinuar në qëndrimin ndaj hierarkisë letrare dhe ndaj njëri-tjetrit. Ata kanë pranuar e vazhdojnë të respektojnë piramidën zyrtare që u ngrit e mbetet (edhe pas rënies së institucioneve politike) për meritë të vërtetë letrare, por natyrisht edhe për intimitet me politikën.
Aq buzagaz ndjell tabloja kur këta autorë heshtin (edhe kur në shtyp shfaqen gjysmë të vërteta ose falsitete të kthjellta në historinë e propagandës për letrat, në lidhje me ndëshkimet reale dhe të sajuara të autorëve të asaj kohe), sa s’mund të mos pyetet: a ka mbetur nga pak dinjitet në figurën e atyre që mburren, mburrin e sajojnë disidenca, por edhe te bashkëkohësit e tyre që tashmë bëjnë të heshturin?!
Gati-gati do të besohej se ka një përunjie sikur i druhen fenomenit të rënies së tullave të vëna në rresht, nëse nuk do kishim, për fat, libra të tyre që megjithatë mbeten.

* * *
Le të bëhemi më konkretë: kurrkush s’ka të drejtë të sugjerojë shije e kritere në leximin dhe vlerësimin e krijimtarisë, por është brishtësia e moralit dhe e të qenit publik që këshillon heshtjen, kur nuk duhet folur, ose nuk këshillon heshtjen, kur duhet folur. Tingëllojnë të keqardhura disa “prononcime” kafeneve, për të mos zënë në goje disa superlativa që edhe dje ndjeheshin të pështira. Thuhet prej tyre, bie fjala, se Kadare ra në sy në Francë mes disa shkrimtarëve të tjerë shqiptarë njëlloj të përkthyer nga shtëpia botuese shtetërore; thuhet se ish i burgosuri Jusuf Vrioni e propozoi veten si përkthyes për Kadarenë (mos o Zot sikur të shtohet se vetë Jusufi i gjorë i propozoi edhe Enver Hoxhës të ishte përkthyesi i tij!); thuhet edhe se ato kohë mund të bëje hair si poet, por jo si prozator, pasi i tillë ishte shfaqur Ismail Kadare; thuhet se Faik Ballanca dhe Bilal Xhaferi mund të kishin një të ardhme të shkëlqyer sikur... të mos ndodhte ajo që ndodhi me ta. Thuhet se Lasgushi u mbyll vetë në kullën e fildishtë, kurse Mitrush Kuteli nuk u përshtat dot kurrë me frymën e re, ashtu siç vihet re “pafajësisht” tashmë, se ja Camaj u botua, por lexuesit nuk e përtypin dot... Të gjitha këto variante mbeten në ajër, si variantet e Nasho Jorgaqit për jetën e Fan Nolit dhe askush prej dëshmitarëve kohorë nuk ndjehet...
Jo se ka gjë të keqe kur bëhen edhe përqasje vlerash e emrash në letrat shqipe, por ngaqë politika është më në fund e pafuqishme për të diktuar hierarki në letërsi, është e mundur të kemi sa më shumë objektivitet në këto përqasje.
Rudolf Marku, si mendim të vetin për krijimtarinë e Zija Çelës, nuk e pa të udhës të shprehej drejtpërdrejtë, duke e vendosur këtë autor “fill pas Kadaresë”, siç ka bërë një autor tjetër, prozator i njohur dhe me përkujdesje fjale. Marku bën analizë, shkruan se Zija Çela është shkrimtar unik në letrat tona, një planet letrar më vete, prandaj i rëndësishëm dhe i pakrahasueshëm. Në këtë mënyrë, ai e sheh Zija Çelën në garë me Zija Çelën. Ndoshta, ngaqë autori është në sfidë të përhershme ndaj vetes, siç është edhe përballë jetës si fat dhe investim afatgjatë.
Nëse vetë Zija Çela, për modesti, maturi realiste apo thjesht për “paqe mbi dhè”, na sugjeron maturi e durim, kujtohemi se, bie fjala, Vath Koreshi s'është më. Faik Ballanca e Bilal Xhaferi, edhe pse lexohen po aq këndshëm si në gjalljen e tyre, përmenden veç kur bee fjala “se kanë qenë stilistë të veçantë dhe talente të furishëm”. Por s’rrijmë dot pa e mbajtur gjallë detyrimin moral e grricjen morale se sa vrullshëm do të madhoheshin këta autorë, nëse s’do të kishte ndodhur “ajo që ndodhi” me ta e ndaj tyre. Martin Camaj “është një herë i botuar...”, thonë, por s’mund të mos shtojmë që ka arsye përse Martin Camaj ribotohet, ka pse ndjehet nevojë që mendimi kritik të mëtojë ndaj pohimit se mund të bëhet “letërsi si thjesht letërsi”, larg politikës si lejtmotiv apo si mjet imponues. Secili prej autorëve ka bërë e bën veten e tij, dhe nëse është sadopak e vërtetë sentenca “stili është jeta e autorit”, nuk mund të mos shtohet se “jeta e autorit është stili i tij”, dhe më tej: zor se e ndryshon dot stilin, pa ndërruar jetën!”

* * *
Më tej akoma, cili zot na pëshëpriti në vesh, dhe ne e mbajmë ende për të vërtetë, se “nëse je mbajtur i madh, je dhe do jesh”, pavarsisht se kush vjen e kush madhohet pafshehshëm më pas?! Fare mirë mund ta pëlqejmë një autor, qoftë edhe të saposhfaqur, le të mos jetë marrë kritika zyrtare me të, le të mos jetë dukur në listën që qarkullon në shtypin imitues, në shefat e kronikave letrare që as të mëdhenjtë e djeshëm s’i kanë lexuar dhe as rishtarët nuk kanë ngè t’i lexojnë. Jo pak autorë të mëpasëm, ofrojnë kënaqësi leximi, mundësi përjetimi dhe lexim mëndjehapës artistik jo më pak se ndonjë emër i madh, ose curriculum famoz. Përse të mos çmojmë vlerën, aftësinë, potencën, por të vazhdojmë të presim mohimin e këtyre autorëve? Si të mos ndjehesh mirë, dhe të mos shtyhesh të bëhesh edhe më i mirë, më i dlirshëm, kur Zija Çela shprehet: “Nuk do të befasohemi nëse ndokush prej brezit që ka ardhur, të afrohet ose ta fitojë një ditë Çmimin Nobel.” Në këtë sens, merr vlerën e qartë kuptimore fraza e tij që i referohet Kadaresë, në esenë për Darkën e gabuar: “Nëse Ismail Kadare po shfaqet si shkrimtari më i madh i kohës sonë, kjo mbetet relative. Por mund të pohohet përgjigjja se koha e sotme botërore ka gjetur Zeusin e letrave te Kadareja. Olimpi, me sa duket, është zhvendosur në Tiranë.”
Njё studiues dhe pёrkthyes i matur nё letrat shqipe, qё jeton matanë Atlantikut, pohon se sa mё shumё ndjen lezetet e shqipes dhe gjuhёve të huaja, sa mё thellё depёrton korridoreve e salloneve tё Letrave tё Botёs, aq mё tepёr joshet e torturohet prej idesë së pёrkthimit tё Lasgush Poradecit apo Mitrush Kutelit, sado utopike tingëllon kjo.
Por letërsia është letërsi në vetvete. Përkthimi nuk është punë e autorëve: ata janë ose nuk janë në gjuhën që shkruajnë. Qoftë edhe në ndonjë gjuhë që rrezikon të zhduket diku në botë, mund të ekzistojë Poeti më i madh i Botës apo Nobelisti i pakurorëzuar. Por përkthimi vjen e bëhet problem i shoqërive, që ndjejnë domosdoshëm komunikimin. Shqiptarët kanë lënë vendin, duke marrë gjuhën e tyre me vete, kanë marrë edhe mbresat e pak libra me vete, dhe e gjithë kjo “valixhe kujtese” natyrshëm përballet me mjedisin emigrant ku gëzojnë e vuajnë: a kanë qenë të vërteta ato që kam besuar? A është shkrimtari i përmasave që i thuhen në Tiranë? Çfarë është munguese në letërsinë shqipe në pa-liri, madje edhe në atë më të mirën? Kush ia zuri vendin mecenatit politik shqiptar? Kush do t'ua zerë vendin përkthyesve të huaj, ardhur përgjithësisht si miq të socializmit dhe kthyer si përkthyes të shkrimtarëve të kohës?
Meqë libri i tij, romani “SOS, një buzëqeshje”, u bë shkas i brendshëm për t’i hedhur këto shënime, pyes: Kush do të duhej ta përkthente Zija Çelën?

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›