E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi i qeverisë me ligjin e ri të pensioneve për ushtarakët

Skandali, në ligj harrohet qëllimisht data se kur nisin efektet financiare. Kreu i Shoqatës, Mehdi Pogaçi: “Është rast i rrallë që një ligj të miratohet pa këtë datë”

Jonida Tashi

Mashtrimi i qeverisë me pensionet e ish-ushtarakëve duket se nuk po njeh kufij. Megjithëse ligji i ri për trajtimin financiar për këtë kategori u hartua dhe miratua në fshehtësi të plotë, qeveria nuk është mjaftuar me kaq. Skandali i radhës, i qeverisë me pensionet e ish-ushtarakëve tashmë ka kaluar pragun e prapaskenave dhe ka dalë në dritë të diellit. Në ligjin e ri, që qeveria miratoi vetëm para pak ditësh “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë” nuk është përcaktuar data se kur do të nisin efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i tij. Duket qartë se qeveria ka harruar qëllimisht vendosjen e datës në ligj, dhe që miratimi i këtij ligji është bërë sa për tu mbyllur “gojën” ushtarakëve, të cilët kanë rreth 2 vjet që ngrenë zërin për të drejtën e pensioneve të tyre.
Data
Lidhur me këtë problem, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Mehdi Pogaçi, i kontaktuar nga gazeta “Albabia”, pohon se mosvendosja e datës në ligj është një rast i rrallë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ligjeve shqiptare. “Nuk e kuptoj se si mund të hartohet dhe miratohet një ligj, në të cilin nuk vendoset data se kur do të nisin efektet financiare, që është pika kyçe që lejon zbatimin e tij praktikë. Në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur ndonjëherë që të botohet një ligj në Fletoren Zyrtare pa këtë datë”,- deklaron Pogaçi. Tashmë, pas evidentimit të një problemi të ri në ligj, ish-ushtarakët do të shtojnë edhe një pikë tjetër kontestuese në kërkesën që do t’i drejtohen zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve deklaruan se brenda javës do të depozitohej në gjykatë kërkesa e tyre për rishqyrtimin e tij nga organet e drejtësisë, ka qenë pikërisht studimi i plotë i ligjit nga përfaqësuesit e kësaj kategorie, ai që ka bërë që kërkesa e tyre të mos mbërrijë edhe në dyert e gjykatës. “Mungesën e datës në ligj nuk e kishim parë më parë. Duke qenë se nga dita në ditë nxjerrim fakte të reja rreth këtij ligji, kërkesa me të cilën do t’i drejtohemi gjykatës ka mbetur e hapur. Pasi në të, ne duam të përfshijmë të gjitha pakënaqësitë që ne kemi për ligjin në fjalë. Por, kërkesa do të dorëzohet shumë shpjet në Gjykatën Kushtetuese. Jemi në afatet e duhura kohore dhe nuk ka asnjë problem nga ana ligjore dërgimi i kërkesës në gjykatë”, - sqaron Mehdi Pogaçi.
Vendimi
Ish-ushtarakët kanë vendosur të mos i tërheqin pensionet e reja deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër nga organet gjyqësore. Duke qenë se ligji i ri, i sapomiratuar nga qeveria, për trajtimin e tyre financiar, sipas ish-ushtarakëve, përmban shumë probleme dhe diskriminime, në radhët e tyre janë shtuar së tepërmi pakënaqësitë për këtë ligj. Kjo ka bërë që ish-ushtarakët të nisin një tjetër betejë ligjore me qeverinë, që ka të bëjë me kontestimin e projektligjit të ri për pensionet. Ashtu siç kishin paralajmëruar, se nëse ligji i ri nuk do të përmbushte kërkesat e tyre kryesore për trajtimin me pensione, ish-ushtarakët kanë vendosur t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese, për të bërë drejtësi me këtë ligj. Lajmi për dërgimin e ligjit të ri për bllokim në Gjykatën Kushtetuese është bërë i ditur për gazetën nga vetë kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Mehdi Pogaçi. Sipas Pogaçit, rillogaritja e pensioneve të ish-ushtarakëve sipas vjetërsisë në punë dhe kontributeve, pa marrë parasysh titujt dhe gradat që ata mbajnë, përkeqëson përfitimet ekonomike dhe financiare të çdo ish-ushtaraku. “Për këtë arsye ne e çuam ligjin e mëparshëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila na dha të drejtë. Ne do ta kundërshtojmë sërish ligjin, pasi ai është një ligj që bën hapa mbrapa”, - pohon Mehdi Pogaçi.

Ushtarakët sërish në Kushtetuese për ligjin e ri

Aktualisht drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë janë duke përpiluar kërkesën me të cilën do t’i drejtohen zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e ligjit për pensionet. Në kërkesën e tyre ish-ushtarakët do t’i paraqesin Gjykatës se cilat janë pikat që kundërshtojnë në ligj. “Nuk pajtohemi me variantin e ri, pasi nuk e përmirëson aspak situatën e ushtarakëve, ndryshe nga sa është deklaruar vazhdimisht. Ndërkohë që ka dalë dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka shfuqizuar më 2007-n nene të një ligji tjetër, që krahasuar me variantin e miratuar disa javë më parë ishte disa herë më i mirë”, - ka sqaruar Pogaçi. Sipas tij, rrjedhimisht do të procedohet sërish me atakim gjyqësor, veçse kësaj radhe pritet të ketë më shumë përfaqësi që do t’i bashkohen ankesës kundër efekteve që do të sjellë zbatimi i këtij ligji. “Pasi kemi shqyrtuar një për një nenet e këtij ligji, kemi vënë re se nga pikëpamja ligjore, ai cenon rëndë ushtarakët dhe përfitimet që rrjedhin prej zbatimit të tij. Ndonëse ligji është kaluar edhe nga Presidenti, jemi në afatet e duhura për të bërë ankesën në Gjykatë. Megjithatë, kësaj radhe do të ketë më shumë përfaqësi që do të kërkojnë ndihmën e gjykatës, duke përfshirë dhe kategoritë e tjera të forcave ushtarake që përfshin ky ligj. Këto të fundit kanë pakënaqësitë e tyre dhe në mënyrë kolektive ose të grupuara, brenda javës, do të depozitojmë shkresat me problemet përkatëse që sjell zbatimi i ligjit për secilën palë”, - është shprehur kreu i shoqatës. Konkretisht, projektligji përfshin sigurimin shoqëror sumplementar për ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë. Sipas kreut të Shoqatës, nuk do të ndërmerret asnjë veprim tjetër derisa të dalë konkluzioni i radhës nga shqyrtimi i kërkesës në Gjykatë.

Pikat që ish-ushtarakët kundërshtojnë në ligjin e ri

Pikat që ish-ushtarakët kundërshtojnë në ligj janë të shumta, kjo jo vetëm sepse ligji i ri shkel vendimin e formës së prerë që është dhënë dy vjet më parë nga Gjykata Kushtetuese, por sjell dhe eliminimin e gradave, duke vendosur shenjën e barazisë ndërmjet shumë grupeve. Shkeljet në përmbajtje të këtij ligji, sipas Shoqatës, konsistojnë në ndryshimin e skemës së pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Konkretisht, për këto shkelje Mehdi Pogaçi ka sqaruar: “Duke parë nenet që bëjnë pjesë në këtë projekt të ri themi me plot bindjen se është drafti më i keq i hartuar ndonjëherë. Shkak për këtë bëhet ndryshimi i skemës së pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Për pensionet e parakohshme janë hequr gradat (të cilat nuk do të merren parasysh për rillogaritje), ndërsa për pensionet suplementare të pleqërisë është vendosur të merret parasysh 1 për qind e pagës për vjetërsinë. Kjo gjë ndikon në uljen e masës së pensionit për këto kategori. Fatkeqësisht ky ligj prek edhe ata që janë në detyrë tani, pasi sjell uljen e masës së pensionit, çka ndikon në demotivimin e tyre”.
Sipas të dhënave të zyrtare, rreth 9985 persona do të përfitojnë aktualisht nga zbatimi i këtij ligji nëse do të hyjë në fuqi ashtu siç është deklaruar. Nga detajimet e bëra rezulton se nga numri total i përfituesve, 9602 janë ushtarakë dhe 382 janë ish-policë. Ndërsa buxheti që do të shpenzojë qeveria për sigurimin e kësaj shtrese mendohet të arrijë në rreth 840 milionë lekë në vit. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e ri për pensionet, drejtuesit e Shoqatës pohojnë se ka ndryshuar skema e pensioneve suplementare të pleqërisë. Nëse në ligjet e aprovuara më parë ka pasur një skemë vjetërsie të përcaktuar që me 15 vjet shërbim merrje 40 për qind të pagës, ligji i miratuar së fundi e ka përcaktuar se çdo vit do të jepet vetëm një për qind. Kështu, nëse një ish-ushtarak ka rreth 20 vjet do të trajtohet me 20 për qind të pagës, por jo më shumë se 50 për qind. Kjo për ish-ushtarakët është shumë cenuese, pasi përsërit në thelb të njëjtën gjë të rrëzuar edhe nga organet gjyqësore më parë.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›