E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinikat private, kriteret që duhen plotësuar për marrjen e licencës



Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar një sërë kriteresh për hapjen e aktivitetit privat në shëndetësi. Për të hapur një klinikë private të specializuar në një fushë të caktuar të shëndetësisë duhet të aplikuesit të përmbushin disa kritere bazë për marrjen e licencës. Ligji i MSH-së për veprimtarinë private në fushën e shëndetësisë përcakton që çdo person, i cili do të ushtrojë këtë veprimtari, duhet të pajiset me licencë nga Komisioni i Posaçëm për Dhënien e Licencave, pranë MSH-së. Aktiviteti i klinikave private të të gjitha shërbimeve është shtuar së tepërmi vitet e fundit dhe për këtë arsye kërkohet një kontroll i rreptë nga MSH-ja, pasi numri i pacientëve që drejtohen në to është i lartë. Në këtë mënyrë është e nevojshme që subjekti të dorëzojë një kërkesë me shkrim për licencim, pranë MSH-së. Kërkesa me shkrim duhet të jetë së bashku me një vlerësim të shkurtër për veprimtarinë e kaluar dhe atë që do të ushtrojë subjekti. Pjesë e dokumentacionit do të jetë edhe vendimi i gjykatës për regjistrimin, vërtetimi për anëtarësinë në Urdhrin e Mjekëve (për mjekët dhe stomatologët). Aplikuesit duhet të dorëzojnë licencën profesionale të drejtuesit teknik të shoqërisë për ushtrimin e veprimtarisë(për subjekte, si klinika mjekësore, klinika dentare, depo farmaceutike). Subjekti duhet të lëshojë një deklaratë me shkrim, ku të thuhet se subjekti, njeh legjislacionin në fuqi, në fushën e shëndetësisë. Po kështu, duhet të jetë i pajisur me lejen higjieno - sanitare. Vetëm në këtë mënyrë Ministria e Shëndetësisë do të japë licencën për ushtrimin e aktivitetit të ligjshëm privat dentar, okulistik, qendrave diagnostikuese, kabineteve mjekësore, klinikave mjekësore dhe laboratorëve mjekësorë etj.

Dhurimi i gjakut në nivele minimale, japin vetëm familjarët

Çështja e durimit të gjakut është kthyer në një problem serioz dhe ende të pazgjidhur për spitalet e vendit. Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, janë publikuar shifra që tregojnë se dhurimi është ende në nivele të ultë, ndërsa kërkesat janë gjithmonë edhe më të larta. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, shprehet se mungojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut dhe ata që dhurojnë janë vetëm familjarë të pacientëve. Sipas saj, duhet të arrihen standardet e furnizimit me gjak, ku për çdo 1 mijë vetë, 40 duhet të jenë dhurues. Nga statistikat e fundit të kryera nga MSH-ja, raporti është 7 dhurime për 1 mijë vetë. “Ende nuk është arritur mjaftueshmëria me gjak. Po t’i referohemi indekseve të mjaftueshmërisë në vitin 2008 kemi pasur 7 dhurime për 1000 banorë, kundrejt 4 dhurimeve për 1000 banorë në vitin 2005. Ndërkohë që të jemi të mjaftueshëm në gjak duhet të kemi 40 dhurime për 1000 banorë”,- shprehet Godo. Specialistët e shëndetësisë e shohin stinën e verës si më problematike përsa u përket kërkesave të furnizimit me gjak. Kjo vjen si pasojë e shtimit të aksidenteve dhe problemeve shëndetësore që shfaqen nga rritja e temperaturave. Aktualisht nuk është marrë ende asnjë masë konkrete për përballimin e situatës, e cila edhe këtë vit pritet të jetë në vështirësi. Ligji i ri, që ka hyrë në fuqi me kohët e fundit përcakton disa rregulla të reja për dhurimin e gjakut. Tashmë, pacientët nuk do të paguajnë për përpunimin e gjakut që duhet të marrin për të kuruar sëmundjet. Qeveria vendosi të bëjë këtë ndryshim në ligjin “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, pasi pacientët që marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet. Në bazë të ligjit gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi. Prandaj shpenzimet për procedurat e kontrollit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së gjakut e të përbërësve të tij, në asnjë rast, nuk përballohen nga pacienti. Këto shpenzime i mbulohen Shërbimit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut nga institucionet shëndetësore, që e përfitojnë këtë shërbim. Ndërsa, kostoja për secilin nga shërbimet e përcaktuara vendoset me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›