E Diel, 1 Nëntor 2026

Të banosh në ish-banjën publike

REPORTAZH/ Familja Muharremi, me tetë anëtarë, prej 15 vjetësh ka gjetur një "strehëz" të çudishme


Përveç lagështirës së madhe, banorëve u duhet të përjetojnë mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike

GJIROKASTËR- Varfëria ekstreme të detyron edhe të gjesh zgjidhje ekstreme. Tetë anëtarë të familjes Muharremi jetojnë prej 15 vjetësh në njërën prej banjave publike në pjesën e sipërme të qytetit të gurtë, pranë ish-agjencisë. Prej kohësh ata jetojnë në godinën plot lagështi, duke përballuar edhe mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Tymi i zjarrit që del nga oxhaku i godinës njëkatëshe është e vetmja shenjë treguese që kjo ndërtesë shërben për të jetuar.

Varfëria e detyroi familjen Muharremi rreth 15 vjet më parë ta përshtaste banjën publike në një shtëpi, megjithëse jashtë çdo kushti për të jetuar. Në "oborrin" e banesës, i përshtatur njëkohësisht edhe si aneks, në pellgjet me ujë luan Aneta 7-vjeçare, njëra prej fëmijëve të familjes Muharremi.


Jetoj aty së bashku me prindërit, tre vëllezërit më të vegjël, gjyshin dhe tezen. Nëna e saj, Mirela, tregon jetesën tejet të vështirë në këtë banesë. "Nuk kemi se ku të shkojmë, jemi vetë i tetë.

Paratë e pakta nuk na dalin për të mbajtur frymën gjallë, dhe jo më për të marrë shtëpi me qira. Vazhdimisht kemi shkuar në bashki, për të kërkuar ndihmë, por askush nuk na ka dëgjuar. Këtu nuk mund të jetohet.


E vetmja zgjidhje për t'iu larguar sëmundjeve të ndryshme që mund të marrim këtu, është të jetojmë në qiell të hapur", rrëfen Mirela.


Dy dhomëza të vogla mbajnë brenda 8 njerëz, ndërsa lagështia e madhe dhe ajri i rëndë i trashëguar prej funksionimit të dikurshëm si banjë publike mbizotërojnë në çdo cep. Sikur të mos mjaftonte mjedisi anormal, prej një viti familja Muharremi është pa drita dhe pa ujë të pijshëm.


"Na i kanë prerë edhe ujin edhe dritat para një viti, pasi nuk mundeshim t'i paguanim. Tani qëndrojmë me qiri, ndërsa ujë mbushim ku të mundemi për të plotësuar nevojat tona. Shyqyr që gjejmë dru për t'u ngrohur e për të gatuar, se në të kundërt nuk e dimë sesi do të na vinte filli",- vijon më tej Mirela.


Në këto ditë dimri me shi, qyteti i Gjirokastrës duket më gri, ndërsa realiteti i familjes Muharremi shumë më i zymtë. Kjo është vetëm një prej familjeve që jetojnë në ekstremet e varfërisë në Gjirokastër. Janë me dhjetëra familjet e varfra e që jetojnë atje ku nuk mund të jetohet, por përveç apeleve të vazhdueshme, asnjë problem i tyre nuk ka marrë zgjidhje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›