E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahen në pesë çështjet civile të tragjedisë së Gërdecit


Pasditen e djeshme, gjyqtari Arben Konstandini, vendosi ndarjen e dosjeve civile në pesë gjyqtarë të ndryshëm, me pretendimin se mes tyre ka konflikt interesi dhe nuk mund të gjykohen të gjithë nga një gjyqtar. Me fillimin e procesit penal ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, i seksionit civil ka nisur shqyrtimin e pesë padive civile për tragjedinë dhe pasojat e shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec. Sipas vendimit të gjyqtarit Konstandini, nuk mund të gjykohen nga një gjyqtar të pesë paditë civile, por, ata duhet të ndahen me short në pesë gjyqtarë të ndryshëm, pasi ka konflikt mes tyre.

Tashmë pranë kësaj gjykate janë depozituar padia civile e 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit, padia e Avokaturës së Shtetit ndaj të pandehurve dhe kompanisë që punonte në Gërdec, padia civile e disa nga të dëmtuarit nga kjo tragjedi, padia e Këshillit të Ministrave si dhe padia e dorëzuar dje nga mbi 300 të plagosur e gjymtuar nga kjo tragjedi. Sipas gjykatës, të gjithë këto padi kanë kërkesat e ndryshme dhe të paditur të ndryshëm, ku i kërkohet dëmshpërblimi në shuma të konsiderueshme parash. Dëmshpërblim kërkon edhe Këshilli i Ministrave nga kompania "Albademi" e cila ishte kontraktuesja e firmës amerikane SAC për demontimin municioneve dhe fishekëve në ish-repartin e tankeve të transformuar në punishte demontimi. Pritet që në ditët në vazhdim, këto dosje të hidhen në short elektronik për të caktuar gjyqtarë të tjerë që do të shqyrtojnë këto padi civile.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›