"14 shtatori", revolta e militantëve pas vrasjes së Hajdarit
TIRANË- Vrasja e deputetit Azem Hajdari mbrëmjen e 2 shtatorit 1998, në qendër të kryeqytetit vetëm pak metra nga selia e Partisë Demokratike, ngjalli tension të madh në vend, pasi opozita e atëhershme tashmë në pushtet akuzoi qeverinë e kohës si të përfshirë në këtë vrasje, duke akuzuar madje edhe kryeministrin e atëhershëm, Fatos Nano. Vetëm dy ditë më pas, në kohën që po dërgohej në varreza arkivoli që mbante brenda Azem Hajdarin, turma e irrituar fillon protestën masive duke u nisur në drejtim të kryeministrisë.
Për pak minuta kjo ndërtesë u pushtua nga protestuesit që transformuan varrimin në një "grusht shteti" të asaj kohe, duke thyer, djegur e plaçkitur. Turma njerëzish pushtuan kryeministrinë, Radio Televizionin Shqiptar, dhe disa institucione tjera, duke kërkuar largimin e kryeministrit Fatos Nano nga qeveria dhe gjetjen e autorëve të vrasjes. Turmat e armatosura madje morën edhe disa prej tankeve të Gardës së Republikës, që kishin dalë për të vendosur rendin në Tiranë, pas pushtimit të institucioneve. Në rrethe të tjera të vendit, pllakosi një pasiguri që thuajse mund të shpërthente në çdo moment në dhunë. Në këtë kohë, një grup protestuesish morën blindat e gardës dhe tanket e ushtrisë duke dalë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" me armë në dorë duke kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano.
Me 14 shtator 1998 një grup protestuesish i kërkuan Presidentit të Republikës së asaj kohe, Rexhep Meidani, të shkarkojë nga detyra kryeministrin Nano dhe të formohet një qeveri e përkohshme. Por, kjo gjë nuk u realizua dhe pas ca ditë gjendja u qetësua, duke u arrestuar një grup i madh personash të cilët më pas përfunduan në gjyq vetëm 28 prej tyre, të cilësuar si organizator të kësaj "Kryengritjeje".