E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i kërkuari i FBI-së, për trafik droge

Gazmir Gjoka, i kishte shpëtuar operacionit të policisë në Nju Xhersi, ku ishin arrestuar 17 persona të grupit me 26 të akuzuar

TIRANË- Arrestohet në Tiranë i kërkuari i zyrës së FBI-së së Nju Xhersit, për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Gazmir Gjoka 56 vjeç, lindur në Tiranë, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është arrestuar të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20 .00, pas informacioneve që kishin mbërritur në polici për vendndodhjen e tij. Arrestimi i 56- vjeçarit është kryer nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pranë stadiumit "Qemal Stafa".

Gazmir Gjoka, ndaj të cilit autoritetet e drejtësisë në Nju Xhersi (New Jersey) kanë marrë masën e sigurisë "arrest me burg", bashkë me disa shqiptarë të tjerë kishte arritur t'i shpëtonte një operacioni të policisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj një organizate të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, i zhvilluar në mars të këtij viti.

Organizata akuzohej dhe për trafik armësh , cigaresh dhe kontrabandë, pastrim parash dhe vrasje. Sipas informacioneve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Gjoni bënte pjesë në një grup prej 26 persona të cilët mbi të cilët rëndojnë disa akuza, ku 17 midis tyre u arrestuan në mars të këtij viti në shtetin e Nju Xhersit.

Operacioni u kodua "Shqiponja e Zezë" për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në këtë rrjet trafikimi. Pas arrestimit të Gazmir Gjokës, do të nisin dhe procedurat për ekstradimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi autoritet e drejtësie së shtetit amerikan e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar për disa vepra penale.

Masa e sigurisë ndaj Gjokës është marrë në mungesë, pasi ky i fundit është larguar nga SHBA-të në drejtim të Shqipërisë për të mos përfunduar në prangat e agjentëve të FBI-së. Zbulimi i trafikut të drogës është bërë nga agjentët e FBI-së pas infiltrimit të disa agjentëve në organizatën që dyshohej se merrej me trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjoka jetonte prej disa vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas nisjes së hetimeve në ngarkim të tij është larguar prej andej për t'u strehuar në Shqipëri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›