Vetëvritet babai i vajzës së vrarë nga shpërthimi i Gërdecit
TIRANE- Gjendet i vetëvrarë babai i njërës prej viktimave të shpërthimit të Gërdecit, pak ditë pasi e kishin larguar nga puna në bashkinë e Vorës. Kujtim Osmani, rreth 50 vjeç, banues në Vorë, u gjet dje në mëngjes i vdekur në shtëpinë e tij, nga të afërmit. Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë, të cilët pohuan se ai u gjet pa jetë, në shtratin e tij, një javë pasi ishte larguar nga puna, në bashkinë e Vorës ku ishte i punësuar prej disa muajsh. Kujtim Osmani, ishte babai i Resmie Osmanit, një prej 26 viktimave të shpërthimit të 15 marsit të dy viteve të shkuara në fshatin Gërdec. Viktima, sipas burimeve të policies, njihej si konsumator i alkoolit, por në dy vitet e fundit ai kishte nisur të mjekohej edhe me antidepresivë dhe me ilaçe për shkak të shqetësimeve psikike që ai kishte nisur të kishte pas vdekjes së vajzës.
Osmani, mësohet se të mërkurën në mbrëmje kishte mbërritur në banesë në gjendje të dehur dhe aty kishte konsumuar thuajse të gjithë sasinë e tabletave dhe medikamenteve që kishte blerë sipas recetës së mjekëve. Konsumimi i tyre dyshohet se edhe i ka shkaktuar vdekjen 50- vjeçarit, i cili është gjetur pa jetë mëngjesin e djeshëm. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, por zyrtarisht nuk ka pasur një qëndrim në lidhje me të, zyrtarë të policisë janë munduar të argumentojnë se vdekja e Osmanit, kishte ndodhur për shkak të konsumimit të alkoolit, dhe se nuk kishin të bënin me një akt vetëvrasjeje shkaktuar nga depresioni për humbjen e fëmijes.