E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqen aktet edhe për të akuzuarit e dosjes II

Prokuroria

TIRANË- Vetë drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, prokurori Genti Xholi, me një urdhër të kryeprokurores Ina Rama, është caktuar si përfaqësues i akuzës në dy dosjet e tjera penale që gjykohen pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me gjyqtarët Artan Brocin dhe Ilir Çeliku. Ky i fundit, që nga marsi i vitit 1999 e deri në ditën e djeshme, kishte në dorë dosjen penale ndaj të pandehurve: Alfons Zeneli, Antoneta Malaj, Dritan Zhgjeçi, Edmond Ymeri, Elvis Kamberi, Ekrem Spahia, Frrok Gjini, Ilir Zhilla, Sali Shehu, Shemsi Prençi dhe N.N.ish-agjenti Jugosllavë edhe këta të akuzuar për ngjarjen e 14 shtatorit 1998. Por, në seancën e djeshme gjyqësore, ishte prokurori Xholi i cili kërkoi nga gjyqtari Çeliku që të pranojë kërkesën e tyre për tërheqje të akteve, me arsyetimin e riformulimit të veprës penale për të cilën akuzohen "Kryengritje".

Gjyqtari Çeliku, pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit Xholi që citoi edhe dosjen e parë që tashmë është pushuar, vendosi të pranojë kërkesën duke vendosur përfundimisht kalimin e akteve hetimore në prokurori. Gjithashtu, mësohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës se edhe dosja penale me 11 këta të pandehurit të përfundojë në arkiv si dosja penale me gjashtë të pandehurit për të cilët është pushuar akuza tashmë. Po këto burime, konfirmuan se të njëjtin fat ligjor pritet të kenë edhe të pandehurit e dosjes së tretë gjyqësore: Avni Metalija, Bajram Hidri, Bajram Martini, Cen Doçi, Gezim Qordja, Hysni Gjyriqi, Muharrem Boshnjaku, Qamil Byberi, Sokol Gashi, Uk Celkola dhe N.N. ish-agjent Jugosllavë, që gjykohen nga gjyqtari Artan Broci.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›