E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, Pinari e Minxholli "tentojnë" t'i shpëtojnë burgimit të përjetshëm

Avokatët e të akuzuarve kryesorë për shpërthimin e Gërdecit i kërkuan gjykatës, procedura të përshpejtuara për ta, duke kërkuar pafajësi



Prokuroria reagoi kundër kërkesës për "ndarjen" e dosjes, duke përsëritur se ky veprim cënon procesin dhe provat

TIRANË- Ylli Pinari, Mihal Delijorgji e Dritan Minxholli, kanë bërë dje një tjetër tentativë për t'i shpëtuar burgimit të përjetshëm e për të "shpërbërë" gjykimin e dosjes së tragjedisë së Gërdecit. Seanca e këtij procesi, vazhdoi dje me parashtrimin e kërkesave të mbrojtësve ligjorë dhe vetë të pandehurve të kësaj dosjeje. Avokatët e "arkitektëve" të tragjedisë, Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit e Dritan Minxhollit, kërkuan gjykim të shkurtuar.

Kjo kërkesë, nëse pranohet nga trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i shpëton automatikisht ata nga dënimi kapital me burgim të përjetshëm, nëse ata deklarohen fajtorë për akuzat e "vrasjes masive në rrethana cilësuese" në bashkëpunim.Përveç avokatëvë të këtyre të pandehurve, aplikim të procedurave të përshpejtuara e kërkuan edhe avokatët e të pandehurës Juliana Margariti dhe kompanisë "Albademil" me cilësinë e personit juridik. Kërkesa u bë para gjykatës dhe në fjalën e tyre, avokatët Maks Haxhia, Arben Prifti dhe Vladimir Bineri, që i kërkuan togave të zeza t'i gjykojë klientët e tyre me ato prova që organi i akuzës ka siguruar, por duke pretenduar pafajësi.

"I kërkojmë Gjykatës, që të pranojë kërkesën tonë për gjykimin e klientëve tanë në aplikim të gjykimit të shkurtuar, pasi jemi dakord të gjykohen me ato prova që janë siguruar. Në asnjë rast nuk pranojmë akuzat e ngritura nga Prokuroria, pasi ato janë të pabazuara ligjërisht, për të cilat në pretendimet tona përfundimtare do t'i argumentojmë",- thanë avokatët e të pandehurve, Delijorgji, Pinari, Minxholli, Margariti, e kompanisë "Albademil".

Prokurorët e çështjes kërkuan nga gjykata që kjo kërkesë të mos pranohet, pasi sipas tyre, cënon procesin gjyqësor dhe dëmton provat e mbledhura prej tyre. Vetëm pak ditë më parë, kjo gjykatë refuzoi kërkesën e ish-zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Agim Lala, për gjykimin e shkurtuar të tij. Më tej, edhe avokatët mbrojtës të të gjithë të pandehurve të tjerë, parashtruan kërkesat e tyre, si në thirrjen e dëshmitarëve ashtu edhe në marrjen dhe administrimin e një sërë provash të ndryshme.

Ata dhe të pandehurit që ishin në sallën e gjyqit kundërshtuan akuzat e ngritura nga organi procedues, duke pretenduar se janë të pafajshëm. Ajo që ra më shumë në sy në seancën e djeshme, ishte se asnjëri nga të pandehurit e pranishëm apo avokatët e tyre mbrojtës nuk kërkuan deputetin Famir Mediu në cilësinë e dëshmitarit, për të rrëfyer për punën e tij si ish-ministër i Mbrojtjes. Në fund të seancës gjyqësore, para se trupi gjykues të tërhiqej për vendim, avokatët e të pandehurve që ndodhen në masën e sigurisë "arrest me burg", i kërkuan gjykatës që t'iu vënë në dispozicion në letër kërkesën për gjykim dhe listën e dëshmitarëve. Sipas tyre, klientët e tyre nuk mund të njihen nëpërmjet CD-së së shpërndarë nga prokurorët e çështjes. Për këto dhe kërkesat e tjera të mbrojtjes, togat e zeza u tërhoqën për vendim, që pritet ta shpallin të enjten tjetër po në orën 10:00.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›