E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahen paratë e fushatës, PD-ja merr 309 milionë lekë, PS-ja 305

SHKRUAN: Fejzi Braushi 16-04-2011 10:46

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste marrin “pjesën e luanit” nga fondi i Buxhetit të Shtetit për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Të dyja këto forca politike, falë konfigurimit të Kuvendit të Shqipërisë, që ndodhi me zgjedhjet e shkuara parlamentare, kanë mundur që të sigurojnë më shumë se 90% të të gjithë shumës që qeveria ka dhënë për vendoret e 8 Majit, ose thënë ndryshe 614 nga 650 milionë lekët e vjetra që është i gjithë fondi i akorduar për fushatën. Vetëm 27 milionë lekë ka mundur të sigurojë LSI-ja, ndërsa tri partitë e tjera parlamentare PR, PBDNJ dhe PDIU marrin vetëm nga 2.3 milionë lekë.

Formula sipas mandateve

Ndërsa fushata ka hyrë në javën e dytë të saj, dhe partitë politike janë përfshirë në mënyrë totale në të, ato nuk e kanë ndjerë aspak mungesën e parave që, në bazë të Kodit Zgjedhor, u takojnë nga fondet publike. Vetëm sot KQZ-ja do të vendosë për ndarjen e fondit prej 650 milionë lekësh të vjetra të akorduara nga qeveria, ndërsa ka përgatitur projekt-aktin nëpërmjet të cilit bëhet dhe përllogaritja e formulave që përcakton ligji për shpërndarjen e tyre. Kështu, KQZ-ja, siç bëhet e ditur në projekt-aktin që do të diskutohet sot nga KQZ-ja, ka zbatuar dy formulat që përcakton Kodi Zgjedhor në nenin 87 të tij, atë që merr për bazë mandatet që ka secila forcë politike në Kuvend dhe atë që konsideron numrin e votave që ka marrë secila nga partitë që në Kuvend kanë më shumë se dy mandate. Më konkretisht, 50% e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Si rrjedhojë e kësaj formule, PD-ja, që sipas vendimit të KQZ-së ka mundur të sigurojë 68 mandate arrin të sigurojë 15.8 milionë lekë të reja; PS-ja me 65 mandate arrin të marrë 15.1 milionë, LSI-ja me 4 mandate 920 mijë lekë. Ndërkohë, të gjitha partitë e tjera parlamentare marrin nga 230 mijë lekë secila.

Formula sipas votave

Gjysma tjetër e gjithë fondit të përcaktuar nga qeveria ndahet sipas formulës tjetër, që merr për bazë numrin e votave që ka marrë secila forcë politike në zgjedhjet e shkuara parlamentare. Ndërsa sipas formulës së parë për shkak të mandateve, ishte PD-ja ajo që merrte më shumë, në bazë të kësaj formule të dytë është PS-ja ajo që arrin të sigurojë më shumë lekë dhe kjo falë faktit se në zgjedhjet e shkuara ka marrë më shumë vota se çdo forcë tjetër. Kështu PS-ja ka marrë 620 mijë vota dhe për rrjedhojë merr 15.4 milionë lekë të reja, PD-ja ka marrë 610 mijë vota dhe i takojnë 15.2 milionë lekë të reja dhe LSI-ja ka marrë 73 mijë vota dhe falë kësaj formule merr 1.8 milionë lekë. Nga kjo ndarje nuk përfitojnë partitë e tjera parlamentare, pasi kanë më pak se dy mandate. Në total duke mbledhur të dyja rezultatet e përftuara nga të dyja formulat, PD-ja do të marrë plot 31 milionë lekë të reja, PS-ja 30.5 milionë, LSI-ja 2.7 milionë dhe PDIU, PR dhe PBDNJ nga 230 mijë lekë. Fondi duhet thënë se shpërndahet me vonesë, pasi në bazë të Kodit Zgjedhor ky veprim duhej të kryhej jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i tyre në KQZ si subjekte zgjedhore.

Tabelë

Partia Demokratike 30 991 997

Partia Socialiste 30 547 726

Lëvizja Socialiste për Integrim 2 763 143

Partia për Drejtësi dhe Integrim 232 143

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 232 143

Partia Republikane 232 143

Në total 65 000 000

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›