E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 13 kg marihuanë, trafikohej drejt Maqedoni

SHKRUAN: Bledar Shehu 15-04-2011 10:53

Gjirokastër- Strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë goditur sërish një rast të trafikut të lëndëve narkotike me autobusë udhëtarësh të linjës Gjirokastër-Tiranë. Gjatë këtij operacioni efektivat e antidrogës kanë bllokuar 13 kilogramë marihuana, e cila kishte si destinacion përfundimtar Maqedoninë si dhe kanë ndaluar personin e dyshuar si transportues i kësaj ngarkese me drogë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë ndaluar 26 vjeçarin Ardit Baçja për veprën penale të “ prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Ai dyshohet se ndërsa udhëtonte si pasagjer në autobus po transportonte 13 kg marihuanë. Bllokimi i ngarkesës me drogë është bërë nga efektivat e policisë në postobllokun e Viroit, 3 km në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, gjatë një kontrolli në autobusin e pasagjereve Gjirokastër-Tiranë.

“Ky operacion u ndërtua mbi bazën e një informacioni që kishin marrë specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve i cili bëntë fjalë se në një autobuz të linjës Gjirokastër -Tiranë , kishte hipur një person që me një valixhe mund të transportonte lëndë narkotike”, thonë burimet policore në Gjirokastër. Specialistët e antidrogës kanë bashkëpunuar me kolegët e tyre të Policisë së Rendit dhe Qarkullimit Rrugor që ishin pjesë e postobllokut policor, në dalje të Gjirokastrës, pranë Viroit. Pasi është ndaluar autobusi i dyshuar, ai i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. “Gjatë kontrollit, në bagazhin e autobusit ne gjetëm disa çanta shpine, si dhe një valixhe e madhe me rrota, në brendësi të së cilës konstatuam disa pako në formë të çrregullt, të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave kishte 13 kilogramë marihuanë”, thonë burimet policore. Pas hetimeve të para specialistët e antidrogës bënë të mundur identifikimin e 26 vjeçarit Baçja si posedues i ngarkesës me marihuanë. Sipas grupit hetimor sasia e drogës i është dhënë të ndaluarit nga një person nga fshati Lazarat dhe kundrejt pagesës prej 1 mijë euro ai do ta transportonte për në Tiranë ku sasia e marihuanës do të priste një person tjetër. Destinacioni përfundimtar i drogës ishte Maqedonia. Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personit që i kishte dhënë të ndaluarit ngarkesën me marihuanë si dhe pritësit të saj në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›