E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i ODIHR: Fushata me sulme personale, Kodi ka boshllëqe për 8 majin

Kodi Zgjedhor ka një sërë hapësirash boshe dhe përmban paqartësi, në lidhje me zgjedhjet lokale ndërsa fushata po karakterizohet nga sulme të ashpra dhe personale mes palëve. Ky është konstatimi thelbësor i raportit të parë të ndërmjetëm, të publikuar dje nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit. Më poshtë konstatimet kryesore të këtij raporti.

II. Hyrja

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi vendosi më datën 6 shtator 2010, që zgjedhjet lokale të mbaheshin më 8 maj 2011. Pas një ftese zyrtare të Misionit të Shqipërisë në OSBE, më 5 nëntor 2010, zyra e OSBE/ODIHR-it dërgoi një mision të vlerësimit të nevojave që kreu një vizitë në Shqipëri në datat 17-21 janar 2011.

III. Konteksti politik

Që prej zgjedhjeve të vitit 2009, mjedisi politik ka vazhduar të jetë shumë i polarizuar, me retorikë të ashpër dhe sulme personale, ashtu sikurse edhe me demonstrata nga opozita. Tensioni u ngrit pas një proteste anti-qeveritare, të organizuar nga Partia Socialiste dhe të zhvilluar më 21 janar 2011, ku pati edhe përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Katër persona u qëlluan për vdekje dhe disa të tjerë u plagosën. Parlamenti nisi një hetim, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme nisi një hetim të ndarë për të shtënat. Këto hetime që kanë ngjallur shumë polemika politike, ende nuk janë përmbyllur. Pas 21 janarit ka pasur disa vizita të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, që kanë kërkuar qetësi dhe përgjegjshmëri në periudhën deri në zgjedhjet e 8 majit. Presidenti u ka kërkuar të gjitha partive politike të tregojnë përgjegjshmëri dhe të veprojnë në përputhje me ligjin. Liderët e mazhorancës dhe opozitës kanë pohuar se prioriteti i tyre është zhvillimi i zgjedhjeve, në përputhje me standardet e OSBE dhe detyrimet ndërkombëtare. Partia Socialiste ka shprehur shqetësim se nuk janë kushtet dhe kanë bërë disa propozime për “garancinë” e procesit, përfshirë përdorimin e skanerëve për kartat e identitetit, eksesin mbi përditësimin e listës paraprake të votuesve, rinumërimin e votave me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së, dhe hetimin paszgjedhor të materialeve zgjedhore. Partia Demokratike ka shprehur besim të plotë tek procesi zgjedhor. Një pikë kyçe e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, theksonte përgjegjësinë e partive politike për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme sa i takon detyrimeve zgjedhore. Nën shtytjen e komunitetit ndërkombëtar u zhvillua një tryezë e rrumbullakët mes partive politike parlamentare, në fund të muajit mars për të firmosur një “marrëveshje mirëbesimi” në linjën e rekomandimeve. Partitë e mazhorancës e firmosën marrëveshjen, ndërsa partitë e opozitës nuk e firmosën duke e argumentuar se nuk ishin pranuar propozimet e tyre.

IV. Baza ligjore

Kodi zgjedhor i vitit 2008 adresoi disa rekomandime të bëra më parë nga OSBE/ODIHR-i megjithatë, disa rekomandime mbeten ende të patrajtuara, përfshirë ato të rreshtuara në raportin final të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të 2009. Qeveria informoi misionin për qëndrimin për të vazhduar zbatimin e rekomandimeve direkt pas përmbylljes së zgjedhjeve lokale. Kodi Zgjedhor përmban disa boshllëqe dhe paqartësi, sa i takon zgjedhjeve të pushtetit lokal. Për shembull, nuk është e qartë nëse ka një prag minimal për përfaqësim në këshillat vendore; dispozitat mbi financimin e fushatës prej fondeve publike nuk aplikohen plotësisht për zgjedhjet lokale; dhe nuk ka një dispozitë për regjistrimin e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, ndërsa ligji nuk specifikon një trupë zgjedhore kompetente për këtë.

V. Sistemi zgjedhor

Kodi Zgjedhor ka përcaktuar 3% dhe 5% pragun për partitë dhe koalicionet për të pasur të drejtën të përfitojnë në ndarjen e mandateve të përfaqësimit në zgjedhjet parlamentare, por është e paqartë nëse i njëjti prag zbatohet edhe për zgjedhjet lokale. Në mungesë të një përcaktimi të qartë, kreu i KQZ-së informoi misionin se KQZ do të përdorë të njëjtat pragje, siç janë specifikuar në zgjedhjet parlamentare.

VI. Administrata Zgjedhore

Tre anëtarët e KQZ-së të propozuar nga opozita ndaluan pjesëmarrjen në mbledhje në janar pas mosmarrëveshjeve me anëtarët e shumicës rreth miratimit të procedurave nga KQZ. Për shkak të kërkesës ligjore për disa votime të cilësuara që kërkojnë pesë vota, KQZ e kishte të pamundur të miratonte vendime për zgjedhjet përfshirë edhe atë për financimin e subjekteve zgjedhore dhe rregullave të fushatës. Për aq kohë sa nuk ka ende rregulla mbeten në fuqi ato të vitit 2009. Në 8 prill tre anëtarët e zgjedhur nga opozita rinisën të frekuentonin mbledhjet e KQZ-së. KZAZ-të duhet të ishin ngritur që më 7 shkurt por asnjë prej partive nuk dorëzoi propozimet brenda afateve. Megjithëse partitë e mazhorancës dorëzuan emrat menjëherë më pas, partitë e opozitës nuk e bënë këtë duke lënë KZAZ-të pa kuorumin e duhur. Kodi Zgjedhor nuk specifikon veprimet juridike për këtë rast. KQZ zgjodhi anëtarë nga shoqëria vickle në 33 KZAZ, të cilat kishin vetëm tre anëtarë, duke u mundësuar arritjen e kuorumit. Megjithëse Kodi nuk parashikon zgjedhjen e anëtarëve të KZAZ-ve në këtë mënyrë, kreu i KQZ-së pohoi se kjo masë ishte e nevojshme për të garantuar këtë hap të rëndësishëm drejt zgjedhjeve të 8 Majit e që kishte të bënte më pas me regjistrimin e kandidatëve nga KZAZ-të. Në fund të marsit, partitë e opozitës dorëzuar propozimet e tyre për në KZAZ. KQZ i emëroi ata duke pranuar edhe dorëheqjet e anëtarëve nga shoqëria civile. Deri më tani KQZ ka zëvendësuar 60 anëtarë të KZAZ-ve me kërkesën e partive. Numërimi do të zhvillohet në 66 qendra të numërimit të votave, një për çdo zonë administrative. Të gjitha partitë kanë kërkuar nga misioni mbulimin maksimal të procedurës së numërimit të votave, e cila pritet të zgjasë përtej afatit zyrtar, që është ora 17:00 e ditës së mëpasme. KQZ nuk ka identifikuar VNV-të brenda afatit të përcaktuar 8 prill.

VII. Regjistrimi i votuesve

Partia Socialiste ka shprehur shqetësim se votues janë shtuar në mënyrë të paligjshme në listën e votuesve në disa njësi vendore, përfshirë ato ku drejton Partia Demokratike dhe LSI në minibashkinë e Tiranës. Sipas PS kjo është bërë me qëllim për të ndryshuar balancat politike. Partia Socialiste kërkoi ti vihet në dispozicion lista paraprake e përditësuar e votuesve por Ministria e brendshme tha se Kodi u krijon mundësinë partive të marrin kopjon e listës përfundimtare. Ministria e Brendshme deklaroi më 9 prill në se listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet lokale të vitit 2011 janë 3,164,859 votues, 23,200 më pak se në listën paraprake. Votuesit mund të kontrollojnë të dhënat e tyre individuale në faqen e Ministrisë ose të KQZ-së dhe partitë kanë të drejtë të marrin një kopjo të listës.

VIII. Regjistrimi i partive dhe kandidatëve

Partive dhe grupeve të votuesve ju kërkohet që të dorëzojnë listat e kandidatëve në KZAZ, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Në mënyrë që subjektet zgjedhore të mund të korrigjojnë edhe gabimet e mundshme në dokumentacion, dita e fundit për vendimmarrjen e KZAZ-ve mbi këto lista ishte 7 prilli. Një numër i kandidatëve të pavarur, që u ankuan në KQZ për vendimmarrjen e KZAZ-së janë regjistruar, ndërsa apelimet vazhdojnë. Të dhënat përfundimtare mbi kandidatët e regjistruar në nivelin e KZAZ-ve, nuk ishin të mundshme në çastin e hartimit të raportit.

IX. Fushata zgjedhore

Ndërsa periudha zyrtare 30-ditore për fushatën filloi më 8 prill, partitë kishin filluar me kohë të promovonin veten në mënyrë aktive para asaj date. Drejtuesit e partive organizuan mitingje me votuesit dhe prezantuan kandidatët vendor. Kryeministri bëri një numër inaugurimesh zyrtare, përfshi projekte infrastrukture dhe ndërtesa të reja shkollash. Një reklamë televizive e OJF-së Zgjohu, para periudhës zyrtare të fushatës, sulmoi regjistrimin e liderit të PS-së, që është kandidati në detyrë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. PS-ja ka kërkuar një hetim, me pretendimin se spoti u financua me fonde publike.

Që nga 8 prilli, intensiteti i aktiviteteve të fushatës është rritur. Problemet e fushatës përfshijnë zhvillimet në infrastrukturë, cilësi të shërbimeve që ofron bashkia dhe zgjidhje të papunësisë. Sulmet e ashpra personale kanë vazhduar të karakterizojnë fushatën, me akuza për korrupsion nga të dy anët. Të dyja palët si PD-ja, edhe PS-ja, i kanë kushtuar vëmendje të madhe garës për kryetar Bashkie në Tiranë. Dy kandidatë u qëlluan dhe u plagosën më 1 prill në Tiranë dhe 2 prill në Lezhë. Sipas policisë, plagosja në Tiranë u bë për motive politike, ndërsa rasti në Lezhë nuk kishte lidhje me politikën. Më 4 prill, Kryetari i Zyrës së Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës u qëllua dhe u plagos. Një ditë më parë, ai kishte urdhëruar heqjen e flamujve politik të vendosur në vende të paautorizuara. Hetimi nga ana e policisë vazhdon ende. Vendosja e materialeve të fushatës, si flamuj dhe banderola, ka çuar gjithashtu në grindje në disa raste.

X. Media

Mbulimi gjatë lajmeve i partive jo-parlamentare përcaktohet nga kryeredaktorët, por nuk duhet të kalojë kohën e transmetimit që u kushtohet partive të vogla parlamentare. Reklama politike me pagesë lejohet, por është e kufizuar në median vizive. PD-ja dhe SP-ja kanë filluar të japin reklamat e tyre të paguara në TV, pas fillimit të periudhës kohore zyrtare për fushatën. Më 28 mars, KQZ-ja ngriti Bordin për Monitorimin e Mediave, organizmi që ka përgjegjësinë të monitorojë zbatimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor për median. Vetëm katër nga anëtarët e tij (të caktuar nga anëtarët e emëruar në KQZ nga mazhoranca) janë emëruar në kohën kur u shkrua ky raport. Më 8 prill, Bordi për Monitorimin e Mediave filloi të monitorojë 62 kanale TV-je dhe 2 stacione radioje; ai duhet të dorëzojë raporte me shkrim pranë KQZ-së. Më 4 prill, MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it filloi monitorimin për një grup të përzgjedhur mediash, përmes një analize lidhur me standardet sasiore dhe cilësore të mbulimit të zgjedhjeve që ato bëjnë.

XI. Ankesat dhe apelimet

Deri tani, KQZ-ja ka marrë 55 ankesa kundër vendimeve të KZAZ-ve, që kanë të bëjnë kryesisht me mohimin e regjistrimit për kandidaturat. Një e katërta e ankesave të paraqitura u rrëzuan për arsye procedurale, pasi u depozituan pas afatit kohor ligjor. Në dy rastet e tjera, KQZ-ja përdori standarde të ndryshme për partitë parlamentare nga ato jo-parlamentare. Në të dy rastet, partitë pretenduan se ato nuk e kapën afatin e caktuar kohor për regjistrimin e kandidatit, për shkak se anëtarët e KZAZ-ve nuk ndodheshin në zyra. KQZ-ja i vlerësoi të dy pretendimet si të paprovuara, duke rrëzuar rastin e partisë jo-parlamentare, por duke e udhëzuar KZAZ-në të pranonte dokumentet në rastin e dytë, ku apeluesi ishte PS-ja. Në rastin e fundit, KQZ-ja vendosi se, edhe pse ishte shkelur afati përfundimtar, e drejta e votuesve për të zgjedhur duhej mbrojtur. Dy apelime janë shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor, të dyja kishin të bënin me mohimin e regjistrimit për komitetet nismëtare të grupeve të votuesve. Kolegji Zgjedhor e rrëzoi apelimin e parë dhe pranoi të dytin. Edhe pse Kodi Zgjedhor kërkon që Kolegji Zgjedhor duhet t’i zbardhë vendimet brenda tre ditësh, ky afat kohor nuk u respektua në asnjërin prej rasteve. Për këtë arsye, arsyetimi i Kolegjit Zgjedhor nuk ishte i disponueshëm në kohën kur u shkruajt ky raport. PS-ja depozitoi dy ankimime pranë Kolegjit Zgjedhor në lidhje me përmbajtjen e fletëve të votimit për zgjedhjet për kryetar bashkie dhe këshill në Tiranë. Për garën për kryebashkiakun, PS-ja kërkoi që akronimet e të gjitha partive që bëjnë pjesë në koalicion të vihen në fletën e votimit nën emrin e koalicionit, njëlloj si për koalicionin e kryesuar nga PD-ja. Për garën për kryetar këshilli, PS-ja kërkoi të ndryshohet radhitja e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit. PD-ja apeloi pranë Këshillit Zgjedhor edhe vendimin e KQZ-së lidhur me fletën e votimit për zgjedhjet për Këshillin e Tiranës, duke kërkuar që të gjitha partitë e koalicionit të vet, përfshi edhe ato që nuk kanë regjistruar kandidatë, të vihen në fletën e votimit. D.Malaj

Tabela

Konstatimet kryesore

- Të gjitha partitë kanë kërkuar që MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it të ofrojë një

mbulim maksimal të procedurave të numërimit, që pritet të zgjasin përtej afatit kohor ligjor që është ora 17:00 e të nesërmes së ditës së zgjedhjeve.

- Kodi Zgjedhor ka një sërë hapësirash boshe dhe përmban paqartësi në lidhje me zgjedhjet lokale.

- Tre kandidatët e emëruar nga opozita pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e

ndërprenë pjesëmarrjen në mbledhjet e KQZ-së në janar 2011, por u rikthyen më 8 prill.

- Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të) nuk u ngritën brenda afatit të përcaktuar kohor, për shkak se të gjitha partitë e regjistruara nuk arritën të dorëzonin të emëruarit e tyre.

- Janë bërë përpjekje për të eliminuar dublimet në regjistrime dhe të dhënat për personat e vdekur, duke bërë verifikimin e saktësisë së të dhënave.

- Ndërsa periudha zyrtare 30-ditore e fushatës filloi më 8 prill, partitë e kishin filluar fushatën në mënyrë aktive para asaj date. Sulmet e ashpra personale vazhduan të karakterizojnë fushatën. Të dyja, si PD-ja dhe PS-ja janë fokusuar në garën për Kryetar Bashkie në Tiranë.

- KQZ-ja ka marrë deri tani 55 ankesa kundër vendimeve të KZAZ-ve, që kanë të bëjnë kryesisht me moslejimin e regjistrimit të kandidaturave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›