E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset joshen për të punësuar femra me probleme

Programi
U financohen sigurimet shoqërore dhe një pjesë e pagës deri në nivelin minimal

Për të nxitur punësimin e femrave nga kategori me probleme sociale, është çelur një program i ri. Në qendër të këtij programi qëndron mekanizmi i “joshjes” që punëdhënësit të kenë interes të punësojnë gra të trafikuara nga komuniteti rom, apo femra që janë me aftësi të kufizuara. Vetë ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, duke prezantuar strategjinë e re të barazisë gjinore, është shprehur se Ministria e Punës ka hartuar dhe zbaton masa për mbështetjen edhe të grupeve të tjera vulnerabël. Këtu do të përmendja masat pozitive të ndërmarra për nxitjen e punësimit të femrave, kjo pasi niveli i papunësisë në këtë kategori është identifikuar më i lartë se te meshkujt.
Identifikimi i kësaj problematike solli domosdoshmërinë e hartimit të një akti pozitiv për të siguruar gjithëpërfshirje në punësim dhe integrim të femrave në tregun e punës. Programi për nxitjen e punësimit të grave, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, synon të nxisë punëdhënësit shqiptarë të punësojnë punëkërkues të papunë femra. Kjo mbështetje konsiston në financimin nëpërmjet buxhetit të masës së detyrimeve për sigurime shoqërore dhe për femrat mbi 35 vjeçe, të trafikuarat, gra nga komuniteti rom dhe femra me aftësi të kufizuara, si dhe kompensimi i një pjese të pagës deri në nivelin e pagës minimale. Ky program mbështetet nga buxheti i shtetit për Ministrinë e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe ka filluar zbatimin e tij në vitin 2004.
Një akt tjetër pozitiv i hartuar nga ministria është edhe urdhri “Për Tarifat e Sistemit të Formimit Profesional”, në të cilin parashikohen tarifa falas për grupet e veçanta që janë punëkërkues të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit dhe duan të ndjekin kurse të profesioneve të formimit profesional, të ofruara nga Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik (DRFPP). Në këtë target grup janë përfshirë komuniteti rom, vajzat dhe gratë e trafikuara, personat që kanë vuajtur dënimin me burgim, jetimët dhe personat me aftësi të kufizuar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›