E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndahet nga i fejuari, babai e gjen të vetëvarur në kasolle

01/06/2005  Pas ndihmës mjekësore, 26-vjeçarja ende në rrezik për jetën

”Nuk mund të them me saktësi nëse është apo jo jashtë rrezikut për jetën. Për këtë duhet të kalojnë 24 orë të tjera. Gjithsesi, ju them se ka dëmtime në organet e frymëmarrjes dhe vajza nuk reagon mirë. Ajo është ende në kufijtë kritikë të jetës”

FIER - Ka zgjedhur vetëvrajen në kasolle si “ngushëllim“ pas ndarjes me të fejuarin. Fatmirësisht, ajo është diktuar menjëherë prej të atit të saj, i cili e ka dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë. Pas këtij akti, vajza 26-vjeçare, nga rrethi i Fierit, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore e shtruar në spitalin e Fierit.

Ngjarja

Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10.00, në fshatin Alibejas, të komunës Ndërnënas, në zonën e Libofshës, 26-vjeçarja Esmeralda Prifti, ka tentuar t’i jap fund jetës së saj, duke u vetëvarur me litar në kasollen e bagëtive.

Pasi ka mbaruar punët e shtëpisë, vajza e tronditur nga ndarja me të fejuarin e saj (banor në fshatin Ndërnënas të Fierit) ka shkuar në kasollen e bagëtive, me të vetmin motiv, t’i jepte fund jetës. Bën litarin lak në fyt dhe përgatit vendin e vetëvarjes, duke e lidhur në një nga trarët e kasolles së bagëtive.

I çuditur për mungesën e vajzës, pasi ka kërkuar nëpër shtëpi, i ati i saj, Tonçi Prifti, ka shkuar në kasolle, pa e ditur se do të shikonte pamjen më të llahtarshme të jetës së tij. Vajza ishte duke vdekur nga shtrëngimi i litarit në fyt. Ai shpejton t’i shkojë në ndihmë asaj. Menjëherë me një palë gërshërë këput litarin dhe çliron fytin e vajzës, që ende në spital ka shenjën në ngjyrë mavi, për shkak të shtrëngimit. Kërkon ndihmë në fshat dhe me një makinë të rastit e çojnë drejt e në spitalin civil të Fierit, ku mjekët e sallës së reanimacionit e fusin në mjekim intensiv.

Mjeku

Burimet spitalore pranë repartit të kirurgjisë në spitalin civil të Fierit flasin për një gjendje të rënduar shëndetësore të vajzës, e cila aktualisht, sipas mjekut reanimator Alfred Çuadari, është në gjendje koma, dhe ende nuk ka dalë nga rreziku për jetën.

Sipas Çuadarit, mësohet se ka qenë shpejtësia e veprimeve të të atit që vajza e re është ende gjallë, gjithsesi ajo është në gjendje koma.

”Nuk mund të them me saktësi nëse është apo jo jashtë rrezikut për jetën. Për këtë duhet të kalojnë 24 orë të tjera. Gjithsesi, ju them se ka dëmtime në organet e frymëmarrjes dhe vajza nuk reagon mirë. Ajo është ende në kufijtë kritikë të jetës”, është shprehur mjeku reanimatolog.

Motivi

Sipas burimeve jozyrtare në policinë lokale të Fierit, mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak se vajza e re ishte duke u ndarë nga i fejuari i saj. Kjo i ka shkaktuar trauma asaj.

Të njëjta burime saktësojnë se vajza ishte fejuar me mblesëri 3-4 muaj më parë dhe ende nuk dihet shkaku i zënkës dhe ndarjes mes dy të rinjve.

Ky është rasti i tetë i vetëvarjeve me litar në Fier, ku rastet e vetëflijimit kanë shënuar shifra rekord.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›