E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festivali Ballkanik Derhemi&Radi Aktorët e “Hipokritëve”, ikin për para

01/06/2005  Reagojnë regjisorë, aktorë dhe drejtues të huaj të festivaleve ballkanike, duke e cilësuar veprimin e aktorëve shqiptarë të paprecedentë; drejtorja e festivalit të Monodramës së Ballkanit, Nina Mazur, lëshon deklaratën më të ashpër: Ky veprim paralajmëron fundin e karrierës së aktorit, që një i tillë e do kaq shumë veten dhe kaq pak teatrin

Arben Derhemi dhe Rozana Radi kanë tronditur Korçën me largimin e tyre krejt të befasishëm, të pabesueshëm dhe të pashpjegueshëm nga Festivali Ballkanik i Komedisë. Për dy ditë me radhë, ky veprim demonstrativ, duke i lënë shije të hidhur gjithë kohës së festivalit, pikërisht vendi mikpritës, ka qenë në qendër të vëmendjes si ngjarje jo normale për një vend organizator.

Të gjitha argumentet të qenësishme, të shpjegueshme, të dukshme a të padukshme, jo vetëm që nuk kanë mundur të zbulojnë shkaqet e vërteta të largimit të dy aktorëve, por janë konsideruar të patolerueshme për protagonistët.

Është hera e parë në gjithë historinë e Teatrit të Korçës, që shënohet një fenomen i tillë, kur aktorët largohen vetëm 5 minuta para fillimit të shfaqjes, ashtu siç ndodhi me Arben Derhemin dhe Rozana Radin. Salla e mbushur plot, ndoshta më shumë se ditët e tjera, sepse spektatori korçar priste të shihte spektaklin e aktorëve të tij, ka dalë krejtësisht i zhgënjyer. Ka ndodhur kështu, sepse dy aktorët e Tiranës i hoqën Korçës të drejtën e konkurrimit, mundësinë e marrjes së një çmimi, kur e pretendonin atë.

Pavarësisht nga të gjitha këto, sjellja e dy aktorëve ka ngjallur keqardhje te publiku i Korçës, sepse Derhemi dhe Radi tentuan të zgjidhnin problemet e tyre financiare vetëm në minutat e fundit, kur do të fillonte shfaqja dhe jo më parë ose pas saj. Për Korçën, kjo gjë ka qenë sa absurde, aq dhe e pakuptueshme. Për më shumë, për banorët e Korçës, që si spektatorë kanë qenë më të vlerësuar prej trupave të ardhur nga vendet ballkanike, një ngjarje e tillë është konsideruar e errët. Qindra njerëz janë detyruar të largohen të fyer nga salla e teatrit “Andon Zako Çajupi”, kur kishin zënë vendet e tyre një orë para fillimit të shfaqjes. Në lidhje me këtë ngjarje-skandal, siç është quajtur nga drejtuesit e festivalit, kanë dhënë opinionet e tyre jo vetëm njerëz të thjeshtë, dashamirës të teatrit, por edhe njerëz të teatrit.

Nina Mazur, drejtoreshë e Përgjithshme e Festivalit të Monodramës për Evropën

“Derhemi paralajmëroi fundin e karrierës së tij”

Mazur e ka quajtur ngjarjen në fjalë sa të çuditshme, aq dhe të tmerrshme. “Unë pashë, tha ajo, mungesën e respektit kundrejt njerëzve që kishin ardhur në teatër. Publiku doli pa ndonjë shpjegim nga salla”. Por mbi të gjitha, Mazur nuk arrinte të kuptonte dot sjelljen e aktorëve Derhemi dhe Radi. “Përse ky aktor, vijon Mazur, e do kaq shumë veten dhe kaq pak teatrin?!”. “Unë kam një përvojë të madhe në festivalet teatrore dhe gjatë gjithë kohës kam vënë re se tek artistët e vërtetë marrëdhëniet private dhe ndjenjat kalojnë në plan të dytë, përballë interesave profesionale, por edhe patriotike. Kam përshtypjen se dje pamë një tablo tjetër”. Duke iu referuar sërish përvojës, Mazur tha, se në “Festivalin e Monodramës marrin pjesë aktorë nga vende të ndryshme të Botës, por kurrë nuk kam parë aktorë që të braktisin shfaqjen. Shumë prej aktorëve ndihen mirë që marrin pjesë në konkurrim, madje, nuk e llogarisin pagesën. Ngjarja në Festivalin Ballkanik të Komedisë në Korçë ishte një fyerje jo vetëm për spektatorin, por edhe për vetë aktorët. Një veprim i tillë është një paralajmërim për fundin e karrierës së tij”.

Dhimitër Orgocka, drejtor i Përgjithshëm i Festivalit Ballkanik të Komedisë

Derhemi dhe Radi, shkaktuan një skandal vetëm për dieta

“Nuk kisha asnjë dijeni se çfarë kishte ndodhur me Derhemin dhe Radin, sepse organizatorët e festivalit përgjigjen vetëm për akomodimin e trupave teatrore, ndërsa gjithçka tjetër i takon drejtorive të teatrove për secilën trupë. Megjithatë, drejtori i teatrit ‘Çajupi’, Roland Karanxha, 10 minuta para shfaqjes më kërkoi nëpërmjet sekretarit të teatrit të paguaja dietat e dy aktorëve. Edhe pse nuk ishte përgjegjësi e drejtuesve të festivalit, u tregova i gatshëm dhe dhashë gjithë shumën e lekëve që kisha me vete, vetëm e vetëm që me festivalin dhe aktorët të mos kishim asnjë shqetësim. Me sa di unë, edhe drejtori i teatrit, Karanxha, u kishte ofruar një shumë tjetër nga ana e vet, por Derhemi dhe Radi përsëri nuk kishin rënë dakord. Se si e morën vendimin të largoheshin nuk e di, por ky problem mund të ishte zgjidhur pa asnjë vështirësi, qoftë edhe pas shfaqjes, qoftë edhe atë çast, nëse ata do të kishin dëshirën të sqaronin problemet e tyre. Kjo nuk ndodhi. Ndoshta ata u larguan në një moment emocional, por sidoqoftë shkaktuan një skandal të vërtetë”.

Skënder Demolli, sekretar organizativ i Festivalit Ballkanik Korçë

Aktorët janë trajtuar me dinjitet, si të huajt

“Në rregulloren e festivalit nuk parashikohet që organizatorët të paguajnë ekstra për recital, trupa dhe aktorë. Megjithatë dua të vë në dukje se Derhemi dhe Radi janë trajtuar me të njëjtin dinjitet që janë trajtuar edhe aktorët e ardhur nga vendet ballkanike. Problemi që kishin dy aktorët mund të zgjidhej shumë shpejt, sepse ne nuk do të lejonim që të fyhej spektatori. Sipas kontratës, Derhemi dhe Radi janë trajtuar deri në një. Përveç ushqimit dhe hotelit janë paguar edhe për recital, madje mjaft mirë. Një trajtim të tillë artistët korçarë nuk e shohin as në ëndërr. Megjithatë zgjedhja ishte e Derhemit dhe e Radit”.

Organizatorët e Festivalit

“Derhemi dhe Radi, pretekst për shpërblim ekstra”

Ka dështuar në mënyrën më të pabesueshme dhënia e shfaqjes së trupës teatrore të teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë. Një gjë e tillë është mësuar vetëm 5 minuta para fillimit të shfaqjes, ku drejtori i Përgjithshëm i Festivalit Ballkanik të Komedisë, Dhimitër Orgocka, u ka komunikuar spektatorëve, se shfaqja e trupës së Korçës nuk do të jepej për shkak të disa problemeve mjaft të rëndësishme. Siç u mësua më pas, Arben Derhemi dhe Rozana Radi e kishin braktisur spektaklin në mënyrë demonstrative, duke u larguar në drejtim të Tiranës.

Skënder Demolli, sekretar organizativ i Festivalit Ballkanik, është shprehur: “Shfaqja nuk u realizua, sepse premiera ishte ndërtuar me aktorë të ftuar nga Tirana. Të tillë ishin Arben Derhemi dhe Rozana Radi. Na vjen keq që ndodhi kështu, sepse shfaqja ‘Hipokritët’ me autor të K.Papadhopuli dhe me regji të Guri Koços, ishte dhënë me mjaft sukses edhe në Festivalin e Aktrimit në Fier, ku aktori Aleko Prodani u vlerësua me çmimin e karakterit”. Ndërkohë, tha Demolli, shfaqja ishte dhënë me sukses edhe për dhjete ditë me radhë në qytetin e Korçës.

Për këtë arsye, Drejtoria e teatrit “Andon Zako Çajupi” mendoi të prezantohej në këtë festival me Komedinë “Hipokritët”, ku u pajtuan aktorët nga Tirana, Arben Derhemi dhe Rozana Radi. Nga ana e organizatorëve u pajtuan me dieta njëlloj si artistët e Teatrit Kombëtar të Tiranës, po ashtu si gjithë aktorët e tjerë të trupave ballkanike. Por 5 minuta para shfaqjes, thotë Demolli, dy aktorët e cituar më sipër janë tërhequr nga spektakli nën pretekstin e një shpërblimi ekstra. Me largimin e tyre, sqaroi Demolli, Korça u përjashtua nga mundësia e marrjes së çmimeve, që do të jepeshin nga juria e Festivalit, por njëkohësisht kanë fyer edhe spektatorin e Korçës, i cili ndoqi me shumë dashamirësi për 8 ditë me radhë festivalin, duke marrë dhe vlerësimet më maksimale nga aktorë dhe regjisorë të ardhur nga vendet e Ballkanit në Korçë.

Këshilli i Qarkut Fier dhe Ministria e Kulturës nderon

12 artistë fierakë

Një festë e vërtetë, sa antike, aq edhe e ngrohtë dhe

Bashkëkohore, ka përcjellë sot në orët e vona të mbrëmjes

qyteti antik i Apolonisë në Fier. Qyteti i lashtë ilir

ka pritur sot, veçanërisht miq dhe dashamirës të artit,

gjithë ata që themeluan dhe dhanë vlerat e tyre të

padiskutueshme në këtë fushë të bukur e të vështirë,

politikanë, pushtetarë, gazetarë e të ftuar nga të

gjitha trevat. Këshilli i Qarkut, në bashkëpunim me

mbështetjen madhore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë

dhe Sporteve, organizoi në qytetin antik të Apolonisë,

ceremoninë e shpalljes së titullit “Nder i

Qarkut Fier” 12 artistëve të trevës së Myzeqesë,

Albert Vërria, Luftar Paja, Vaçe Zela, Margarita

Xhepa, Nasho Jorgaqi, Vath Koreshi, Ilia Shyti, Jakov

Xoxa, Vilson Kilica, Kadri Roshi, Pëllumb Kulla e

Zoica Haxho.

Të gjithë personalitetet në fushën e artit dhe

kulturës që vunë gurin në themelet e artit, dhe

nderimi i tyre për vlera të veçanta, është detyrë jo

vetëm e komunitetit, por edhe organeve të pushtetit

lokal dhe qendror. E pikërisht e parë në këtë

këndvështrim, është ceremoni e zhvilluar nga Këshilli

i Qarkut Fier.

“Bëhet fjalë për të vlerësuar veprën monumentale të artistëve të mëdhenj si Vaçe Zela, Margarita

Xhepa, Ilia Shyti, Vath Koreshi, Nasho Jorgaqi, Albert

Vërria, Luftar Paja, Jakov Xoxa, Vilson Kilica, Kadri

Roshi, Pëllumb Kulla e Zoica Haxho”, thotë kryetari i

Qarkut Fier, Ilir Dano. Këta 12 artistë janë vetëm maja

e aisbergut të madh të komunitetit të madh të

artistëve të Qarkut Fier. Sidoqoftë, unë jam i qetë,

sepse ne kemi filluar një punë të mirë për t’i

vlerësuar. Falenderoj këshilltarët e Qarkut, të cilët pa

hezitim, vendosën bashkarisht të përkrahin propozimin

tim, që këta t’i quanim “Nder i Qarkut”. Gjithashtu falenderoj ministrin e Kulturës, Blendi Klosi, për mbështetjen totale, morale dhe financiare që ka bërë në kuadër të vlerësimit të këtyre figurave”. Një koncert madhështor do të përcjellë te qindra artëdashës, miq e dashamirës të artistëve të nderuar. Në këtë koncert live, drejtuar nga prezantuesi Dritan Boriçi, me skenar të Pëllumb Kullës dhe regji të Mehmet Xhelilit, me pjesëmarrjen e veçantë të Anita Takes, këngëtarëve Irini Qirjako, tenorit Kastriot Tusha, kuartetit ”Qerimi”, një çift balerin si dhe grupi popullor “Mallakastra”, ka rizgjuar shkallët e gurta të amfiteatrit antik, për të na sjellë në një kohë më moderne dhe si për të na kujtuar se

arti nuk vdes kurrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›